Pema e rrallë që Naim Frashëri mbolli në Sarandë, një monument që sot kërkon shpëtim

Pema e rrallë që Naim Frashëri mbolli në Sarandë, një monument që sot kërkon shpëtim

Pema e vetme e piperit në zemër të Sarandës mbjellë nga dora e Naim Frashërit?

Pema e madhe e piperit është aty, në zemër të Sarandës, në vendin e braktisur që është ende në një ankand shtetëror të bërë e të anuluar. Mund të këtë sot 145 vjeç dhe mezi mbahet në këmbë. Kushedi kush e dëshiron këtë vend në kërthizë të qytetit e shpresojmë që një njëri i mirë ta marrë e ta vlerësojë. Apo ndonjë që as nuk do t’ja dijë për pemën e piperit?

Pakkush e di që Rilindasi ynë Kombëtar, Naim Frashëri, ka jetuar e punuar në Sarandë për pak vite në të largëtin 1874-76. Ishte nëpunës i doganës së qytetit jugor dhe në këtë kohë mik i çmuar i Hasan Tahsinit. Me disa ditë pushime në qytetin tonë në breg të detit Jon, edhe unë duke shijuar bukuritë, mikëpritjen, ushqimin, kërkova me ngulm të gjeja ndonjë gjurmë të Naimit. Librin e Moikom Zeqos mbi Naim Frashërin e Bektashizmin “Syri i Tretë” e kisha lexuar, por një rilexim pas ikjes së tij nga kjo jetë, më erdhi natyrshëm ta bëja. Dhe aty, në faqen 281 ka një dëshmi befasuese, një sinjal, një shenjë: “… Do të përmend me nderim mikun tim, shkencëtarin e bujqësisë Ahmet Osja, i cili qe i pari që më kumtoi se në qytetin e Sarandës ndodhen dy drurë piperi, këto drurë ishin sjellë në formë fidanësh nga Maroku dhe qenë mbjellë nga duart e Naim Frashërit. Naim Frashëri tani nuk është më, por drurët e piperit janë, të cuditëshme si dy qënie jashtëtokësorësh në këto brigje jonike, si dy emigrantë të habitshëm dhe të pa shpërbëshëm në klimën dhe peizazhin jonik…”, shkruante Moikom Zeqo në 2001, 19 vite më parë.

Në Sarandë pak e dinë këtë histori. Disa nuk e kanë dëgjuar asnjëherë, por gazetari i Report Tv Limos Didani e gjeti pemën e vjetër të piperit. Ishte këtu. Në qendër të qytetit bregdetar, në një vend të braktisur e ndoshta më të lënin pasdore se kudo.

Këtu jam edhe unë. Pema është e vuajtur, e gërryer, e vjetër, është vetëm 1, ndryshe nga dëshmia në libër. Ndoshta ka qenë dhe një tjetër më parë, tani nuk është më. Të jetë kjo pemë piperi vallë e mbjellë me duart e Naimit, siç dëshmon agronomi e shkencëtari i bujqësisë,(për fat të keq edhe ai nuk jeton më), Ahmet Osja? Ekspertët mund të llogarisin kollaj moshën e saj për të kuptuar nëse është pema që mbolli Naim Frashëri, apo një rimbjellje në kohë? Nëse do të ishte pema e piperit gati 145 vjeçare do të kishte një vlerë të jashtëzakonshme natyrore, nëse do të ishte vërtetë pema e Naimit, vlera dhe misioni për ta shpëtuar e rivlerësuar është e shumëfishtë, e jashtëzakonshme për Sarandën e Shqipërinë mbarë.

Nuk e di sa e rastësishme është ardhja ime këtë vit këtu, nuk e di nëse dy burra të nderuar si Moikom Zeqo dhe Ahmet Osja kanë të drejtë, por unë dua shumë ta besoj që këtë pemë të bukur, të vjetër, plot plagë e dhimbje, këtë pemë të piperit ta ketë mbjellë Naim Frashëri siç thonë, më i miri dhe më i madhi nga poetët tanë. Kanë shkruar dhe e kanë admiruar të gjithë Naimin: Lasgush Poradeci e kishte idhull, Kadareja “vdiste” për të, Dritëro Agolli e kishtë në zemër, Rexhep Qosja e Dhimitër Shuteriqi janë ndër më të mëdhenjtë studiues të tij. Që Naim Frashëri punoi në Doganë, është pak e sikletshme ta thuash sot, sidomos në ditët kur doganierët nuk mund të jenë kurrësesi naimë, e megjithatë, Dogana, Saranda, pema e piperit janë dëshmi të një Shqipëria të mirë, të pastër, të drejtë, të bukur e njerëzore. Moikom Zeqo fliste shumë me gazetarët, i donte shumë si lajmës të të vërtetave, të fakteve. Sigurisht fliste me ata gazetarë që dinë të dëgjojnë, jo me kë vetëm flet e flet papushim. Kërkonte gjithmonë t’i ngacmonte, t’i inkurajonte për të gjetur lajmin e mirë, lajmin që do t’i shërbejë më shumë Shqipërisë.

Saranda është kthyer në këto ditë të nxehta në një kantier ndërtimi: Pikërisht Bulevardi “Naim Frashëri” do të bëhet më i bukur se kurrë. Dy shqiptarë të nderuar dëshmuan dhe na e lënë amanet se atë pemë të rrallë piperi, vetëm Naimi e ka mbjellë me duart e tij. Ndërsa ne shqiptarët modernë po mbjellim pemë në çdo cep, sa bukur dhe mirë do të ishte të ruanim dhe shpëtonim pemën e tij. Pema e rrallë dhe e e bukur dhe me vlerë e Naim Frashërit në Sarandë.

xy/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mufri Kalemi: 26/11/2020 20:51

    Pemen Nuk zbuloi as Limozi as Martallozi Pemen qe ka sjelle Naimi e dine te gjithe Sarandiotet e vjeter dhe nuk eshte ndonje zbulim i Limozit qe cdo gje e shet per zbulim..ka me shume se 140 vite ajo peme aty dhe e njohin te gjithe ata qe jane marre me pemtari .

    Përgjigju
  • Liri: 29/06/2020 02:26

    Ju flm e nderuar per lajmin.

    Përgjigju
  • Ermal: 28/06/2020 22:16

    Shume interesant, faleminderit znj. Malltezi per nje "fakt" kaq te vecante!

    Përgjigju
    • Zdromsi: 29/06/2020 01:56

      Shyqyr qe e paska mbjelle nje peme edhe Naimi sepse isha ne merak qe vetem Lali Eri po mbillte peme.

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Shpërthen skuteri elektrik, përfshihet nga flakët një lokal

Kosovë/ Shpërthen skuteri elektrik, përfshihet nga flakët një lokal