Pengu i fundit i Marash Hajatit,
kujtimet me Dritëro Agollin

Pengu i fundit i Marash Hajatit,<br />kujtimet me Dritëro Agollin
TIRANE - Të promovonte librin e tij më të fundit “Dritëro, kohës i falemi për këtë ditar” - një libër me kujtime që nisin nga jeta studentore deri në vitet ’90 - ka qenë një nga shumë gjërat e lëna përgjysmë të Marash Hajatit prej largimit nga jeta. Planin për promovimin e librit dhe dëshirën për të dalë e biseduar me miqtë në kafene, Marash Hajati e kishte lënë ta organizonte këtë pranverë.

Madje priste me padurim që të hapej koha, sepse mendonte se shëndeti i tij ishte përmirësuar. “Është më mirë këtë javë”, ishte shprehur me gëzim bashkëshortja. Ja sa të hap pak koha dhe do të nis të dalë”, tregon Jani Capo, edhe ai një nga ish-studentët e Petërburgut, ku përveç Marash Hajatit në vitet ‘55 kanë studiuar disa personalitete të njohura si Vangjush Gambeta, Dritëro Agolli, Fiqri Vogli,Sofo Lazri, etj.

Marash Hajati ka studiuar në degën e gazetarisë dhe, gjatë katër viteve në universitetin e Petërburgut, nuk u nda asnjëherë nga miku i tij më i ngushtë, sot shkrimtari i njohur Dritëro Agolli. Përveç kujtimeve të shkruara me humor, aventurave studentore, libri i shkruar në stilin e një reportazhi tregon se studentët e asaj kohe, që jetonin ne kampin e madh komunist, studionin me zell, sepse ishin të bindur se kjo gjë do të ishte rruga e krijimtarisë dhe profesionit të tyre në të ardhmen.

“E them me bindje se plejada e atyre gazetarëve të viteve ‘50 të shekullit që kemi lënë pas, ka dhënë një kontribut të veçantë në ngritjen e nivelit të publicistikës shqiptare të asaj periudhe. Po nis me ata emra që më së pari sapo kryen studimet e larta erdhën u rehatuan në faqete gazetave e revistave, në studiot e Radio Tiranës duke sjellë freskinë e mendimit.

Sidomos në ato zhanre letraro-publicistike, pak të njohura e pothuaj të praktikuara si përshkrimi, reportazhi, skica, pamfleti, fejtoni, replika, etj”, shkruan Marash Hajati në faqet e këtij libri, duke kujtuar gjithë ata emra me të cilët vijoi rrugën e gjatë në gazetari e media televizive, si Dritëro Agollin, Hamit Boriçin, Luan Zelkën, Fiqiri Voglin, Ymer Minzhozin,Fatmir Dibrën, Jorgji Kodrën, etj.

Analisti dhe gazetari Aleksandër Çipa e çmon librin e fundit të Marash Hajatit, duke u shprehur se:”Aktualisht ky gazetar 80-vjeçar është në një tjetër akt të marrëdhënies mes gjeneratës së vet me ato pasardhëse. E kam fjalën për kujtimet dhe tekstet që ka përgatitur nga jeta e tij studentore me të shumëdashurin Dritëro Agolli dhe kujtimet për përvojën gazetareske në vite.

Këto janë në vetvete një gjurmë të cilën na e jep, jo vetëm si dëshmi dhe provë e një së shkuare, por edhe si një dhuratë të cilën nuk e le në mëshirën e “Perëndisë klasike”, siç do të thoshte poeti i vendlindjes së tij Migjeni, por në dijeninë e të gjallëve profesionistë”.

GAZETARI

Nderohet me homazhe në ambientet e RTSH-së

Homazhet për Marash Hajatin mbahen në vendin ku ai punoi për kaq shumë vjet, në ambientet e RTSH-së. Ai lindi në vitin 1934 në qytetin e Shkodrës. Shkollën e mesme e kreu në vitin 1952 në qytetin e lindjes. Nga viti 1952 e deri në vitin 1957 ndoqi studimet e larta në Universitetin e Petërburgut, në Fakultetin e Filologjisë, dega Gazetari. Diplomohet publicist.

Punoi si redaktor në gazetën “Puna” e më pas, sekretar kolegjiumi i saj dhe instruktor për shtypin. Nga viti 1974 deri në vitin 1988 ka qenë fillimisht drejtor i TVSH-së e që nga fillimet e viteve 80-të Drejtor i Përgjithshëm i Radiotelevizionit.

Në vitet 1988-90 kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”. Për afro 14 vjet ka qenë kryetar i Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë. Përveç artikujve të shumtë në organet e shtypit, si dhe Radio-Televizion ai është autori i disa dokumentarëve dhe librave.

JA LIBRAT DHE DOKUMENTARËT QË KA BOTUAR

Dokumentarë

“Tërmeti tundi malet por jo zemrat tona”;
“Fitimtarë mbi tërmetin”

Të tjera botime

“Bijtë e tokës sime” (krijime publicistike – 1982); “Dera e prapme shtypit” (ngjarje e kujtime nga puna në shtyp e media – 1998); “Shqipëria në kapërcimin e shekullit” (analiza e komente – 1999); “Çanta me kontratë” (Poezi); “Tish Daija, i veçanti” (monografi – 2005); “Vite befasish” (kujtime); “Histori dhe Vizion Stefani & Co” (monografi); “Dritëro, kohës i falemi për këtë dita” (kujtime, shtator – 2012).

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ben Blushi: Çfarë kemi arritur në 112 vjet (një ilaç kundër pesimizmit)

Ben Blushi: Çfarë kemi arritur në 112 vjet (një ilaç kundër pesimizmit)