U shpall në kërkim si pjesë e treshes që morën peng biznesmenin ndërtues dhe në fushën e call center të Divjakës, Florjan Sula, por arratia e 28-vjeçarit Jurgen Neza, zgjati pak.

I riu u arrestua pak orë pas vëllait Kevin dhe kushëririt, Hysen Neza, të tre autorë të mbajtjes me forcë në një magazinë në Xhafzotaj, dhunimit dhe presionit për gjobëvënie që nisi nga 2 milionë euro.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 31 mars, kur Sula u mor me forcë nga Nezët pasi piu kafe pranë ish-Parkut të Autobusëve në kryeqytet duke u prezantuar si agjentë të BKH. Nga aty u dërgua në magazinë dhe u la i lirë mëngjesin tjetër pas ujdisë se do t’u jepte 500 mijë euro.

Por biznesmeni 32-vjeçar “e theu” premtimin dhe iu drejtua policisë. Krimet e Rënda hetuan për disa ditë derisa gjurmuan vendin ku u mbajt përmes kamerave të sigurisë dhe zhvilluan operacionin.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë