“Greqia po tenton të tregojë supermacinë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Shteti shqiptar ka vetëm dy rrugë, ose të përulet përpara këtij shantazhi të shumëformësh, një pjesë e të cilit është edhe kthimi i shtetasve shqiptarë në kufi duke qëndruar apatik, ose të kundërshtojë ashpër në të gjitha autoritetet ndërkombëtare dhe të protestojë zyrtarisht, nëpërmjet notave të protestës ndaj shtetit grek. Rrugë të tretë nuk ka. Në këndvështrimin tonë qëndrimi i parë është i papranueshëm dhe asesi nuk duhet të përvijohet nga politika zyrtare e vendit ton”, thuhet në deklaratën e PDIU.
PDIU i ka bërë thirrje shtetit shqiptar që të veprojë sa nuk është vonë, për të shpëtuar sipas saj nga një grackë që qarqet ekstremiste në Greqi po tentojnë të fusin shtetin tone. “Rruga e Shqipërisë për në BE nuk kalon nga Athina, aq më tepër nga një Athinë që gjithnjë e më shumë gjendet me një hap jashtë Evropës së Bashkuar. Rruga e Shqipërisë për në BE kalon nga përqafimi i vlerave evropiane, të cilat qytetarët shqiptarë i shprehin në mënyrë të vazhdueshme. Ka ardhur koha, që shteti shqiptar ta përqafojë këtë aspiratë dhe ndjesi të kombit shqiptar” përfundon PDIU.
(aq/shqiptarja.com)