Sot shënohet 90-vjetori i lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë shqipe dhe evropiane.
Dokumentet arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit tregojnë se, edhe pse Ismail Kadare nuk u prek drejtpërdrejt nga represioni i regjimit gjatë jetës së tij, madje u vlerësua nga autoritetet zyrtare, ai ishte nën vëzhgim nga strukturat e diktaturës.
Një prej këtyre dokumenteve i përket vitit 1977, periudhë kur u godit i ashtuquajturi “grup armik dhe antiparti” në art dhe kulturë, i kryesuar nga ish-ministri i Kulturës Fadil Paçrami.
Në kuadër të hetimeve, dëshmitë e prodhuara nën frikën për jetën, përfshijnë edhe emrin e Ismail Kadaresë, i cili përmendet si shkrimtar që, sipas gjuhës së kohës, kishte “trajtuar realitetin me sy kritik”, kishte shprehur mendime që kundërshtonin vijën zyrtare”dhe kishte prodhuar poezi e artikuj të konsideruar problematikë për ideologjinë."
Dokumenti me shënimin “Për Ismail Kadarenë: Të njoftohet Partia dhe materiali të ruhet”, është dëshmi e mekanizmit të frikës dhe interpretimit ideologjik të krijmatërisë letrare dhe mbajtjes nën vëzhgim të vazhdueshëm të individit.
Në këtë kuptim, dokumenti nuk ka prodhur ndëshkim por sipas filozofes Hannan Arhend, tw tilla dokumente e mbajnw individin në një gjendje pasigurie të përhershme, ç’ka s është një nga format më efikase të dominimit.
Në “Origjina e totalitarizmit”, Arendt shpjegon se regjimet totalitare nuk kanë nevojë të godasin të gjithë njëkohësisht; mjafton që të gjithë të jenë potencialisht të goditshëm.
Pikërisht kjo ndodh këtu: shkrimtari nuk dënohet, por regjistrohet, interpretohet, arkivohet dhe mbahet nën vëzhgim, një mënyrë për ta shndërruar lirinë krijuese në vetë-kontroll.
Transkipti i deklarimeve të Fadil Paçramit
“Unë kam pasur pikëpamje në kundërshtim me vijën e Partisë në çështjen e trajtimit të konflikteve në fushën e letërsisë, artit dhe kulturës. Konfliktet në gjirin e popullit i kam nxjerrë më të mprehta se ç’duhej, veprim ky që shpinte në zgjidhje të padrejta, në kundërshtim me vijën e Partisë për konfliktet në gjirin e popullit.
Me këto pikëpamje kam inkurajuar edhe krijues të tjerë për ta trajtuar çështjen e konflikteve në të njëjtën mënyrë. Biseda të tilla për këtë çështje kam zhvilluar me Ibrahim Uruçin, Kujtim Spahivoglin, Bardhyl Kosoven, Riza Hajrion, Qamil Buxhelin dhe Ismail Kadarenë.
Me këto pikëpamje kam shtrembëruar realitetin tonë, duke e trajtuar burokratizmin si një fenomen që ka marrë përmasa të gjera tek ne, aparatet dhe administratat tona krejt të burokratizuara dhe drejtuesit si burokratë. Duke vepruar në këtë mënyrë, hapa shteg që edhe krijues të tjerë si Qamil Buxheli, Fadil Paçrami, Ismail Kadareja, Fatos Arapi, Sulejman Mato, Viktor Gjika etj., të veprojnë në të njëjtën mënyrë.
Edhe në çështjet e folklorit kam mbajtur qëndrime që mohonin vlerat e folklorit dhe hapnin rrugë për shfaqje të huaja. Dua të theksoj këtu për pikëpamje të tilla një artikull të Ismail Kadaresë, që bënte fjalë kundër shfaqjeve të folklorizimit në disa shkrimtarë e poetë, si tek Kol Jakova në poemën “Kruja” etj., por që në fakt i bënte një goditje vetë folklorit.
Mua më pëlqeu ky artikull sepse ishte i përafërt me pikëpamjet e mia në drejtim të çështjes së folklorit dhe të luftës kundër folklorizmit, por që në fakt luftohej vetë folklori.
Një fenomen tjetër i dëmshëm në poezinë tonë ka qenë edhe krijimtaria që e shikon gjithçka me syrin kritik në realitetin shqiptar. Kjo lloj poezie në fakt mori karakterin e denigrimit të vetë jetës dhe të sistemit tonë. Këtu përfituan krijues që kishin qëllime jo të drejta, të cilët iu kundërvunë zhvillimit tonë.
Kjo tendencë është dukur në poezitë e Fadil Halitit dhe tek Ismail Kadareja, të cilat i kam inkurajuar dhe kam dhënë mendimin se janë të botueshme, sepse këto poezi, në forma dhe mënyra të ndryshme, i janë kundërvënë realitetit tonë.”/Marrë nga Autoriteti i Dosjeve
Komente












