TIRANË-Partia Demokratike zhvilloi për 6 orë punimet e Kuvendit Kombëtar në Pallatin e Kongreseve. Nga 1564 delegatë të thirrur për të marrë pjesë në Kuvend, vetëm 1416 prej tyre ishin në sallë dhe votuan për anëtarët e Këshillit Kombëtar. Po ashtu, me ngritje dore ata votuan 8 ndryshimet në statutin e PD, të cilat u prezantuan nga kreu i grupit Gazment Bardhi dhe futen menjëherë në fuqi.
Partia thuajse zhbën të ashtëquajturat primare, pra zgjedhjen e kandidatëve për deputet apo kryetarë bashkie nga anëtarësia. Në statutin e ri, ngrihet një komision në parti që seleksionojë propozimet që vijnë, para se të shprehet anëtarësia me votë. Pra, në primare nuk shkon kushdo, por kush kalon sitën e këtij komisioni.
Duke pranuar problemet e hershme të listës së anëtarësisë, PD imponon në statut dixhitalizimin e listave dhe përditësimin e tyre çdo dy vjet. Në statut mbetet i pandryshuar “neni Basha” çka do të thotë se kryetari i partisë duhet të japë dorëheqjen në rast të një humbjeje zgjedhore”
Mes ndryshimeve të tjera që prekin statutin e PD janë, rritja nga 30 në 40% i përfaqësimit të grave në lista si dhe parashikimi që anëtarët demokratë në këshillat bashkiakë të jenë edhe në kryesitë e degëve.
“Në tërësi, grupi i punës vlerësoi se statuti i punës garanton funksionimin demokratik, respekton standardet e partisë me ato simotra të Evropës, se pushteti në PD i përket anëtarëve të saj dhe jo strukturave”, tha Bardhi.
Partia Demokratike u kujdes që të merrte pak nga kryeministri Edi Rama kur kuvendin kombëtar e hapi pikërisht Inteligjenca Artificiale. Përballë akuzave që e ka kthyer partinë në strehën e tij dhe të familjes, Sali Berisha u paraqit krah tyre në ngjarjen më të rëndësishme të partisë.
Plaga e non gratës, përndjek ende demokratët. Që në nisje të kuvendit Erisa Bajaziti që hapi punimet u kujdes të përmendë partneritetin me SHBA-të, madje i ftuar ishte përzgjedhur edhe një lobist, Bob McEëen, i cili u prezantuan si ish-zyrtar i republikanëve dhe që qëndronte në Kuvendin e PD-së krah Fatmir Mediut.
Me dy non grata në kurriz për të treguar se ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, Berisha kishte ftuar plot 10 personazhe të huaj për të përshëndetur kuvendin, mes tyre Peter Beyer, deputet i CDU-së dhe raportuesi i Shqipërisë në Bundestagun Gjerman por që nuk e dinte që Sali Berisha është zgjedhur pa garë në 23 maj, kur tha se: partia sot do të zgjedh drejtuesin e ri.
“Merrni vendime të mëdha, zgjidhni një bord të ri, një kryetar të ri, një president të ri. Kam disa ide se kush mund të jetë, por do ta mbaj gojën mbyllur”, tha ai.
Në fjalën e tij para delegatëve Sali Berisha shpalli edhe fundin e Rithemelimit të nisur në 2021 dhe hapjen e një kapitulli të ri për opozitën atë të Ripërtëritjes, por kilometri i fundit vijon. Akuzat pati në drejtim të Edi Ramës, për të cilin tha se u përpoq të asgjësonte opozitën, por nuk ia doli.
“Rama ndërmori sulmin për asgjësimin e PD, për shndërrimin e saj në opozitë fasadë, për blerjen e saj. Por gaboi. Nuk është për treg kjo parti, kjo parti është për ideale, vlera. Në këtë kilometër, të fundit të kësaj maratone ne kemi detyra shumë të rëndësishme, detyra jonë numër 1, që ua kemi borxh demokratëve dhe shqiptarëve është ripërtëritja”, tha Berisha.
Nuk kurseu as mediat me retorikën e tij agresive.
"Në betejën tonë jemi përballur jo vetëm me qeverinë mafioze më të rrezikshme në Europë, por edhe me mediat e kontrolluara prej saj. Të cilat 24 orë në 24, njësoj si në diktaturat totalitare, armikun e brendshëm demonizojnë opozitën. Me media të cilat fjalën e lirë e shndërrojnë në mashtrim, trillim, për të mbrojtur qeverinë. Për çka ajo i paguan me taksat e vjedhura nga taksapaguesit. U përballëm me kartelet e drogës”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij në podium Sali Berisha u premtoi demokratëve se Edi Ramën. Mbledhja e Kuvendit Kombëtar vjen një javë pas zgjedhjeve pa garë, ku Sali Berisha, i cili ishte emri i vetëm në fletën e votimit, u rikonfirmua kryetar për një tjetër mandat me 37 mijë e 341 vota.

Ervin Salianji ka reaguar pas deklaratës së Sali Berishës, i cili tha sot ser kushdo demokrat që frekuenton takimet e ish-deputetit, "i ka hesapet e mbyllura me PD-në".
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji thotë se kjo deklaratë e Berishës është dëshmia e qartë se problemi i Partisë Demokratike nuk është mungesa e mbështetjes, por mungesa e demokracisë.
Reagimi i plotë i Ervin Salianjit:
Uzurpatori ka shqetësim cilindo që e do Partinë Demokratike fituese, për uzurpatorin ata janë problemi, e shqetësojnë në rehatinë e tij të bashkëqeverisjes me Ramën.
Problemi sot është është mentaliteti që kërkon bindje të verbër, përjashtim dhe frikë në vend të garës, debatit dhe meritës.
Deklarata e Sali Berishës se “kushdo që bashkëpunon me Salianjin s’ka punë me PD” është dëshmia e qartë se problemi i Partisë Demokratike nuk është mungesa e mbështetjes, por mungesa e demokracisë. Për mbeshtetje nuk pati guxim te përballeshim në garë!
Një parti politike nuk mund të funksionojë si pronë personale e askujt. Në një parti demokratike nuk përjashtohen njerëzit sepse mendojnë ndryshe, nuk shpallen armiq ata që bashkëpunojnë me kolegët e tyre dhe nuk vendoset besnikëria ndaj individit mbi interesin e partisë.
Demokratët nuk kanë nevojë për lista armiqsh, por për një projekt fitues që bashkon dhe jo përçan.
PD nuk do të bëhet shumicë duke përjashtuar demokratët. PD bëhet shumicë duke i bashkuar ata. Kjo është beteja dhe ne nuk do ti shmangemi deri në fund!
Sali Berisha reagoi sot për herë të parë lidhur me takimin që Ervin Salianji zhvilloi dje në zemër të Tiranës më demokratë të shumtë.
Kreu i PD-së, nuk pranon se në takimin e Salianjit kishin shkuar anëtarë dhe ithtarë të hershëm të Partisë Demokratike.
“Asnjë demokrat nuk ishte aty. T’u themi të vërtetën. Ata që ishin dhe ata që dolën janë prej kohësh të ndarë nga PD, ose nuk kanë qenë kurrë në PD. Asnjë demokrat nuk ishte në mënyrë absolute që ndjek PD-në“,- tha Berisha.
Pas Salianjit, duket se Berisha do të përjashtojë nga PD-ja edhe Hysen Kadinë, më të votuarin e Primareve në Qarkun Tiranë. Arsyeja? Sepse mori pjesë në takimin e djeshëm të ish-deputetit demokrat.
