/ATSH/-Ministria e Mbrojtjes ka nisur fushatën e dytë të rekrutimit aktiv për ushtarë detarë të FA me slloganin "Bëhu edhe ti pjesë e Forcave të Armatosura"
Përfaqësues të MM zhvilluan një takimi me nxënësit e gjimnazit "Ismail Qemalit" në kryeqytet, ku merrnin pjesë komandanti i Qendrës së Personel Rekrutimit, kolonel Leonard Çoku, specialistë të kësaj qendre, përfaqësues nga Qendra e Kulturës, Medias, Botimeve të Mbrojtjes, Muzeut dhe Shtëpive të Pushimit etj.
Kolonel Leonard Çoku i njohu gjimnazistët me mundësitë dhe përfitimet që ata do të kenë nëse i bashkohen radhëve të FA. "Puna është e fokusuar në fushatat promovuese me grupet e interesit, mbi mundësinë që ofrojnë FA për një karrierë dhe jetë të sigurtë për të rinjtë e të rejat që dëshirojnë të bëhen pjesë e jona. Anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në NATO, kalimi në një ushtri tërësisht profesioniste, ka krijuar hapësira dhe avantazhe për të gjithë shtetasit. Kjo i ka bërë FA të jenë më tërheqëse për të rinjtë e të rejat, për faktin se nëse rekrutohesh dhe bëhesh pjesë e FA, përftimet dhe mundësitë janë më të mëdha, pasi bëhet pajisja me një kontratë pune të rregullt dhe të sigurtë, përfitohet shërbim shëndetësor falas për vete dhe familjen, krijohet mundësi arsimimi dhe kualifikimi brenda e jashtë vendit pa pagesë, fitohen aftësi të reja profesionale, bëhet pajisja me vlerën e ushtarit profesionist, i cili përfiton të gjitha të drejtat që parashikon Statusi i Ushtarakut të Republikës së Shqipërisë", tha Çoku.