Fundjava e gjyshërve e prindërve me fëmijë! I moshuari: Zbatova urdhrin e të parit të vendit, por sot theva orarin

TIRANE-Fundjava do të jetë me të njëjtat rregulla si e kaluara me pensionistët dhe prindërit me fëmijë deri në 14-vjeç me më shumë liridalje. Sot dhe nesër pensionistët lejohen të dalin lirisht deri në orën 10.00. Të gjithë të tjerët në shtëpi brenda kësaj fashe orare. Prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç do të lejohen të dalin lirisht nga ora 11.00 deri në orën 17.30, pra në momentin që pensionistët të jenë rikthyer në shtëpi. Sot do të qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë deri në orën 17.30. Të dielën të gjitha mbyllur. Sot dhe nesër do të ndalohet kategorikisht qarkullimi i automjeteve private.

Kryeministri Edi Rama theksoi dje se nëse gjithçka do të vijojë me këtë ritëm dhe nëse nuk do të kemi surpriza negative nga kurba e infeksionit, atëherë kjo do të jetë fundjava e fundit me ndalim daljeje për vajzat e djemtë mbi 14 vjeç. Por çfarë ndodh nga e hëna? Duke filluar nga data 11 maj me përjashtim të 6 bashkive, Tiranë, Durrës, Shkodër, Kurbin, Krujë dhe Fier, e gjitha pjesa tjetër e vendit do të jetë e gjelbër. Në 6 bashkitë që do të bëjnë përjashtim do të vijojë i njëjti regjim oraresh dhe rregullash të qarkullimit si deri tani, ndërsa këto zona do të blindohen me postblloqe dhe nuk do të lejohet hyrje-dalja e automjeteve të paautorizuara nga zona e gjelbër te e kuqja dhe e kundërta.

Pjesa tjetër e vendit, që do të jetë e gjelbër do të ketë mundësinë e lëvizjes ndërqytetase me automjet privat me një regjim orar që do të shtrihet deri në orën 21.00, pra që zgjatet nga 17:30 që ishte deri tani. Për zonën e gjelbër, në fuqi do të mbeten vetëm rregullat që ndalojnë grumbullimin e më shumë se pesë personave, aktivitetet kulturore e sportive të çdo lloji, transportin publik si edhe njësitë ekonomike ende të mbyllura.

Gjithashtu nga dita e hënë data 11 Maj, hapen parukeritë, berberët, klinika dentare dhe qendrat tregtare! Ndërsa nga 18 majit hapen baret, restorantet, lejohen stërvitjet individuale, galeritë e arteve dhe sitet arkeologjike sipas protokolleve të miratuara. Të riatdhesuarit do të karantinoren në banesën e tyre nga 11 maji e në vazhdim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:24
Fëmijët mbushin parqet e Korçës, në rrugë edhe persona që nuk lejohet të dalin

Parqet në Korçë sot kanë qenë të mbushura plot me fëmijë, të cilët së bashku me prindërit e tyre kanë shfrytëzuar lejen për dalje të vendosur nga autoritetet. Fëmijët kanë krijuar zhurmën e zakonshme dhe kanë luajtur me njëri-tjetrin, duke dhënë përshtypjen e një ditë normale.

Ndërkohë sa bashku me këtë kategori tek tuk mund të evidentohej edhe ndonjë person tjetër që sot nuk kishte liri dalje, siç ishin ato sipër 14 vjeç dhe pensionistët, që sot kishin leje deri në orën 9 e 30 të mëngjesit.

Ora 11:22
'E theva orarin se dola me vonesë', pensionisti në Tiranë: Kam qëndruar në karantinë siç ka thënë i pari i vendit

Të shumtë kanë qenë pensionistët të cilët kanë dalë sot në zonën e Liqenit në Tiranë. Ka patur edhe nga ata pensionistë të cilët janë mbledhur në grumbuj, pasi janë takuar me shokë dhe miq që deri më tani nuk i kishin takuar. Gjithsesi rreth orës 10 kjo kategori ka nisur të largohet, për t'i lënë vendin prindërve me fëmijë deri në moshën 14 vjeç.

"Dolëm edhe njëherë për të shëtitur, me orarin deri në 9 e 30. Dola me vonesë dhe e theva pak orarin (pasi ora është 11:18). Në izolim ia kam kaluar mirë, kam zbatuar urdhrat e karantinës siç ka thënë i pari vendit. Sot është dita e parë që kam dal pas një muaji e gjysmë,"-deklaron një pensionist.

Ora 10:19
Rama poston videon, pensionistët mbushin rrugët e Tiranës

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shpërndarë një video në rrjetet sociale ku dallohen kategoria e personave të moshuar të cilët sot kanë dalë për të shfrytëzuar orarin e liri daljes të vendosur nga autoritetet.

Video e shpërndarë është nga qyteti i Tiranës, në disa prej zonave te 'Universiteti i Politeknikut', 'Sheshi Nënë Tereza', '9-katshet' dhe vende të tjera. Siç duket, stolat e pushimit janë të 'pushtuar' nga kjo kategori personash të cilët po e shfrytëzojnë si vendqendrim.

Ora 09:55
Sot më pak pensionistë në Fier se javën e kaluar, shkak zakonshmëria e ditëve të fundit

Në Fier sot nuk kanë qenë të shumtë pensionistët të cilët kanë dalë për shëtitje në fashën e lejuar të orarit deri në orën 09:30. Kjo me arsyen kryesore sepse ditët e fundit në Fier kanë qenë si ditë të zakonshme, me qytetarët dhe makinat që kanë lëvizur pa kufizime edhe pse është një zonë e kuqe.

Gjithsesi sot në krahasim me ditët e tjera qarkullimi i makinave ka qenë më i reduktuar.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Përpjekjet e Turqisë për të fituar një rol më të madh ndërmjetës më 2025

Përpjekjet e Turqisë për të fituar një rol më të madh ndërmjetës më 2025