Mban titullin doktor dhe prej 16 vitesh jep mësim si pedagog në Universitetin e Tiranës, dega ekonomi. Gentjan Shaqiri pak kohë më parë bëri krenare Shqipërinë në botën e MotoSportit, duke fituar titullin kontinental në garën e ‘Hill-Climb’, që njihet nga federata ndërkombëtare e automobilizmit.
“Mundohem ta lidh botën akademike dhe botën sportive. Është shumë e rëndësishme të merremi edhe me sport, me një pasion. Këtë u them studentëve ‘impenjohuni dhe bëni atë që duhet të bëni në raport me karrierën tuaj, por nga ana tjetër gjeni një hobi, ose atë që keni dhe zhvilloheni sepse do u mbajë gjallë,”-u shpreh Gentjan Shaqiri, pilot dhe pedagog.
Gentjani është 44 vjeç dhe në intervistën për Report TV tregon sesi u lidh me botën e MotoSportit.
“Unë i jam përkushtuar këtij sporti që kur kamë qenë student në Itali. Që në vitin 2000, për 24 vite, pa pushuar asnjëherë,”-tha Gentjan Shaqiri, pilot dhe pedagog.
Makina, piloti e ka dekoruar me ngjyrat kuqezi, për të treguar identitetin e tij shqiptar.
“Makina ime është një formula 3, unë e kam marrë në Itali në një ekip, ForceMotosport quhet. Është një makinë shumë e lehtë me 460 kilogramë, që bashkë me mua shkon 540 kilogramë dhe ka një fuqi më shumë se 240 kuaj. Një raport peshë-fuqi shumë interesante,”-deklaroi Gentjan Shaqiri, pilot dhe pedagog.
Në fund piloti shqiptar tregoi për garën kur 1 muaj më parë fitoi edhe titullin kampion Evrope në disiplinën ‘Hill-Climb’.
“Kishte makina që kishin tjetër potencë tjetër shpejtësi. Kanë marrë pjesë mbi 230 pilotë. Kemi shprehur maksimumin e makinës, maksimumin e ekipit, maksimumin tim, në atë që quhen ‘driving-skills’. Kam bërë një xhiro shumë të frikshme sepse ishte një garë reputacioni ku treguam se ne edhe MotorSport dimë të bëjmë,”-tha Gentjan Shaqiri, pilot dhe pedagog.
Gentjan Shaqiri është pjesë e pilotëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Spanjë në eventin më të madh botëror të MotoSportit nga datat 23-28 tetor. Në të do garojnë pilotë nga të gjithë vendet e botës në 17 disiplina dhe konsiderohen ndryshe si Lojërat Olimpike të MotoSportit.