Për ato gra që nuk dorëzohen

Për ato gra që nuk dorëzohen

Evis Nasto

“Po të quaj Eva, je dakort?” Kështu nisi biseda me 39- vjeçaren me origjinë nga verilindja, e vendosur në Tiranë prej 20 vitesh. As emrin e saj nuk mund të thoshte, por as nuk mund ta pyesja veçse ta thërrisja me emrat e pagëzuar që në gjenezë, atëherë kur Perëndia përcaktoi se një nga dy qeniet e para njerëzore që do popullonin botën do të ishte EVA, sa e brishtë aq edhe luftarake,sa vulnerabël aq edhe kurajoze për të lënë vuatjet pas krahëve dhe për të rifilluar nga e para.  

Evën e njoha në jetën e saj të dytë. Dy qepje në anën e djathtë të fytyrës tregonin sesi jeta e kishte trajtuar. Ajo ishte njohur dhe dashuruar që në vogëli me atë që e imagjinonte se do të ishte bashkëudhëtari i kësaj jete.  “Asokohe ishin pasionet që ta çonin peshë zemrën dhe të bënin të ishe e shkujdesur kundrejt tipareve të karakterit” – tregon ajo me një nënqeshje të lehtë që i thekson dhe më shumë vragën që ka në faqen e djathtë. “Me tim shoq kishim një diferencë prej 5 vitesh. Në fillim ishim fqinj në qytetin tim të lindjes. Më pas u dashuruam edhe pse lirinë për ta jetuar dashurinë tonë e patëm mirëfilli kur erdhëm në Tiranë. Gjithçka rrodhi shumë natyrshëm. Erdhi fejesa. Unë mbeta shtatzanë me fëmijën e parë e më pas u martuam. Sakaq kisha përfunduar edhe studimet për mësuesi”
Megjithatë në jetën e Evës kishte pasur një pikë kthese e cila e kishte nxjerrë atë nga rutina e sheshtë dhe në dukje harmonike e rrugëtimit të saj në çift. “Pas lindjes së vajzës, fëmija i dytë që na bekoi Zoti ishte djalë dhe ai më kërkoi të qëndroja në shtëpi. Djali i sapolindur ishte shumë shëndetlig dhe nevojitej kujdes i shtuar. Duke qenë se mamaja ime ka ndërruar jetë para 7 vitesh, vjehrra ishte e sëmurë edhe mua duk e arsyeshme. Prej këtij momenti e në vijim, nisi tortura ime.” –ndal ajo rrëfimin pas një frymëmarrje të gjatë. Ende sot e kësaj dite, Eva nuk di të thotë mirëfilli arsyet e këtij ndryshimi të beftë, por faktet mbeten ato që peshojnë më shumë. 

“Në fillim kthehej nga puna nervoz dhe përplaste gjërat nëpër shtëpi duke shfryrë. Unë mblidhesha me fëmijët në dhomën e gjumit. Të nesërmen vinte e më kërkonte ndjesë sikur nuk kishte ndodhur asgjë dhe më puthte e përqafonte. Pas disa ditësh shfaqej edhe më i nervozuar dhe i pirë ,fillonte ofendimet, më kujtonte herë pas here se po më mbante me ushqim e rroba, ndërsa unë rrija në shtëpia si parazit. E nesërmja ishte dita e faljes” – tregon ajo. Sjelljet e dhunshme të bashkëshortit të saj nisën të shoqëroheshin edhe me shpërthime xhelozie kur gruaja tentoi të rifillonte punë pasi fëmijët ishin më të rritur. Diçka e pakonceptueshme për ish bashkëshortin që ishte mësuar ta kishte gruan në shtëpi. Eva duroi për afro 13 vjet derisa vendosi të thoshte “Mjaft”. Ajo e kuptoi se po bashkëjetonte me rrezikun kur në një shpërthim tejet të dhunshëm ai e goditi me gershërë, duke e çarë në faqe. 

“Gjithçka që ka ndodhur më duket e largët tashmë , ndonëse kanë kaluar pak vite por tani në pandemi mu rishfaq si një mankth dhe mu rikthyen të njëjtat përjetime. Në kohën kur ishim të izoluar, vinte dhe i binte derës, më sillte pizza në shtëpi. Unë nuk ia hapa herën e parë, pastaj ai u rikthye edhe 2 herë të tjera. I binte derës me forcë  dhe ulërinte duke më kërcënuar se nëse nuk do t’ia hapja,ai do ta shembte. Fati im që nuk e di se kush nga fqinjët kishte thirrur policinë dhe prej asaj dite nuk u duk më gjatë karantinës” – thotë Eva.

Ajo kishte një urdhër mbrojtje që e detyronte ish bashkëshortin  të qëndronte larg perimetrit të zonës së saj të banimit, por as kjo nuk e pengoi që të trokiste 3 herë në shtëpinë e ish gruas së tij. Eva nuk kishte bërë denoncim për dy herët e mëparshme, por kishte kërkuar ndihmë në numrat e telefonit të vëna në dispozicion për gratë e dhunuara. Aktivistja për të drejtat e gruas, Sevim Arbana tregon:
“Gjatë periudhës së karantinës u vu re një numër i shtuar i grave që kërkuan ndihmë pranë linjave këshillimore, por kjo nuk u reflektua tek rritja e denoncimeve në polici.” Kjo rritje por e pafinalizuar me denoncime sikurse parashikon mekanizmi i referemit të dhunës, sipas znj.Arbana lidhet me 3 arsye: bashkëjetesa e detyruar me ish bashkëshortin abuzues, kufizimi i lëvizjes për shkak të pandemisë dhe përkeqësimi i çrregullimeve psikologjike para-ekzistuese të partnerëve.

Koha e gjatë e kaluar në shtëpi, sikurse shpjegon psikologia Anisa Zaçe solli gjatë karantinës një akumulim të shtuar të stresit, ankthit dhe pasigurisë. “Nëse shtojmë këtu edhe hapsirat e ngushta që një familje mestare shqiptare ka në dispozicion, kjo sigurisht që ndikon në krijimin e ndjesisë së ngjashme me atë të humbjes së lirisë që shkarkohet në formë dhune” – vëren psikologia. Për këto arsye Ministria e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkoi Policisë së Shtetit të kishte një vëmendje të shtuar kundrejt rasteve të dhunës. Menaxherja e Projekteve pranë UNWomen, Alba Agolli tregon se ka qenë në dijeni të rasteve konkrete që kanë pasur ndërhyrjen e policisë në përputhje me komunikimin zyrtar mes Ministrisë së Shendetsisë dhe asaj të Brendshme, referuar një shkrese që mban datën 9 prill 2020:

“Policia e Shtetit duke qenë në dijeni se cilat gra janë me urdhër mbrojtje në çdo zonë banimi ose cilat familje kanë bërë denoncime të ngjashme më përpara, rriti frekuencën e patrullimi të saj pranë zonave të banimit të këtyre grave apo familjeve të evidenuara si në risk për të patur incidente dhune. Po ashtu edhe Gjykatat, megjithëse u mbyllën gjatë karantinës, nuk e pezulluan aktivitetin e tyre për disa ccështje administrative, familjare dhe penale, ato ofruan opsionin e seancave online vetëm për rastet emergjente sikurse urdhrat e mbrojtjes së grave të dhunuara. Fakt është që gjykatat, referuar burimeve zyrtare, kanë vazhduar të lëshojnë urdhra mbrojtje edhe gjatë periudhës së izolimit.” – pohon znj.Agolli. 

Pandemia nuk riktheu tek gratë e dhunuara vetëm frikën nga dhunuesi por edhe pasigurinë ekonomike. Aktivistja Sevim Arbana evidenton konkluzionet e një monitorimi të kryer nga shoqata që  ajo drejton “Në dobi të gruas shqiptare”  se gjatë periudhës Qershor-Shtator 2020 “gratë nuk patën akses të plotë në menaxhimin e situatave të krijuara, duke mbetur të gozhduara dhe në vështirësi të mëdha të lidhura me nevojat e thella ekonomike dhe shëndetsore.” 

Për këtë arsye fokusi i asaj çka duhet të ndryshojë në të ardhmen qëndron tek riintegrimi i grave që i kanë mbijetuar dhunës në familje. Menaxherja e projektit pranë UNWomen Alba Agolli tregon se nevojitet të punohet edhe më shumë me gratë që të njohin të drejtat ligjore dhe përfitimet që burojnë prej tyre si dhe tërësinë e veprimeve që mund të ndërmerren në nivel vendor për përmirësimin e situatës së grupeve në nevojë.

“Bashkë me disa bashki të mëdha të vendit, të cilat ofrojnë tashmë një sërë shërbimesh për grate, duke përfshirë dhe ato që janë viktima të mbijetuara të dhunës sikurse, strehimi emergjent ose afatgjatë, bonusi i qerasë, kopshtin falas për fëmijët, kurse për formimin profesional dhe aktivitete për nxitjen e punësimit etj., synojmë të krijojmë një paketë të unifikuar, për të cilën gratë duhet të jenë të informuara dhe të ndërgjegjësuara se si dhe se ku duhet të aplikojnë” – thekson znj.Agolli. Megjithatë pikëpyetjet për çka shtrohet përpara Evës dhe “Evave” të tjera janë të mëdha. Një mbyllje e dytë për një nënë që i përgjigjet e vetme fëmijëve të saj tingëllon po aq rëndë sa edhe rikthimi i mankthit të përndjekjes nga dhunuesi. 

“Gjatë karantinës, paga u përgjysmua edhe pse mësimdhënia në një nga shkollat jopublike të qytetit vijoi online si për gjithë shkollat e tjera. Jam matur disa herë të shkoja tek furra e bukës poshtë pallatit dhe t’i kërkoja nëse kishte nevojë për ndihmë për 2-3 orë, që të më paguante sa të plotësoja diçka nga rroga ime. Më duhet të luftoj që fëmijëve të mi mos t’u mungojë gjë” – tregon Eva, e cila mes gjithë pasigurive të kësaj bote, të përfshirë nga pandemia, tek fëmijët gjen shkëndijën e të rifilluarit të ditës çdo mëngjes nga e para.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë