TIRANË- Debat parlamentar kërkon Partia Demokratike vetëm pak ditë pasi Parlamenti Evropian miratoi rezolutën për Shqipërinë. Mbi këtë dokument, PD thotë se ka 20 pika shqetësuese për të cilat kërkohet ballafaqim qëndrimesh.
"Mungesën e barazisë së kushteve për aktorët politikë, keqpërdorimin e burimeve administrative që zbeh kufijtë mes institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake, financimin e partive politike, akuzat për blerje votash dhe presionin mbi votuesit", thuhet në kërkesë.
Opozita thotë se duhet të debatohet në parlament edhe në lidhje me imunitetin e deputetëve, pak muaj pasi PD vendosi të mos i hiqte imunitetin deputetes socialiste Belinda Balluku.
"Kujton se imuniteti parlamentar është pjesë e kuadrit kushtetues të Shqipërisë, i projektuar për të siguruar funksionimin e duhur të institucioneve demokratike. Thekson se çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret në përputhje të plotë me dispozitat kushtetuese dhe procedurat ligjore të vendosura, pa ndërhyrje politike dhe pa vonesa të pajustifikuara", thuhet në kërkesë.
Investimet strategjike, pronat liria e medias dhe zhvillimet brenda zonës Vjosë-Nartë janë ndër pikat e tjera për të cilat PD kërkon mocionin me debat.
Me firmën e kreut të grupit parlamentar Gazment Bardhi opozita kërkon thirrjen e konferencës së kryetarëve të martën me datën 23 qershor që mocioni të futet në seancën e datës 25 qershor dhe çdo deputet të ketë 10 minuta kohë për fjalim.
Raporti i PE për Shqipërinë u miratua më 17 qershor dhe përmes tij i kërkohet autoriteteve shqiptare një moratorium ndërtimesh në zonat e mbrojtura, teksa shpreh shqetësim serioz për zhvillimet e brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë. Eurodepuetët kërkojnë gjithashtu që të ndryshohen ndërhyrjet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, që lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në këto zona.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente











