Pengmarrja e një nate më parë në Durrës e cila përfundoi me ekzekutimin e pengut, Gazmend Çollaku në zonën e Fushë Krujës, është komentuar nga Partia Demokratike.
 
Në një dalje të posaçme për mediat kreu i departamentit të sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj thotë se ekzekutimi është vepër e bandave të cilat janë të lidhura me Ministrin Tahiri.
 
Alibeaj ka akuzuar segmente të policisë së shtetit, si mbështetëse të ekzekutorëve të Çollakut, i cili sipas tij ishte i dyshuar për vrasjen që ndodhi në Durrës.
 
Ja deklarata e plotë e PD

Ekzekutimi mafioz mbrëmë në Durrës nuk është vetëm tregues i përkeqësimit të rendit në shkallën më të lartë, por më e renda është përfshirja e drejtpërdrejtë e një pjese të strukturave të Policisë.
 
Viktima Çollaku, ishte nga të ndaluarit e parë dhe i dyshuari kryesor për vrasjen që ndodhi në Durrës në mes të qytetit, në fund të dhjetorit, ku u ekzekutua Ervin Kodra dhe miku i tij.
 
Policia jo vetëm e shoqëroi viktimën e mbrëmshme për vrasjen e Kodrës, por po e mbante gjithë kohës nën vëzhgim.
 
Megjithëse ishte nën mbikqyrjen e policisë, megjithëse policia kishte informacion për përfshirjen e mundshme të Çollakut në vrasjen e dyfishtë të dhjetorit, sërish 4 vetë të armatosur e të veshur me uniformë policie e rrëmbejnë në mes të qytetit viktimën, e lidhin dhe e ekzekutojnë, duke larë hesapet e tyre.
 
Këto lloj rrëmbimesh dhe ekzekutimesh, si në rastin e Stafukës në Fushë-krujë, kanë firmën e kokave të krimit në vend,kanë firmën dhe vulën e miqve të SaimirTahirit.
Lehtësia me të cilën bandat rrëmbejnë e vrasin, vjen nga lidhja e tyre e drejtpërdrejtë me Ministrin e Brendshëm.
 
Nuk mund të ketë lehtësi më të madhe për krimin dhe mafian, se sanjë ministër i brendshëm që bën ndërmjetësin e vrasësve me pagesë, që dërgon oficerë në shërbim të shullazëve, që vëmakinën e tij personale në dispozicion të trafikantëve, që djeg provat e drogës, që fsheh kërkesën e interpolit, që shfajësohet para baronëve të narkotikut se dëmin nuk ua bën kurrë ai.
 
Ky është Saimir Tahiri, i cili ka firmën e vulën pas këtij ekzekutimi, pas këtyre vrasjeve, pas trafikut të drogës dhe inkriminimit të policisë.
 
Partia Demokratike i bën thirrje trupës së ndershme të policisë, burrave dhe grave në uniformë, të bëjnë maksimumin e tyre e të punojnë me përkushtim, sepse koha e çlirimit nga ky ministër i lidhur me krimin nuk do të jetë e largët.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)