Vendimi
Elena Kadare, bashkëshortja e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, sipas vendimit të qeverisë do të përfitojë shtesë në pension special mujor prej 27 mijë lekë të reja, por bashkë me shtesën, pensioni i saj nuk do ta kalojë shumën e tetëfishitë të pensionit social prej 54 mijë lekësh.
“Dhënie shtesë pensioni të posaçëm shtetëror në masën e katërfishit të pensionit social, por shuma e pensionit, që i takon sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, plus këtë shtesë, të mos kalojë tetëfishin e pensionit social”, - thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Elena Kadare është autore e shtatë vëllimeve në shqip. Veprat e saj flasin për ëndërrimet vajzërore, përjetimet e të qenit nënë e bashkëshorte. Gjithashtu, është një përkthyese cilësore e disa veprave të autorëve të njohur botërorë, kryesisht francezë. Së fundmi, Elena Kadare botoi romanin e saj “Kohë e Pamjaftueshme”,në të cilin rrëfen gjerësisht bashkëjetesën e saj me Ismail Kadarenë.
Edhe ish-ministri i Kulturës, shkrimtari i njohur, Moikom Zeqo, do të përfitojë shtesë pensioni të posaçëm shtetëror me vendim qeverisë. Njësoj si Elena Kadare, edhe pensioni i Zeqo do të ketë një ekstra prej 27 mijë lekësh të reja. Moikom Zeqo është autor i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të një numri skenarësh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë.
Moikom Zeqo është sot një nga personalitetet më të mëdha dhe të njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe. Ish drejtori i Muzeut Historik Kombëtar aktualisht po kalon ditët më të vështira të jetës së tij, pas diagnostikimit me sëmundjen e rëndë leuçemi akute.
Artistë&sportist
Nga vendimi i qeverisë për shtesë në pensionin special shtetëror, përfitojnë edhe njerëz të artit si dhe sportistë. Kësisoj, ish sportistët e njohur, Neptun Bajko, Isa Tare dhe Kreshnik Tartari do të përfitojnë pension ekstra prej 27 mijë lekësh, i cili i shtohet pensionit të tyre real. Edhe njerëz të artit do të përfitojnë nga vendimi i Këshillit të Ministrave. Kësisoj, Nestor Jonuzi, Kristaq Leno, Kujtim Kasmi dhe Aziz Tahiri, do të përfitojnë shtesë në pensionin e tyre special.
Shtesa
11 personalitete të letërsisë, artit dhe sportit, do të përfitojnë shtesë në pensionin e tyre special shtetëror, pre 27 mijë lekësh. Vendimi parashikon që pensioni të mos jetë më i lartë se 54 mijë lekë të reja
Kadare&Zeqo
Dy shkrimtarët e njohur, Elena Kadare dhe Moikom Zeqo do të përfitojnë nga vendimi i Këshillit të Ministrave, shtesë në pensionin special
Përfitojnë pension ekstra
Moikom Zeqo, shkrimtar
Elena Kadare, shkrimtar
Neptun Bajko, sportist
Isa Tare, sportist
Nestor Jonuzi, piktor
Kristaq Leno, artist
Kujtim Kasmi, sportist
Koço Çomo, arkitekt
Aziz Tahiri, artist
Kreshnik Tartari, sportist
Hektor Dule, skulptor
Redaksia online
(S.m/shqiptarja.com)