“Cilido që ndjek Salianjin i mbyll hesapet me PD-në. Nuk janë kritika ato. Ata kanë veprime konkrete kundër Partisë Demokratike”
Në përfundim të punimeve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, kryetari Sali Berisha pranoi se sërish është shkelur Statuti i partisë, kësaj radhe në procesin e publikimit të listave me kandidatë për Këshillin Kombëtar.
Ato u publikuan ditën e sotme, vetëm pak orë para votimit nga delegatët, në kundërshtim me Statutin e PD-së, që thotë se listat duhet të publikohen të paktën 5 ditë para votimit nga Kuvendi Kombëtar.
“Në tërësi janë kandidatura të propozuara nga degët. Kësaj here një specifikë e veçantë ka qenë se kandidaturat kanë ardhur nga degët. U votua sipas qarqeve. Në këtë kuadër, kandidaturat e tjera që nuk kanë ardhur nga degët nuk janë të panjohura në tërësi, janë personalitete.
Ju përgëzoj për rileximin e statutit. Nuk po e vë në dyshim. Në fakt ka pasur një vonesë nga degët në përcjelljen e tyre, sepse kësaj radhe degët janë burimi kryesor i kandidaturave dhe shpallja e kandidatëve pa degët nuk mund të realizohej.
Vonesë po. Por janë degët të cilat e kanë vonuar, për arsye që nuk duhet t’i vononin”,- tha Berisha.

Pas 6 orësh është mbyllur Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike në Pallatin e Kongreseve.
Procesi i numërimit të votave për anëtarët e Këshillit do të nisë në orën 20:00.
Nga 1564 delegatë të thirrur për të marrë pjesë në Kuvend, vetëm 1416 prej tyre ishin të pranishëm në sallë dhe votuan për anëtarët e Këshillit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Kuvendi Kombëtar i PD-së po zhvillohet në frymën e ripërtëritjes së partisë, ndërsa vlerësoi listat e kandidatëve për Këshillin Kombëtar si ndër më dinjitozet që ka pasur kjo forcë politike.
Gjatë një prononcimi për mediat pasi hodhi votën e tij për përbërjen e Këshillit Kombëtar, Berisha tha se listat përfaqësojnë një elitë të vërtetë politike dhe pasqyrojnë frymën e rinovimit që, sipas tij, karakterizon këtë Kuvend.
“Jam i bindur se këto lista përfaqësojnë një elitë të vërtetë politike të Shqipërisë, përfaqësojnë një ripërtëritje në frymën e këtij Kuvendi si Kuvendi i ripërtëritjes. Listat janë nga më dinjitozet. Natyrisht, shumësia e kandidaturave e bën të vështirë zgjedhjen, sepse ka kandidatura të shkëlqyera”, u shpreh ai.
I pyetur nëse procesi i ripërtëritjes do të prekë të gjitha strukturat e PD-së apo vetëm Këshillin Kombëtar, Berisha theksoi se bëhet fjalë për një transformim më të gjerë të partisë.
“Ripërtëritje do të thotë vizion, do të thotë modernitet i Partisë Demokratike dhe një organizim shumë më i fuqishëm”, deklaroi ai.
Kreu demokrat nuk përjashtoi ndryshime edhe në nivelet më të larta drejtuese të partisë, duke theksuar se vendimmarrja do t’i takojë votës së anëtarësisë.
“Vota i përcakton natyrisht, por sensi i ripërtëritjes është një fill i kuq që përshkon gjithçka”, tha Berisha.

Në punimet e Këshillit Kombëtar, Partia Demokratike miratoi një rezolutë lidhur me zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, për të cilat pretendon se janë manipuluar dhe deformuar nga qeveria socialiste.
Gjithashtu, në rezolutë thuhet se sot Shqipëria ndodhet në udhëkryq dhe se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i "bën një thirrje të sinqertë për bashkimin e të gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë në një front të vetëm opozitar, duke lënë mënjane çdo dallim, në emër të objektivit tonë të përbashkët" me qëllim rrëzimin nga pushteti të socialistëve.
