Sekretet e ish-presidentit të FIAT, Sergio Marchionne: Për të besuar tek përmirësimi duhet vizion dhe kurajo

Sekretet e ish-presidentit të FIAT, Sergio Marchionne: Për të besuar tek përmirësimi duhet vizion dhe kurajo

Sergio Marchionne

Pak ditë më parë u nda nga jeta një prej administratorëve më të zot të biznesit, suksesi i të cilit u shtri nga Evropa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me kompanitë FIAT dhe Chrysler. Aftësia e tij është gjerësisht e pranuar nga gjithë komuniteti i biznesit dhe ai akademik. Gjatë një fjalimi të mbajtur në universitetin italian LUISS, Sergio Marchionne ka treguar me pak fjalë “sekretet” e tij.   

Sa më poshtë vijon një pjesë e fjalimit, mbajtur më 27 gusht 2016.

“Një gjë që më kanë kërkuar të bëj sot është t’iu flas për aftësitë dhe cilësitë personale që një kompani shumëkombëshe si e jona pret nga ata që hyjnë për t’u bërë pjesë e organizatës sonë, nga një lider i shekullit të 21-të. Po filloj duke ndarë me ju përvojën time të asaj kohe kur kisha pak a shumë moshën tuaj. Kur unë fillova punë, besoja se duhej të imitoja shefin tim: njeri i ashpër, pa zemër, i përqendruar kokë e këmbë në punën e saktë dhe të shpejtë. Mendoja se kjo është mënyra për t’u bërë lider dhe kështu u solla edhe vetë për një farë kohe. Pastaj, një ditë, hyra në zyrën e shefit të burimeve njerëzore dhe i thashë se doja të bëhesha drejtor financiar. Më pa dhe më tha: “Nuk do të ndodhë kurrën e kurrës”.

Dhe më shpjegoi përse. Më tha se më mungonin cilësitë njerëzore për marrëdhëniet me njerëzit. Dola nga ajo zyrë praktikisht i shkatërruar. Deri atëhere mendoja se kisha bërë një punë të mirë. Ajo bisedë më bëri t’i shihja gjërat nga brenda. Nisa të bëj shumë pyetje, të pyesja veten se çfarë doja të bëhesha dhe se cili ishte shpirti im i vërtetë. Kuptova se isha sjellë në kundërshtim me natyrën time dhe ndjeva nevojën për të ndryshuar. Nisa të kuptoj se një sjellje e bazuar mbi urdhërat dhe kontrollin funksionon për pak kohë, pasi njerëzit e bëjnë vetëm prej frikës atë çka u kërkon. Por ky është një kufizim i jashtëzakonshëm lidhur me atë se për sa kohë do të të ndjekin dhe se sa mirë do ta bëjnë punën e tyre.
Tani nuk kërkoj të imitoj më njeri.

Mënyra se si jam sot është krejtësisht në koherencë me natyrën time dhe e ndjej veten mirë që bëj atë që bëj. Në të njejtën mënyrë, në ndërmarrjet tona nuk na interesojnë individualistët, njerëz që e mendojnë veten “superstar”. Epoka e njeriut të vetmuar që arrin suksesin duke i imponuar një organizate të tërë vullnetin e tij ka mbaruar një herë e mirë. Unë personalisht kaloj një muaj në vit duke vlerësuar njëmijë liderë dhe duke pëërcaktuar karrierën e tyre pasi besoj në rëndësinë e lidershipit në mënyrë rigoroze dhe fetare.
Vlerësimet e mia përqendrohen në dy cilësi, të cilat, sipas meje, janë thelbësore për një lider të suksesshëm. E para është cilësia për të realizuar një program ndryshimesh.

Siç e kam thënë më parë, ndryshimi është i pashmangshëm dhe ndodh me ritëm të përshpejtuar në kohën e globalizimit dhe të progresit të shpejtë teknologjik. Nuk mund të lejohet t’iu përmbahesh verbërisht mënyrave të vjetra të të bërit të gjërave, edhe pse mund të kenë funksionuar në të kaluarën. Megjithatë, sa herë që do të tentohet të kryhet një ndryshim i vërtetë, një kor cinikësh do t’iu thotë se ai nuk ka për të funksionuar ose se gjërat thjesht nuk mund të bëhen në atë mënyrë. Është i thjeshtë cinizmi. Në të kundërt, kërkohet vizion dhe kurajo për të besuar tek ndryshimi.

Ndaj dua që të kem përreth njerëz të cilët të jenë në gjendje për të qenë lider në një botë ku gjërat nuk janë të qarta, që të dinë të veprojnë mirë në një botë në ndryshim të vazhueshëm. Njerëz që mund të shohin gjërat se si mund të bëhen, në vend të asaj se si kanë qenë gjithmonë. Njerëz të gatshëm të rrezikojnë edhe zhgënjimin e dështimit. Njerëz që bëjnë pyetje dhe venë në diskutim tezat e vjetra. 

Trajta e dytë thelbësore e një lideri është aftësia e tij për të drejtuar njerëzit. Ua kujtoj vazhdimisht drejtuesve tanë se një nga detyrat e tyre themelore është që t’u japin drejtim dhe mbështetje bashkëpunëtorëve të tyre për t’i ndihmuar të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale dhe cilësitë njerëzore.

Në fund të fundit, vlera e vërtetë e një lideri nuk matet në bazë të asaj se çfarë ka arritur gjatë karrierës së tij, por më shumë mbi bazën e asaj se çfarë ka dhënë. Jo mbi atë që ka realizuar sot, por mbi trashëgiminë që le pas vetes. Një mësim që kam marrë gjatë karrierës sime është ai që në çdo organizatë janë njerëzit ata që vlejnë më shumë se proceset. Sidomos në një organizatë shumëkombëshe si e jona elementi më i rëndësishëm janë marrëdhëniet njerëzore, ato miliona marrëdhënie personale që duhet të ushqehen çdo ditë. 

Përveç përcaktimit të planeve të zhvillimit dhe zbatimit të strategjive, përparësia jonë e vërtetë qendron në një nivel shumë më njerëzor. Kjo do të thotë edhe që të njohësh impaktin që mund të kenë zgjedhjet tona mbi njerëzit tanë dhe mbi shoqërinë në tërësinë e saj. Do të thotë të pranosh tërësisht përgjegjësinë që është e lidhur me privilegjin që të drejtosh organizatën tonë. Besoj se ky është thelbi i lidershipit: të marrësh mbi vete detyrën morale të bësh diçka, të veprosh, të marrësh pjesë në procesin e ndërtimit të së ardhmes. Të pranosh përgjegjësinë tënde që t’u japësh brezave të ardhshëm shpresën e diçkaje më të mirë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës