Pensionet, ja çfarë duhet të bëni kur s’gjeni dokumentet e sigurimeve të vjetra

Pensionet, ja çfarë duhet të bëni kur s’gjeni dokumentet e sigurimeve të vjetra

Fadil Kepi në emisionin “Këndi i Ekspertit"

Si çdo javë eksperti për çështjet e pensioneve profesor Fadil Kepi ka sqaruar nga Report TV qytetarët mbi problematikat e pensioneve. Në emisionin “Këndi i Ekspertit nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli, profesor Kepi u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme. Pjesa më e madhe e tyre kishte të bënte me problemet që hasin qytetarët në plotësimin e dokumentacionit për të marrë pensionin e pleqërisë dhe sidomos me mosgjetjen e dokumentacionit të viteve te vjetra të punës.

Na shkruan një pensioniste nga Tirana: “Bashkëshorti im, ditët e fundit, ka ndërruar jetë. Ai ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë, në dy legjislatura. A mund të marr pensionin e tij dhe të lë pensionin tim?”
Po, si të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Përpara ligjit të Sigurimeve Shoqërore janë të gjithë të barabartë. Zonja e nderuar ka të drejtë, që nga dita kur bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë, të marrë pensionin e saj ose gjysmën e pensionit të bashkëshortit, përfshirë këtu pensionin e zakonshëm dhe pensionin si deputet. Së dyti, deri ditën kur ka ndërruar jetë bashkëshorti, i takon pension. Nëse nuk e ka marrë, për arsye të ndryshme, atëherë ka të drejtë të shkojë bashkëshortja, me librezën e pensionit, të tërheqë pensionin e tij deri në ditën kur ai ka ndërruar jetë. Përveç pensionit që i takon deri në ditën kur ka ndërruar jetë, Sigurimet Shoqërore japin nga fondet e tyre edhe 12.000 lekë të reja ndihmë financiare, për çdo pensionist që ndërron jetë. Pastaj, ajo ka të drejtë të zgjedhë, ose të vazhdojë të marrë pensionin e saj ose gjysmën e pensionit të bashkëshortit. Kompensimin e energjisë elektrike zakonisht e merr kryefamiljari. Me vdekjen e tij, kur bashkëshortja është pensioniste e vetme, ka të drejtë të marrë edhe kompensimin e energjisë elektrike.

Jam nga Korça dhe banoj në Tiranë. Interesohem për bashkëshorten. Ajo është mësuese, vazhdon punën. Më 10 maj 2018, mbush moshën e pensionit. Kam kontaktuar me Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore nr. 6 në Tiranë dhe më kanë adresuar që të shkoj në Korçë, që të interesohem për dokumentet e pensionit. Ata të Korçës nuk më japin dokumente dorazi. Ne kemi 18 vjet që jemi larguar nga Korça dhe banojmë në Tiranë. Në Drejtorinë Arsimore nuk ka asnjë dokument. Duhet të bëhet një kërkesë zyrtare nga Instituti i Tiranës për të kërkuar dokumentet, ndërsa mua më thonë që duhet t’i kërkoj vetë. Çfarë duhet të bëj?

Unë mendoj se përgjigjja e atyre punonjëseve të reja të Agjencisë, të cilat nuk janë punonjëse të Institutit, është e gabuar. Në Institutin e Sigurimeve Shoqërore nuk të jepet kjo përgjigje. Instituti i Përgjithshëm i Sigurimeve Shoqërore është për të gjithë Republikën e Shqipërisë dhe ndodhet në Rrugën e Durrësit, përballë Universitetit të Sporteve. Drejtori i tij, pret çdo ditë të mërkurë dhe sqaron qytetarët. Duhet të shkosh atje. Personi, dokumentet e pensionit i dorëzohen në qendrën e fundit të punës ku ka punuar. Pra, meqenëse bashkëshortja juaj punën e fundit e bën në Tiranë, atëherë Agjencia e Sigurimeve Shoqërore nr. 6 në Kombinat, duhej t’i kërkonte librezën e punës, fotokopjen e kartës së identitetit, vërtetimin e pagës që ka marrë nga data 1 janar 1994 e në vijim, certifikatën e martesës. Pensioni do të lidhet në Tiranë. Por, duhet të shkosh të takosh Drejtorin e Përgjithshëm të Sigurimeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Brenda 30 ditëve kalendarike do të dorëzosh dokumentet dhe brenda 40 ditëve kalendarike do të marrësh përgjigjen.

Flas nga Tirana. Jam ish-polic në reformë, 64 vjeç. A më njihet reforma si vjetërsi pune? Ju do të dilni në pension 65 vjeç, vitin tjetër. Për pension të plotë do t’ju kërkohen 36 vite e 8 muaj punë të siguruar, përfshirë këtu edhe periudhën që mund të kesh marrë asistencë, edhe periudhën që merr pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Kjo periudhë quhet vjetërsi pune për pensionin e pleqërisë, por jo si ushtarak. Kur të dalësh në pension pleqërie do të marrësh edhe një pension tjetër shtesë. Është një ligj i veçantë për ushtarakët, që thotë se do të marrësh pension suplementar për çdo vit të plotë që ke punuar si ushtarak në Policinë e Shtetit, në Policinë e Burgjeve, në Forcat e Armatosura, në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, në Shërbimin e Zjarrfikëseve, në SHISH.

Kam mbushur 64 vjeç në janar. Vitin që vjen mbush 65. Kam punuar në minierë rreth 13 vjet e 6 muaj. Dua të di çfarë funksioni ka statusi i minatorit. A e përfitoj unë?
Aktualisht statusi i minatorit nuk është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Këshilli i Ministrave e ka në rishqyrtim dhe mendohet që në 4-mujorin e tretë, shtator-dhjetor 2018, do të diskutohet edhe një herë në Parlamentin shqiptar. Ka një ligj për minatorët, me nr. 150/2014, i cili thotë: “Nga data 15 dhjetor e vitit 2014 e në vazhdim, minatorët e nëntokës marrin pension të plotë, kur plotësojnë këto tre kushte: mosha për burrat – 55 vjeç, të kenë gjithsej 30 vite pune në Shqipëri, nga të cilat 12 vjet e 6 muaj të kenë punuar nën tokë”. Kush nuk i plotëson këto tre kushte, nuk përfiton pension si minator i nëntokës.

Telefonoj nga Pogradeci. Kam qenë minator. Jam 69 vjeç. Kam dalë në pension në vitin 2000 dhe marr 160.000 lekë të vjetra. Përse më ka dalë kaq pak lekë pensioni?
Ke të drejtë që t’i bësh ankesë me shkrim Komisionit të Ankimit pranë Sigurimeve Shoqërore në Korçë. Do të shkruash pretendimet e tua. Merr përgjigje zyrtare. Nëse nuk bindesh përsëri, do t’i shkruash një ankesë tjetër Komisionit Qendror të Ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Në të dy komisionet marrin pjesë specialistë me arsim të lartë nga fusha e ekonomisë dhe juristë.

Jam një naftëtar nga Vlora. Kur e fitojnë pensionin naftëtarët?
Eja një ditë në Tiranë ose shkruaji një letër ministrit Gjiknuri. Ai e ka firmosur që prej 14 muajsh dhe nuk po gjen zbatim siç duhet statusi i naftëtarit. Në Ministrinë e Energjetikës është krijuar një komision qendror me 5 specialistë të mirë. Atje do ta marrësh përgjigjen.

Na shkruan nga Pogradeci pensionistja Fetije Xhemollari: “Djali im ka rënë në krye të detyrës kur ishte ushtar. Cilat janë rregullat që duhet të ndjek për të përfituar statusin e Dëshmorit të Atdheut?”
Sqaroj se për statusin e Dëshmorit të Atdheut ka një vendim qeverie, i cili thotë, që pranë Ministrisë së Mbrojtjes është krijuar një Komision Qendror për statusin e Dëshmorit të Atdheut. Kryetar i Komisionit është ministri ose ministrja e Mbrojtjes. Vendimi ka dalë në vitin 2015. E vërteta është që në vendin tonë ka raste që punonjës të Policisë kanë rënë në krye të detyrës, për shkak të detyrës dhe janë vrarë nga keqbërësit, nga hajdutët, nga kriminelët. Në bazë të këtij vendimi të qeverisë, disa kanë marrë statusin e Dëshmorit të Atdheut. Zonja në fjalë duhet t’i bëjë një kërkesë Këshillit të Qarkut ose Prefektit. Këshilli i Qarkut ose Prefekti, pasi e miraton kërkesën ia dërgon Komisionit Qendror pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Meqenëse Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka raste që djemtë tanë të mrekullueshëm kryejnë detyrën si anëtarë të NATO-s, por edhe kanë rënë në krye të detyrës. Edhe nga këta ka që e kanë marrë Statusin e Dëshmorit të Atdheut. Meqenëse djali i zonjës ka qenë i ri në moshë dhe ndoshta s’ka pasur grua e fëmijë, trajtimin financiar prej 7.000 lekësh të reja e përfitojnë prindërit e tij, mbi pensionin e pleqërisë që marrin. Por, kjo ndihmë financiare merret nga dita kur e aprovon Komisioni Qendror pranë Ministrisë së Mbrojtjes.

Telefonoj nga Rrogozhina. Kam problemin e gruas për pension. Është 61 vjeçe. Nga viti 1972 deri në vitin 1984 i njihen vitet e punës kur ka qenë beqare, ndërsa nga viti 1984 deri më 1991 kur është prishur sistemi i kooperativave dhe ajo ka ardhur nuse në Rrogozhinë, nuk figurojnë fare. Si mund të veproj?
Rrogozhina varet nga Kavaja. Drejtori i Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore në Kavajë është njeri i përgatitur, ka eksperiencë. Duhet të shkosh tek ai. Ai do të të japë një letër zyrtare me vitet e punës që njihen. Do të gjeni dy dëshmitarë dhe të hapni një gjyq. Ka një vendim qeverie, me nr. 74, i miratuar në vitin 1967 dhe thotë: “Të gjithë ata që kanë punuar në kooperativa bujqësore, gratë duhet të kenë 230 ditë pune që t’i quhet një vit i plotë”. Pra, 20 ditë pune në muaj, gjithnjë duke u nisur nga mosha 16 vjeç. Po kështu veprohet edhe për burrat, të cilët e kanë 280 ditë pune, pra 24 ditë pune në muaj. Eja në Tiranë dhe ta jap vendimin e qeverisë.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Nazif duka: 25/03/2018 12:30

    Mbush 65 vjeç me 28prill 2018 deri ne vitin 1990 kam qenë.i punesuar në shtet mbas 1990 i pa punë se jam invalid i pjesshëm si më llogaritet pensioni sa vite punë me behen dhe sa më del pensioni deri në vitin 1990 rrogën e kam patur 5200 lek të vjetra

    Përgjigju
  • Nazif duka: 25/03/2018 12:23

    Jam invalid

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Radiografia e linçimit publik, si një diagnozë politike

Ylli Pata: Radiografia e linçimit publik, si një diagnozë politike