Departamenti për ish-të përndjekurit në Partinë Demokratike organizoi një takim në Korçë me shoqata dhe grupime, ku u diskutua për pjesëmarrjen në politikëbërje të përfaqësuesve dhe familjarëve të kësaj kategorie. Sipas zyrës së shtypit të Partisë Demokratike, në këtë konferencë rajonale, u bashkuan të gjithë organizatat e të përndjekurve dhe shoqatat anti-komuniste.
"Ish-të përndjekurit dhe familjarët e tyre të Korçës, Pogradecit, Devollit dhe Ersekës ndanë të njëjtin mendim mbi nevojën e bashkimit në prag të zgjedhjeve lokale, duke marrë parasysh zhvillimet e rënda politike, të krizës së gjithanshme ekonomike, të inkriminimit të politikës dhe qeverisjes si dhe të mungesës së perspektivës për këtë shtresë të shoqërisë me qeverisjen aktuale", thuhet në njoftimin për shtyp.
Duke u ndalur tek nevoja e lustracionit, proces i nisur nga Partia Demokratike në vitin 2009, ish-të përndjekurit u shprehën se nuk mund t'i hapin dosjet, ata që i krijuan dosjet.
"Partia Demokratike mbetet e vendosur në mbështetje të procesit të lustracionit, por jo me pseudo-ligje të kësaj mazhorance, por me mekanizmin e duhur që garanton transparencë të plotë e të thellë", bëhet e ditur.
Sipas njoftimit, përfaqësuesit e Partisë Demokratike u angazhuan për të thelluar aleancën dhe bashkëpunimin me ish-të përndjekurit, të cilët janë pjesë thelbësore e vlerave që ndajnë demokratët, për lirinë, demokracinë e të drejtat e njeriut./atsh/