Një ditë para seancës së radhës plenare, mbledhja e grupit parlamentar demokrat nuk i ngjau atyre të mëparshme. Gazment Bardhi paraqiti një raport të cilin thotë se do t’ia dërgojë Kuvendit e ambasadave, e që sipas tij tregon një sulm të hapur ndaj rolit të opozitës në parlament.
“Nga ana e maxhorancës po bëhet gjithçka për të na pamundësuar rolin tonë. Maxhoranca në Kuvend, dita-ditës po synon asgjësimin e rolit të opozitës në kuvend. Raporti i KE për 2025-ën thekson se kuvendi mundi t’i ushtrojë kompetencat në mënyrë pjesërisht efektive, polarizimi politik, ndikuan në veprimtarinë e kuvendit, ndërsa proceset e konsultimit publik mbeten të kufizuara.
Në një reagim publik të delegacionit të BE, ndër të tjera nënvizohet se delegacioni i BE thekson se opozita ka rol të rëndësishëm për të luajtur në Kuvend. Në përgjigje të këtij detyrimi, grupi i PD dhe opozita, që në nisje të legjislaturës së XI është angazhuar në mënyre konstruktive në kuvend, por po na pamundësohet ushtrimi i përgjegjësive. Ka një përpjekje për të bashkuar shtetin me partinë në pushtet dhe shumicën parlamentare, ku kjo e fundit e trajton kuvendin si një institucion njëpartiak”, tha Bardhi.
Bardhi thotë se asnjë kërkesë e opozitarëve në parlamentar, për nisma ligjore apo interpelanca nuk po pranohet. Ai renditi refuzimin për ngritjen e 5 komisioneve hetimore, refuzimin e 7 kërkesave për interpelancë me kryeministrin apo 7 kërkesa për mocion me debat.
“Shumica i mohon deputetëve të opozitës ushtrimin e të drejtave parlamentare. Deri më sot kërkesat për mocion me debat, interpelancat me kryeministrin, seanca dëgjimore në komisione, ngritje të komisioneve hetimore, janë refuzuar. Propozimet ligjore të opozitës refuzohen pa asnjë arsyetim, thjesht për faktin se janë propozime të deputetëve të opozitës. Madje është vënë re se i njëjti propozim është bërë nga deputetë të mazhorancës apo këshilli i ministrave dhe është miratuar më vonë. Kjo është e qartë se mazhoranca nuk ka interes për dialog politik konstruktiv në kuvend. Mazhoranca ka refuzuar ngritjen e 5 komisioneve hetimore, 7 kërkesa për interpelancë me kryeministrin, 2 kërkesa për interpelancë me zëvendëskryeministren dhe 3 kërkesa për interpelancë me ministren e shëndetësisë, 7 kërkesa për mocion me debat, ka refuzuar 63 iniciativa ligjor etë deputetëve të opozitës, duke mos i miratuar as në parim”, tha Bardhi.
Në vazhdën e këtij sulmi, sheh edhe përjashtimet nga punimet e parlamentit të deputetëve opozitarë.
"Kanë urrejtje për deputetët e opozitës dhe amnisti për deputetët e mazhorancës", tha Bardhi.
Përjashtim thotë se opozitës i është bërë edhe nga proceset e rëndësishme si ai i procesit të integrimit.
“Opozita është e përjashtuar nga procesi i integrimit, duke mos pasur asnjë informacion për axhdendën e kuvendit për projektligjet që nevojiten të miratohen dhe asnjë informacion mbi zbatimet e detyrimeve të qeverisë në kuadër të procesit të bisedimeve për anëtarësim. Si mund ta luajë opozita rolin e saj të rëndësishëm në kuvend dhe në jetën demokratike të vendit, kur ne pengohemi në çdo të drejtë kushtetuese dhe ligjore”, theksoi Bardhi.
Ky raport i opozitës vjen një ditë pasi në konferencën e kryetarëve nuk u arrit dakortësia për 2 komisione hetimore të kërkuara prej saj, për rrugët e shembura dhe AKSHIN.
Në 6 muaj të kësaj legjislature, Kuvendi është karakterizuar nga seanca kaotike, përplasje mes palëve, zaptim të foltores nga opozita, e shpesh mbylljen e punimeve pa çuar deri në fund diskutimet për rendin e ditës.
Komente










