Partia Socialiste rezulton të jetë dukshëm më përpara se sa Partia Demokratike kur flitet për rivalitet siglash politike. Madje në zgjedhjet e fundit administrative, krahasuar me votimet e katër viteve më parë diferenca mes tyre është rritur ndjeshëm, duke treguar se tashmë socialistët po fitojnë shumë terren në kurriz të mazhorancës, e cila gjithsesi ka konsumin politik të tetë viteve në pushtet. Por i njëjti avantazh mes partisë së drejtuar nga Edi Rama dhe partisë së drejtuar nga Sali Berisha vihet re edhe konkretisht në qarkun e Tiranës. Për lehtësi përllogaritje do të lëmë jashtë vitin 2005 kur Partia Socialiste dhe Partia Demokratike i shpërndanë votat në sajë të fenomenit të "dushkut" duke nxjerrë parti të parë Partinë Socialdemokrate dhe Partinë Republikane në sistemin proporcional, një rast i paparë ky në historinë e politikës shqiptare dhe që pritet të mos përsëritet më. Nga të dhënat e tre proceseve të fundit zgjedhore mund të krijohet një kurbë më e saktë e mbështetjes politike për secilën prej dy partive kryesore politike në vend. Në zgjedhjet vendore të 18 shkurtit të vitit 2007 Partia Socialiste në rang vendi ka marrë 305582 vota ndërsa Partia Demokratike ka marrë 271705. Diferenca mes tyre ka qenë 33877 vota në favor të partisë kryesore të së majtës. Konkretisht në qarkun e Tiranës, në zgjedhjet e katër viteve më parë, socialistët morën 88909 vota përballë 82421 votave të demokratëve. Diferenca në qarkun e Tiranës ishte 6488 vota. Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të vitit 2009, Partia Socialiste në shkallë vendi kishte 620586 vota ndërsa Partia Demokratike 610463 vota. Diferenca mes tyre e përkthyer në vota ishte 10123 të tilla në favor të socialistëve. Në Qarkun e Tiranës partia e e drejtuar nga Edi Rama mori 162757 vota ndërsa partia e udhëhequr nga Sali Berisha 161332 vota. Diferenca flet për një avantazh të lehtë të socialistëve me 1426 vota në këtë qark. Në zgjedhjet vendore të 8 majit të vitit të kaluar nga të dhënat paraprake të KQZ rezulton se PS ka grumbulluar në të gjithë Shqipërinë 432823 vota përballë 330950 votave të grumbulluara nga demokratët. Diferenca flet për një avantazh me 101873 vota në favor të PS. Në bashkinë e Tiranës, votat e marra nga socialistët në zgjedhjet e fundit ishin 104785 ndërsa demokratët grumbulluan në të njëjtin qark 77412 vota. Diferenca midis dy partive politike në nivel qarku Tiranë është 27373 vota në favor të PS. Nëse bëjmë një krahasim të zgjedhjeve vendore të vitit 2007 me zgjedhjet vendore të vitit 2011 mund të kuptojmë tendencën e votave të PD dhe PS. Në këtë rast do të marrim për bazë diferencën mes PS-së dhe PD-së në dy zgjedhjet e fundit lokale të cilat kanë tregues të njëjtë elektorale. E njëjta logjikë do të funksiononte në tendencën krahasuese mes zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe atyre të pritshme të vitit 2013. Krahasimi mes zgjedhjeve vendore tregon se votat e Partisë Demokratike janë në një trajektore rënjeje, teksa koalicioni i djathtë i drejtuar nga Partia Demokratike kompenson humbjet me votat e aleatëve. Krijimi i partisë së re nga ana e Presidentit Bamir Topi dhe mbështetësve të tij pritet që të gërryejë sadopak votat e PD duke e thelluar ndjeshëm diferencën mes dy partive kryesore në vend. Mbetet për t'u parë edhe votat që mund të marrë Aleanca Kuq e Zi po tek PD. Përveç faktorit të konsumimit në qeverisje për dy mandate rresht ekziston edhe rrisku i dy "eksodeve" politike nga elektorati i PD drejt partisë së re të Presidentit Topi e Aleancës Kuq e Zi. Kjo shpjegon edhe arsyen se pse mazhoranca ka nisur një sulm të fortë ndaj Topit dhe kreut të Aleancës Kuq e Zi, Spahiu.
(sg/shqiptarja.com)