"1 në 3 shqiptarë përballet me pasiguri ushqimore". Me këtë shifër, që sipas saj bazohet në të dhënat e FAO, Partia Demokratike sulmoi sot qeverinë, duke e akuzuar se propaganda për rritjen ekonomike nuk pasqyron gjendjen reale të qytetarëve.
Në një deklaratë për mediat, anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, tha se Shqipëria renditet më keq se vendet e rajonit për këtë tregues dhe se qeveria ka dështuar të përmirësojë standardin e jetesës.
Deklarata e plotë e Muçollarit
"Të nderuar qytetarë, Një shifër e vetme rrëzon gjithë propagandën e shfrenuar qeveritare: 31.8 për qind e shqiptarëve përballen me pasiguri ushqimore, të moderuar ose të rëndë. Nuk është shifër e opozitës, por vlerësimi faktual i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, FAO, për periudhën 2023–2025. Me fjalë të thjeshta: pothuajse 1 në çdo 3 shqiptarë përballet me pasiguri ushqimore.
Për krahasim: në Maqedoninë e Veriut ky tregues është 9.2 për qind, në Malin e Zi 9 për qind, në Bosnjë-Hercegovinë 8.7 për qind dhe në Serbi 6.7 për qind. Në Shqipëri, ta themi edhe njëherë me dhimbje, është 31.8 për qind.
Pra, nuk mund të fajësohet as kriza globale, as lufta, as inflacioni ndërkombëtar. Të njëjtat sfida i kanë pasur dhe kanë edhe fqinjët tanë. Diferenca është qeverisja. Pas më shumë se një dekade me Edi Ramën kryeministër, Shqipëria ka një nivel të pasigurisë ushqimore rreth katër herë më të lartë se mesatarja europiane, shumëfish më të lartë se vendet e rajonit. Dhe ndërsa qeveria flet për Shqipërinë turistike, për miliona vizitorë dhe rekorde ekonomike, 8.3 për qind e shqiptarëve përballen me pasiguri të rëndë ushqimore. Kjo do të thotë njerëz që hanë më pak nga sa u nevojitet, familje që mund të mbeten pa ushqim dhe qytetarë që, për shkak të mungesës së parave, mund të kalojnë edhe një ditë të plotë pa ngrënë. Në të njëjtën kohë, një dietë e shëndetshme në Shqipëri është bërë rreth 70 për qind më e shtrenjtë se në vitin 2017 dhe kushton rreth 30 për qind më shumë se mesatarja europiane. Ky është bilanci që nuk shfaqet në ekranet e propagandës. Një Shqipëri ku qeveria numëron turistët, por shumë familje numërojnë paratë për ushqimet e ditës.Një Sh qipëri ku flitet për rritje ekonomike, ndërsa pothuajse një në tre qytetarë përballet me pasiguri ushqimore. Ky është dështim i një modeli qeverisës që pas më shumë se një dekade ka humbur lidhjen me jetën reale të qytetarëve dhe jeton me vjedhje dhe propagandë. Partia Demokratike e ka paraqitur Paketen e minimumit Jetik si pjesë të zgjidhjes, që nuk lë asnjë qytetar të vuajë dhe të kequshqehet. Ne qëndrojmë pas kësaj Pakete dhe me ardhjen në qeveri, ajo do të jetë premtimi i parë i mbajtur. Mbi 90 ditë qëndresë qytetare kanë treguar se propaganda mund të sfidohet dhe se e vërteta nuk mund të fshihet pafundësisht. Prandaj kjo protestë duhet të ketë mbështetjen e çdo qytetari që kërkon ndryshim"








Komente
Komento