TIRANË- Zvicra ka futur Shqipërinë në listën e vendeve që duhet të bëjnë karantinë të detyrueshme, dhe për këtë Partia Demokratike bën fajtor kryeministrin Edi Rama. Nëpërmjet ish- deputetit Bardh Spahia, demokratët akuzojnë qe qeveria shqiptare nuk i ka informuar qytetarët shqiptarë.

"Zvicra ka shtuar Shqipërinë në vendet me karantinë të detyrueshme, nëse hyn në territorin e saj. Qeveria zvicerane ka përditësuar listën e vendeve, ardhja nga të cilat do ketë karantinë të detyruar në këtë shtet prej 20 gushtit. Bie në sy se listës i është hequr Serbia, por i është shtuar Shqipëria si vend me rrezikshmëri te larte. Pra përrallat e Edi Rames se jemi vendi me i suksesshem nuk i beson njeri dhe kjo faktohet ne listat e zeza ku hyn vendi yne. Cdo kush që ka qëndruar në Shqipëri deri në 14 ditë para hyrjes në Zvicër, ka detyrimin të karantinohet për 10 ditë. Nuk vlen as bërja e tamponit, sic bëjnë disa vende, por kërkohet automatikisht karantinim. Pra pavaresisht vetelavderimit qesharak te ministres per suksese te arritura, as tamponi qe behet ketu nuk eshte i besueshem! Mosrespektimi i karantinës ndëshkohet me gjobë 10 mijë franga zvicerane.

Prandaj cdo qytetar që do udhëtojë drejt Zvicrës, duhet ta ketë parasysh këtë vendim të qeverisë zvicerane. Në kushte normale këtë informacion duhet ta japë qeveria jonë për shtetasit e vet. Por fatkeqësisht kjo qeveri nuk e ka aspak fokusin tek detyrimet e saj, njëlloj sic nuk i informoi qytetarët që udhëtonin drejt Greqisë", shkruan Bardhi.

E megjithatë, kjo është një tjetër gabim i bërë nga ana e demokratëve. Kjo sepse pak ditë me parë, Ministria e Jashtme ka përpiluar një listë me detaje për të gjitha shtet ku shqiptarët mund të udhëtojnë lirisht dhe ku iu kërkohet karantina e tamponi, mes tyre është e Zvicra.