Ekspozita e piktorit Ismail Lulani, prezantohet për herë të parë në Muzeun Historik Kombëtar

Foto nga ekspozita në Muzeun Historik Kombëtar

TIRANË- Është prezantuar për herë të parë në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar ekspozita retrospektivë e piktorit të njohur Ismail Lulani, një nga emrat më të mëdhenj të artit tonë.

Në pikturën shqiptare, piktori Ismail Lulani veçohet dhe vlerësohet si një kolorist ekspresiv i njollave me ngjyra potente, të ngrohta e plot dritë, që ndikoi në sëbashku me D.Jukniun, S.Shijakun, S.Kamberin, E.Hilën, B.Ahmetin në modernizimin e pikturës shqiptare në vitet 1970 – 90.

Në çeljen e kësaj ekspozite ku merrnin pjesë shumë personalitete të politikës dhe të kulturës, ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se pas një periudhe të vështirë prej pandemisë dhe tërmetit, hapja e kësaj ekspozita është edhe një moment reflektimi për të gjithë për ruajtjen e një trashëgimie të tillë dhe promovimin e saj.

“Kemi një koleksion i cili vjen nga vetë familja, tregon një përkushtim, tregon një sfidë edhe një vështirësi që vet familjarët kanë arritur ta çojnë përpara dhe kanë ruajtur një thesar shqiptar. Është një ndërgjegjësim i bukur. Shpesh herë në këtë debate të vazhdueshme që kemi midis komunitetit dhe institucioneve gjendemi gjithmonë në konflikte se ku qëndron detyrimi, e drejta e secilit prej nesh dhe në këtë rast dua ta them me plot gojën që ne jemi vetëm mbështetësit e vegjël sepse punën më të madhe e kanë bërë vet njerëzit”, u shpreh Margariti.

Veprat u sollën nën kujdesin e vajzës së tij Ormira Lulani dhe artistit Helidon Haliti të cilët kanë kuruar çdo detaj të saj. Kuratori Haliti e cilësoi Ismail Lulanin si krijuesin brilant duke lënë pas mbi 1800 vizatime. 

“Si kurator unë padyshim shikoja Mirën që ndërtonte ditën, unë prishja natën. Pra mu desh të isha i ftohtë. Para 10 vitesh kemi arkivuar vizatimet e tij, të cilat kanë shifrën 1800 e ca, dhe sigurisht ajo diplomë që erdhi në hartë copë copë, dhe unë bashkë me një mikun tonë të vyer, e kemi ngjitur me thënë të drejtën me ditë të tëra, dhe erdhi diploma, zanafilla e kësaj ekspozitë. Pra është një trung i madh, që shpërndan gjethet e saj në të gjithë këtë ekspozitë, kryesisht të një vizatuesi brilant. Ismail Lulani kishte një gjë më të veçantë se gjithë të tjerët për mua, kishte Ormira Lulanin,  ishte ngjizja e tij artistike më e mirë, e cila me një këmbëngulje dhe pasion të jashtëzakonshëm, bëri që të më fuste dhe mua në atë vijueshmërinë, pikërisht të një kurimi të lirshëm dhe të imponuar ndërkohë që me shumë mirësjellje ndërtonte ditën, dhe unë ia prishja padyshim të nesërmen, sepse i thosha Lulanin do ta lëmë një magji, nuk mundet ta ngarkojmë kaq shumë. Dhe aty njeriu kupton dashurinë e çdo copëze”, tha Haliti.

Ai tha se shtëpia në Shkodër duhet të kthehet në një muze të cilin ai e ka lënë gati. 

“Dua të jetë muze në Shkodër, secili nga artistët e mëdhenj, padyshim do të ketë muzeumet e tyre. Në një bisedë të shkurtër Profesor Shoshi tha edhe diktaturat kanë lindur gjeni të rinj siç janë këta të vizatimit”, u shpreh Haliti.

Vajza e piktorit, Ormira Lulani, e cila ka trashëguar prej të atit profesionin dhe talentin nënvizoi forcën e jashtëzakonshme të artit që i bën artistët të pavdekshëm duke lënë pas një thesar të çmuar.  

“Ndjehem shumë mirë për faktin që shoh kaq shumë njerëz të cilët e duan dhe e respektojnë ose e nderojnë veprën e tim eti dhe kjo do të thotë shumë për mua. Në çdo cep të kësaj ekspozite ju mund të shikoni shpirtin e Lulanit. Unë thjesht besoj fort në fuqinë e artit dhe duke besuar në fuqinë e artit besoj shumë edhe në pavdeksinë e artistit. Dhe mendoj që im atë, shpirti i tij ndodhet këtu bashkë me ju sot”, tha Ormira Lulani.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun kryeqytetas  për një javë, për të shtegtuar më pas në Shkodër e Mal  të Zi.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të ndalohen filmat shqiptarë të prodhuar gjatë periudhës komuniste?



×

Lajmi i fundit

John

Historia e Dovletit, djali në karrige me rrota që sfidon paaftësinë për të ecur: Nëse do të dalë një nuse vullnetare, pse jo! Aftësia jonë është mendja