PD: Të shpallen muzë kombëtar kampi i të Burgosurve në Spaç dhe kampi i internimit Tela me Gjemba në Tepelenë

PD: Të shpallen muzë kombëtar kampi i të Burgosurve në Spaç dhe kampi i internimit Tela me Gjemba në Tepelenë

Sekretari për të Përndjekurit Politikë, Gjergj Hani, në një deklaratë për media, u shpreh sot se, PD ka 2 vite që ka propozuar projektligjin për shpalljen Muze Kombëtar të “Kampit të Punës së Detyruar të të Burgosurve Spaç” dhe “Kampi i Internimit të Tepelenës”, ndërsa qeveria ende nuk ka një vendimmarrje.

Ai shprehet se Spaçi ka vlera të jashtëzakonshme si muze i gjallë i kujtesës historike të shkuarës diktatorialë me vlera historike të rëndësisë kombëtare.

Përcaktimi si muze, thotë ai, do të siguronte që historia të përjetësohet duke u lënë trashëgim të tashmes e së ardhmes eksperiencën tragjike të diktuarës komuniste në mënyrë që ajo e shkuar të mos përsëritet më kurrë.

'Ndaj Partia Demokratike në mbrojtje të dinjitetit njerëzor dhe ringjalljes së kujtesës për të mos harruar, vijon në kërkesën për të shpallur Kampin e Punës së Detyruar të Burgosurve Spaç, bashkë me kampin e internimit Tela me Gjemba në Tepelenë në Muze Kombëtar.'- u shpreh ai.

Deklaratë e Gjergji Hanit:

Më 2010 Partia Demokratike ka miratuar Ligjin 10241, sipas të cilit ngarkohet Këshilli i Ministrave të krijojë Muzeun Kombëtar të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri.

Kampi i Punës së Detyruar, kjo trashëgimi politike dhe historike duhet të kthehet në Muze Kombëtar mbi Krimet e Komunizmit. Një momument i kujtesës së vuajtjeve terrorit dhe krimeve të komunizmit në Shqipëri.

Spaçi ka vlera të jashtëzakonshme si muze i gjallë i kujtesës historike të shkuarës dikatoriale me vlera historike të rëndësisë kombëtare.

Ky është objektiv i Partisë Demokratike i materializuar tashmë, prej dy vitesh, në një projekt-ligj, depozituar në kuvend me nr. 2388 Prot, datë 30.06.2022, pasi është detyrim politik dhe moral për të gjithë ata shqiptarë që vuajtën dhe u trajtuan në mënyrë çnjerëzore në Kampin e Punës së Detyruar të Burgosurve Spaç, përgjatë regjimit gjakatar të Enver Hoxhës.

Sot ai është detyrim për brezat e rritur pas diktaturës, me qëllim jo vetëm njohjen por në veçanti ruajtjen e kujtesës kolektive.

Shoqëria shqiptare duhet të përballet me të shkuarën e saj, ta njohë dhe ta pranojë atë.

Ky monument dhe vlera që jeton jashtë tij nëpërmjet memories historike të së shkuarës diktatoriale komuniste zotëron fond muzeor me vlera kulturore e historike të  rëndësisë kombëtare.

Përcaktimi dhe planifikimi i tij si Muze Kombëtar mbi Krimet e Komunizmit, do të siguronte që historia të përjetësohet duke u lënë trashëgim të tashmes e së ardhmes eksperiencën tragjike të diktaturës komuniste në mënyrë që ajo e shkuar të mos përsëritet më kurrë.

Kampi i Punës së Detyruar të Burgosurve Spaç ka një të kaluar të e zezë, pasi është përdorur nga regjimi komunist në Shqipëri për të burgosur politikisht njerëz të lirë që mendonin ndryshe.

Ai do të ofronte një mundësi edukative për të rinjtë sot dhe nesër që të mësojnë mbi historinë e represionit politik dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut në Shqipëri përgjatë regjimit komunist.

Duke ekspozuar kushtet brenda burgut dhe historitë e njerëzve që mbaheshin aty, muzeu do të ndihmojë në promovimin e ndërgjegjësimit dhe të kuptuarit të së kaluarës së Shqipërisë.

Kthimi i Kampit të Punës së Detyruar të Burgosurve Spaҫ në Muze Kombëtar duke pranuar dhe duke u përballur me padrejtësitë e krimet e së kaluarës, përmes ekspozitave të përhershme dhe të përkohshme së bashku me llojet e tjera të komunikimit, do të edukojë kultivimin e memories kombëtare tejet e relativizuar në këto 34 vite.

Menaxhimi i këtij monumenti dhe pasurisë kulturore kombëtare, ka vlerë për vendin kur vëmendja dhe investimi zhvillohet brenda Zonës së Mbrojtur. Çdo iniciativë për ta ndarë historinë dhe monumentin nga muzealizimi, nuk bën gjë tjetër, veçse kontribuon në manipulimin dhe deformimin e historisë.

Kampin i Punës së Detyruar të Burgosurve Spaç ka qenë destinacion për të burgosurit dhe familjet e tyre, ka qenë një njollë e errët e historisë dhe një zonë e errët e territorit dhe për ta kuptuar atë sot, ai duhet të mbetet destinacion dhe jo opsion.

Propozimi i miratuar nga qeveria, përcakton ndërtimin e një objekti të ri për muze autonom, përgjatë autostradës, në periferi të Respit dhe investimi kryesisht zhvillohet për të krijuar kthimin e tij në një kopje virtuale të kampit.

Kjo shkëputje nga realiteti fizik çon në pak kohë në shkatërrimin jo vetëm të vend krijimit të memories, por edhe kontroll të perceptimit dhe përjetimit të tij.

Evitimi i përballjes, distancimi nga e shkuara, mbivendosja dhe manipulimi nëpërmjet arkitekturës ndodhi me Piramidën, po ndodh me banesën e diktatorit, por nuk mundet kurrsesi të ndodhë me vendin e vuajtjeve dhe persekutimeve të shqiptarëve, disidentë të regjimit.

Ndaj Partia Demokratike në mbrojtje të dinjitetit njerëzor dhe ringjalljes së kujtesës për të mos harruar, vijon në kërkesën për të shpallur Kampin e Punës së Detyruar të Burgosurve Spaç, bashkë me kampin e internimit Tela me Gjemba në Tepelenë në Muze Kombëtar.

Gjejmë rastin t’i bëjmë thirrje të gjithë aktorëve, disa prej të cilëve janë bërë pjesë e diskutimeve përgjatë këtij drafti, të shkruajnë rekomandimet tyre me qëllim realizimin e Muzeut Kombëtar të Burgut të Spaçit, deri të hënën, më 22 prill 2024.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

‘BE sanksionoi Prishtinën për shkak të sjelljes së Kurtit’/ Eksperti në Report Tv: Serbia pret fitoren e Rusisë në Ukrainë për të aneksuar veriun e Kosovës

‘BE sanksionoi Prishtinën për shkak të sjelljes së Kurtit’/ Eksperti në Report Tv: Serbia pret fitoren e Rusisë në Ukrainë për të aneksuar veriun e Kosovës