TIRANË-Kryetari i grupit parlamentar  të Partisë Demokratike, Edi Paloka, gjatë një deklarate për mediat mbrëmjen e sotme, publikoi faktin se autori i vrasjes së katërfishtë ka qënë person i shpallur në kërkim nga policia me 26 prill të këtij viti.
"Xhuvani nuk u ndalua sepse kishte mbrojtjen e kryeministrit", tha Paloka, duke vijuar se "sot ka ndodhur një krim i tmerrshëm, që mori jetën e katër qytetarëve. Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet më të ndjera viktimave dhe gjendet pranë dhimbjes së tyre. Ne inkurajojmë drejtësinë të veprojë me forcën më të madhe të ligjit".
"Dorëheqja si deputete e mamasë së autorit të krimit këtë mbrëmje është një gjest për t'u vlerësuar, ndonëse mbarë opinioni publik e kërkonte këtë me ngulm gjatë gjithë ditës. Por, është e refuzueshme deri në neveri melodrama e shpifur e luajtur nga Edi Rama, i cili rreket që edhe në këtë orë dramatike, kur katër familje janë në zi të thellë, të bëjë demagogji, të përfitojë nga rasti për të sulmuar opozitën dhe të lajë duart nga përgjegjësia e rëndë morale dhe politike që është sot dhe gjithë ditën e tija dhe vetëm e tija për këtë vrasje të paralajmëruar", tha Paloka. /ATSH/