Teksti i rezolutës:
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, mbledhur sot më datë 30.05.2026, pasi mori në shqyrtim situatën politike dhe shoqërore në Shqipëri,
konstaton se:
Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq historik. Në vend është instaluar një regjim autokratik dhe kleptokratik, në të cilin të gjitha pushtetet përqendrohen në një dorë, shteti ligjor është zëvendësuar me narkoshtetin, zgjedhjet me farsën zgjedhore;
Regjimi qëndron në pushtet nëpërmjet zgjedhjeve farsë. Raportet ndërkombëtare kanë provuar përfundimisht shuarjen e kufijve midis partisë dhe shtetit, patronazhimin që ushtron presion të skajshëm politik ndaj votuesit, përdorimin e krimit të organizuar për mbledhjen e votave si dhe ekzistencën e një administrate shumë të fryrë politike!
Shqipëria po zbrazet çdo ditë e më shumë! Vendi po kalon një situatë depresive ekonomike dhe shoqërore, të mungesës së shpresës dhe besimit për të ardhmen! Pamundësia për të jetuar me punë të ndershme dhe mungesa e perspektivës, shtrenjtimi i skajshëm i jetesës, papunësia dhe rënia e prodhimit vendas, mungesa e shanseve të barabarta, mungesa e një sistemi arsimor dhe shëndetësor dinjitoz, mungesa e shërbimeve bazike veçanërisht për shqiptarët që jetojnë në zonat rurale, po prodhojnë çdo vit emigracion masiv të rinisë dhe pjesës më të kualifikuar të forcës prodhuese.
Shqipëria është një narkoshtet! Ajo është kthyer në epiqendrën e krimit të organizuar dhe larjes së parasë së pisët. Krimi i organizuar kontrollon funksionet kryesore të shtetit, korrupsioni është i kudondodhur, agjencitë shtetërore të rendit dhe të sigurisë janë kompromentuar rëndë, sistemi gjyqësor është në kolaps, prona është e pambrojtur dhe aspak e sigurtë.
Ekonomia e furnizuar nga narkoeurot si dhe burimet kombëtare janë përqendruar në duar të personave të lidhur drejtpërdrejtë me qeverinë dhe krimin, nëpërmjet PPP megakorruptive dhe prokurimeve publike me fitues të paracaktuar. Biznesi për të mbijetuar duhet të gjunjëzohet. Kush nuk e bën shantazhohet. Paratë e krimit të organizuar pastrohen haptazi, veçanërisht në sektorin e ndërtimit. Në këmbim, me to blihen vota për të mbajtur narkoshtetin në pushtet. Kjo ka bllokuar rotacionin normal politik, në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve;
Maxhoranca socialiste dhe drejtuesi i saj Edi Rama, pasi nuk ia dolën ta zhbëjnë apo ta blejnë Opozitën dhe Partinë Demokratike, po ndërmarrin çdo hap për të tkurrur rolin e saj kushtetues të kontrollit të pushtetit! Në Kuvend, hapësira legjislative dhe mbikëqyrëse që i takon Opozitës është tkurrur në maksimum. Opozita është përjashtuar tërësisht nga procesi i integrimit të vendit dhe ai mbikëqyrës institucional. Ndërkaq, mediat në shumicë të kontrolluara, tentojnë çdo ditë të shuajnë zërin e saj!
Maxhoranca socialiste dhe drejtuesi i saj Edi Rama i ka ofruar mbrojtje maksimale megakorrupsionit, nëpërmjet mbrojtes së megakorrpsionit me imunitet parlamentar dhe moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Këto janë standard unikale për një vend që synon të bëhet pjesë e Evropës, në shkelje flagrante të ligjit dhe moralit politik dhe shoqëror evropian!
Në këtë kontekst të vështirë, Partia Demokratike ia ka dalë të ekspozojë tërësisht realitetin e hidhur shqiptar. Raporti OHDIR që shkërmoqi Partinë-Shtet, dy misione vëzhgimi nga institucionet ndërkombëtare, 8 rezoluta ndërkombëtare që rendisin të gjitha gjetjet dhe shqetësimet si dhe 34 kushtet e reja të imponuara nga BE në procesin e integrimit evropian, tregojnë qartë se realiteti shqiptar i fasadës demokratike dhe opinioneve të komisionuar, tashmë është përpara syve të opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar.
PËR KËTË ARSYE,
KUVENDI KOMBËTAR I PARTISË DEMOKRATIKE
DEKLARON SE:
Misioni i saj madhor ka qene dhe mbetet ‘Shqipëria Evropiane’ dhe ‘Shqipëria si e gjithë Evropa’. Për këtë, ndalimi i menjëhershëm i shpopullimit të Shqipërisë si kërcënimi më serioz që përballet Shqipëria, nëpërmjet shkëputjes së Shqipërisë nga shtetkapja dhe krimi i organizuar, lufta pas asnjë kompromis kundër pastrimit të parave, korrupsionit dhe keqqeverisjes, janë prioritete absolute të saj;
Falënderon Misionin e OHDIR, Partinë Popullore Evropian dhe Unioni Ndërkombëtar Demokrat për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë Partisë Demokratike në luftën e saj të pareshtur për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme, në përputhje me standardet më të mira të OSBE/OHDIR-it.
Konsideron zgjedhjet e lira dhe të ndershme si mekanizëm thelbësor që garanton pluralizmin politik dhe vlerat e familjes evropiane ku duam të bëhemi pjesë. Për këtë arsye Partia Demokratike do beje çdo përpjekje për një qeveri teknike, për të garantuar minimumin e standardeve të pranueshme zgjedhore, si parakusht për rotacionin politik që presin shqiptarët.
Mbështet me të gjitha forcat dhe mundësitë e saj procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, si interes madhor kombëtar që shpreh aspiratat shekullore të shqiptarëve. Por njëkohësisht deklaron se Shqipëria në Evropë duhet të shkojë për meritë të saj, duke plotësuar të gjitha standardet evropiane drejtësisë dhe të shtetit ligjor.. Ne kundërshtojmë më forcën më të madhe çdo projekt paralel që lë mënjane plotësimin e standardeve në këmbim të një anëtarësimi gjysmak;
Deklaron se në të gjithë aktivitetin e saj politik, nëpërmjet Grupit të saj Parlamentar në Kuvend dhe strukturës së saj kudo në Shqipëri, do të angazhohet në çdo akuze të drejtë në mbrojtje të qytetarëve të saj, të shtetit ligjor, të mirëqeverisjes, dhe transparencës, të normave demokratike, të lirisë së shprehjes dhe besimit. Kudo ku ka një kauzë për të mbrojtur, aty do të jetë Partia Demokratike, drejtuesit dhe strukturat e saj!
Për të realizuar misionin e saj, Kuvend Kombëtar i Partisë Demokratike bën një thirrje të sinqertë për bashkimin e të gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë në një front të vetëm opozitar, duke lënë mënjane çdo dallim, në emër të objektivit tonë të përbashkët: përmbysjes së regjimit autokratik dhe kleptokratik, si dhe mundësimit të së ardhmes së Shqipërisë tonë Evropiane!
Deputeti i CDU dhe njëherësh raportues për Shqipërinë në Bundestagun Gjerman, Peter Beyer mesa duket qartë nuk e di që Sali Berisha është rizgjedhur si kryetar i PD-së një javë më parë, në zgjedhjet pa garë. Ai në videomesazhin e shfaqur në Kuvendin e Partisë Demokratike, u thotë delegatëve se sot do të zgjedhin drejtuesin e ri të partisë.
Peter Beyer: Ju keni një kongres shumë të rëndësishëm partiak. Merrni vendime të mëdha, zgjidhni një bord të ri, një kryetar të ri, një president të ri. Kam disa ide se kush mund të jetë, por do ta mbaj gojën mbyllur.
Kuvendi i Partisë Demokratike ka votuar sot në parim, nen për nen dhe në tërësi ndryshimet në statutin e partisë.
Në statut mbetet i pandryshuar “neni Basha” çka do të thotë se kryetari i partisë duhet të japë dorëheqjen në rast të humbjeje zgjedhore. Në statut është shtuar tashmë një komision që do të seleksionojë kandidaturat për deputet ose kryetar bashkie, dhe do të bëjë një filtër të emrave të cilat më pas do të futen në primare. Pra, në primare nuk shkon kushdo, por kush kalon sitën e këtij komisioni.
“Në tërësi, grupi i punës vlerësoi se statuti i punës garanton funksionimin demokratik, respekton standardet e partisë me ato simotra të Evropës, se pushteti në PD i përket anëtarëve të saj dhe jo strukturave. Ky parim duhet ruajtur, duke e bërë PD të vetmen forcë ku anëtari nuk është periferik dhe vullneti i tij përcakton shumëçka.
Është propozuar që diaspora të ketë përfaqësim të dedikuar deri në 15% në të gjitha organet drejtuese, përfshirë Kuvendin, Këshillin e Kuvendit dhe 15% në listat e kandidatëve. Është fuqizuar roli i grave dhe vajzave në PD. Forca e parë politike që rrit kuotën e përfaqësimit të grave. Është përmirësuar organizimi bazë i partisë. Është forcuar raporti mes degëve të partisë dhe të zgjedhurve vendorë”, tha ndër të tjera Bardhi.
Risitë dhe ndryshimet kryesore në Statut:
1. Fuqizimi i Diasporës shqiptare dhe përfaqësimi real politik i saj.15% në lista dhe në organet e partisë duhet të jenë përfaqësues nga Diaspora.
2. Fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave në Parti, duke e rritur përfaqësimin e tyre nga 30 % në 40%.
3. Ngritjen e Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave për deputet dhe kryetar bashkie, si strukturë autonome nga organet drejtuese të partisë, përpara realizimit të procesit të primareve.
4. Përmirësimi i organizimit bazë të partisë (grupseksionet dhe nëndega) dhe forcimi i Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve.
5. Forcimi i raporteve mes Degëve të Partisë dhe të zgjedhurve vendor (këshilltarëve bashkiak).
6. Njohja e një statusi të barabratë për të gjitha organizatat partnere të partisë, duke respektuar historinë e themelimit të PDSH.
7. Mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të Partisë.
8. Saktësimi i rregullave të shkarkimit të kryetarëve të degëve, duke i dhënë më shumë garanci të qëndrimit në detyrë.
Kilometrin e fundit, që ka nisur me protestat me një grusht militantësh para kryeministrisë, Sali Berisha e prezantoi edhe para delegatëve të Kuvendit Kombëtar. Berisha tha se Edi Ramën e kanë vënë në rreth të kuq dhe do ta rrëzojnë me çdo kusht nga pushteti, ndonëse duket se kilometri i fundit i kreut PD nuk paska fund, pasi edhe militantët po rrudhen në ‘rezistencën’ para kryeministrisë.
“Sot jemi forca politike në kilometrin e fundit, në kilometrin që ecën drejt fitores. Në këtë kilometër, të fundit të kësaj maratone ne kemi detyra shumë të rëndësishme, detyra dhe detyrime kapitale, detyra jonë numër 1, që ua kemi borxh demokratëve dhe shqiptarëve është ripërtëritja. I kapërcyem të gjitha barrikadat, që na vuan para, e futëm në rreth të kuq, narkdiktatorin, diku e thërrasin Ramaduro, diku Edi Balluku, ndërsa ne do ta largojmë atë me çdo çmim nga pushteti. Demokratë e demokratë ja ku jemi këtu, tu themi shqiptarëve se për ne njerëzit që adhurojnë kombin dhe flamurin e tij, për ne flamuri kombëtar do mbetet në gjysmë shtizë gjersa flamuri i votës së lirë të shqiptarëve, të valëvitet krah tij. Beteja jonë është betejë për flamur, dinjitet kombëtar, për lirinë e shqiptarëve. Ndaj edhe ripërtëritja e partisë, është dhe duhet të jetë vepra jonë më madhështore, për të ripërtërirë nesër Shqipërinë”, tha Berisha.
Sulmet e drejtpërdrejta për mediat nga Sali Berisha nuk munguan as në Këshillin Kombëtar të PD. Berisha akuzoi mediat se përdoren nga kryeministri Edi Rama për të demonizuar opozitën ai armikun e brendshëm.
“Do ta mbyll këtë kapitull, duke u thënë të gjithë demokratëve, se të gjithë keni nga një emër të përveçëm, ndonjë shkurtim ledhatues, nofkat familjare, por të gjithë keni një emër të përbashkët dhe këtë e farkëtuar vetë. Të pamposhtur. Emri juaj i përbashkët është të pamposhtur. Ndaj edhe ne, në rrugën tonë patëm rrugën të gjatë, të mundimshme. Duhet të përulem me nderim para jush, për veprën tuaj, me nderimin më të thellë dhe të shpreh bindjen se këto që kaluam ne na kanë farkëtuar ne për një betejë të re të rëndësishme, për të përmbysur Ramaduron e Europës. Në betejën tonë jemi përballur jo vetëm me qeverinë mafioze më të rrezikshme në Europë, por edhe me mediat e kontrolluara prej saj. Të cilat 24 orë në 24, njësoj si në diktaturat totalitare, armikun e brendshëm demonizojnë opozitën. Me media të cilat fjalën e lirë e shndërrojnë në mashtrim, trillim, për të mbrojtur qeverinë. Për çka ajo i paguan me taksat e vjedhura nga taksapaguesit. U përballëm me kartelet e drogës”, tha Berisha.
Pas zgjedhjeve pa garë, Sali Berisha ka thirrur delegatët e Kuvendit Kombëtar. Nga aty, sulmoi kryeministrin Edi Rama se ishte ai që ndërmori sulmin për të asgjësuar Partinë Demokratike, duke i marrë vulën. Berisha i tha Ramës se gaboi, pasi PD nuk blihet e as nuk shitet.
Për të justifikuar humbjet që renditi pas rikthimit në PD, Berisha artikuloi edhe njëherë akuzat e vjetra se kryeministri Edi Rama urdhëroi arrestimin e liderëve e partive opozitare.
“Unë e dija që na prisnin beteja të egra, por miq në karrierën time politike dhe në jetë kam bërë gabime. Kam patur një avantazh të madh, nga vitet e rinisë deri më sot, gjithnjë kam ruajtur të paprekur bindjen se jashtë teorisë së gabimit kurrkush nuk del. Ndaj gjithmonë jam përpjek ti korrigjoj, por dua t’iu them sot se në një gjë nuk kam gabuar kurrë, nuk kam gabuar kurrë në besimin ndaj jush. Nuk kam vendosur kurrë në jetën time, në dyshimin më të vogël, besimin tek ju, idealet tuaja, përkushtimin tuaj. Ndaj edhe nisëm së bashku një udhëtim të vështirë, në një moment kritik, pasi kishim bërë shumë përpjekje për të forcuar pluralizmin, kishim edhe arritjet tona të mëdha, erdhi një moment kur Rama vendosi si moral, platformë të regjimit të tij, moralin dhe platformën e etërve të tij xhelatë. Ndërmori sulmin për asgjësimin e PD, për shndërrimin e saj në opozitë fasadë, për blerjen e saj. Por gaboi. Nuk është për treg kjo parti, kjo parti është për ideale, vlera. As nuk blihet, as nuk shitet, as nuk mposhtet kurrë. Ndaj edhe u ngritëm. U ngritëm në një kohë kur dukej se edhe tokën, edhe qiellin e kishim kundër nesh. Na e imponuan, jo se deshëm, por midis të gjithave në zgjodhëm të mbrojmë të vërtetën. Vini në këtë sallë gardianë të pluralizmit politik, gardianë të pamposhtur të vlerave të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Narko diktatori bëri gjitha te eliminonte PD, i mori vulën, i hoqi emrin, i provoi të gjitha financimet dhe kjo vetëm e vetëm që ndrynte atë. E izoloi përkohësisht nga mbarë bota. Vazhdoi betejën i mbështetur edhe nga mafia elektorale. Në vit elektoral arrestoi liderët e partive kryesore opozitare”, tha Berisha.
Punimet e Kuvendit të Partisë Demokratike nisën me një video të krijuar me inteligjencë artificiale. Për kreativitetin e tij, Berisha u frymëzua nga risitë në qeverinë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama në fushën e përdorimit të AI. Në fillim të videos u shfaq heroi kombëtar Skënderbeu, përpjekje kjo për të ironizuar Ramën, i cili dikur është cilësuar nga Elisa Spiropali si “Skënderbeu i shqiptarëve”.
Në video thuhet se avatari AI i PD ka kushtuar vetëm 100 euro jo 4 milionë euro sa ministrja Diella.
“Unë jam Skënderbeu. Jo Skënderbeu i Elisës, para se Elisa të inatosej me Skënderbeun e saj, As Skënderbeu i kullës së Edit në mes të Tiranës. Jam Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, europeisti i parë i këtyre trojeve.
Në fakt, jam një avatar i krijuar nga Departamenti AI i Partisë Demokratike. Ndryshe nga avatari i Ramës, Diella, që ka kushtuar 4 milion euro, unë kam kushtuar vetëm 100 euro. Edi Rama po i kushton shumë Shqipërisë: që nga pushtimi otoman askush nuk i ka kushtuar më shumë këtij vendi të bekuar.
Në fund, më lejoni që t’i uroj punë të mbarë Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Le të jetë kjo besëlidhje, jo vetëm e Ripërtëritjes, por edhe e Anti-Vjedhjes!”, thuhet në videon e krijuar me AI.
Në Pallatin e Kongreve, po mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike.
Me ngritje dore, anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD kanë miratuar Komisionin e Drejtimit të Punimeve.
Po ashtu, u miratua edhe Komisioni i Mandateve.

Me 1 orë e gjysmë vonesë ka nisur punimet Kuvendi Kombëtar i PD. Nisja ishte parashikuar në orën 10:00, por kreu i PD Sali Berisha mbërriti në ambientet e Pallatit të Kongreseve në orën 11:30 i shoqëruar me bashkëshorten e tij, Liri Berisha. E pranishme është edhe e bija, Argita Malltezi.

Komente









Po si nuk hoqe dore o vrases! Je ngjitur si shushunje ne rrenjet e Shqiperise e nuk shkulesh, vetem per te bere deme bashke me shpuren e bashibozukeve qe ke!
PërgjigjuA te futshin ne kazan me bixg ty qe na more ne qaf te gjithve
PërgjigjuHahahaha, stresi?? Po ky sikur ka precedent te rende penal, cne kandidon per poste ne PD? Salianji per shkak te kesaj partie u fut ne burg, kurse ky me pistoleta me drog me gjera i lejohet te kandidoj per poste. Hajde hajde
PërgjigjuPo macina apo qenin e shtepise a nuk i ka marre me vete plaku mere
PërgjigjuZot ruje at vend ku ka perfundu ose ka qen gjithmon dhe kemi qen sy myllur zot ki meshir per shqiprin
Përgjigju