TIRANË - Në një deklaratë për mediat deputeti i PD, Hoxha u ka bërë thirrje kolegëve socialistë që të mos bojkotojnë nesër seancën dëgjimore me gazetarin Telnis Skuqi, ndrsa shtoi se pavarësisht kërcënimeve ai nuk është marrë në mbrojtje nga ana e policisë.

Nuk ka vonuar shumë reagimi i Ministrisë së Brendshme e cila duke cituar Drejtorinë e Policisë në Qarkun e Gjirokastrës sqaron se Skuqi nuk ka bërë asnjë kallëzim penal pavarësisht se është kontaktuar nga ana e policisë.

Deklarata e plotë e deputetit të PD, Bedri Hoxha

Mazhoranca socialiste në Komisionin e Edukimit dhe Medias refuzoi dje me votë dëgjesën e gazetarit Telnis Skuqi,  të kërkuar me shkrim nga Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë.

Kur nëntë deputetë të opozitës, një e treta  e Komisionit, paraqitën kërkesë me shkrim për këtë dëgjesë, çka e bën atë të detyrueshme sipas Rregullores së Kuvendit, kolegët e mazhorancës braktisën mbledhjen me qëllim të pengonin vazhdimin normal të saj përmes kuorumit të munguar.

Kujtojmë se gazetari Telnis Skuqi nga Gjirokastra ishte i pari, i cili në prill të këtij viti, investigoi dhe publikoi të dhëna mbi trafikun e drogës dhe raportoi për përdorimin e avionëve te vegjël nga narkotrafikantët. Pas kësaj ai u kërcënua me jetë, vetë e familjarisht; ne pragun e  banesës së tij herët në mëngjes i hodhën një kokë dhie:  mesazh i qartë se duhet të mbyllte gojën e të rrinte urtë. Nga informacionet që kemi policia nuk ka vepruar për ta marrë në mbrojtje.

Deputetët e opozitës besojnë se lufta kundër drogës është detyrë e shtetit dhe e gjithë shoqërisë. Gjithashtu themelore në një demokraci plurale është liria e medias. Gazetari Telnis Skuqi e ka bërë punën e tij. Është radha jonë tani; prandaj ftoj deputetët socialistë të mos bojkotojnë mbledhjen e Komisionit nesër në orën 10.00  për dëgjesën e zotit Skuqi.

Deklarata e plotë e Ministrisë së Brendshme

Drejtoria e Policisë Qarku Gjirokastër sqaron opinionin publik se shtetasi Telnis Skuqi, gazetar i gazetës RD, nuk ka bërë asnjëherë kallëzim në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës lidhur me pretendimet e bëra publike prej tij dhe deputetëve të PD-së për kërcënime me jetë.

Pas raportimit në media dhe deklarata në Kuvend nga përfaqësues politik, Drejtori i Policisë së Gjirokastrës e ka telefonuar personalisht z.Skuqi duke i ofruar gatishmërinë e plotë të Policisë së Shtetit për të hetuar lidhur me pretendimet.

Megjithëse është kontaktuar nga Policia, z.Skuqi nuk ka pranuar të paraqitet në Polici dhe as të japë të dhëna lidhur me ngjarjen, për të cilën pretendon se ka qenë një kërcënim me jetë për të dhe familjen e tij.

Policia e Shtetit është e gatshme të garantojë sigurinë e shëndetit dhe jetës së çdo qytetar.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)