Samiti i parë për Ukrainë u mbajt më 28 shkurt 2024, kur liderët e Europës Juglindore dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përcollën një mesazh të përbashkët mbështetjeje për përballë agresionit rus.

Dy vite më pas, Tirana rikthehet sërish në qendër të diplomacisë rajonale, këtë herë në nivel ministrash të Jashtëm, për të diskutuar mbi sfidat e përbashkëta që lidhen me sigurinë europiane, kërcënimet hibride, dezinformimin, sigurinë energjetike dhe pasojat ekonomike të luftës.

Përmes një postimi në X, Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, pas takimit me homologun e tij të Ukrainës, tha se Shqipëria do të vijojë të mbështesë vendin që po përballet me një agresin 4-vjeçar në mënyrë të palëkundur.

“Me kënaqësi pata një shkëmbim të frytshëm dhe thelbësor me Ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, mbi zhvillimet më të fundit në Ukrainë, përpjekjet e vazhdueshme për t’i dhënë fund luftës së padrejtë agresive të Rusisë, si dhe mbi panoramën më të gjerë të sigurisë evropiane.Shqipëria ka qëndruar fuqishëm përkrah Ukrainës që nga dita e parë e agresionit brutal rus dhe do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën me përkushtim të palëkundur, në çdo mënyrë të mundshme", shkroi Hoxha. 

Pjesë e diskutimeve do të jetë edhe rimëkëmbja dhe rindërtimi i Ukrainës, si dhe koordinimi mes vendeve të rajonit për të mbështetur procesin e integrimit europian dhe forcimin e bashkëpunimit euro-atlantik.

Në përfundim të takimit pritet miratimi i një deklarate të përbashkët politike, me fokus unitetin, solidaritetin dhe angazhimin afatgjatë në mbështetje të Ukrainës dhe sigurisë së Europës.