Për të dy u tha njësoj: ‘Kështu njofton policia!’

Për të dy u tha njësoj: ‘Kështu njofton policia!’

Olsi Ibro dhe Pal Trashaj

Edhe sot, njëzet ditë pas mësuesit në Pllanë të Lezhës, policia njoftoi vdekjen e tjetrit me të njëjtin fjalor dhe indiferencë: ‘efektivët shkuan në vendngjarje’ dhe po mbajnë shënime.

Natyrisht, një fjalor si derë kasaforte: ‘kaq është’.

Trishtim i zi qe ai kur në çdo medie sot ia dha lajmi se ‘ai i akuzuari për skandalin në Micro Credit Albania dhe “Final”, vrau veten’. Olsi Ibro, një djalë i ri, simpatik, i dashuruar me veten, me një familje të bukur por të zhytur në epshin për të fituar para me çdo mënyrë…

Tanimë që i njohim këta karaktere themi ‘o zot mos na përball me ta’, as edhe në një ashensor mos qëlloftë!. Janë kaq të mirë e të ëmbël për familjet e tyre dhe në mbrëmje me birra; por në turre vrapin për para, lëkurën i marrin tjetrit.

Për administratën e shtetit zor të gjesh të rinj tw pa ‘vrapim’ drejt fitimit.

Ndoshta nuk është krejt faji i tyre; ndoshta brezi tjetër që po shkon nuk kishte çfarë i grabiste tjetrit, ose ndoshta shoqëria jonë është ende ‘foshnjarake’ në kapitalizëm.

Por a është mjaftueshëm arsye kjo për të të mos parë sytë?!

Askush nuk mund ta thotë. Djaloshi që sot i mori jetën vetes, as ai nuk qe në gjendje t’i japë përgjigje pyetjes, e prandaj zgjodhi rrugën njëmijë herë më të vështirë: U ngjit në majë të një kulle dhe u hodh.

Nuk mund të thuhet se i mori jetën sall vetes. Ndoshta qindra njerëz, nëse mijëra, mund të jenë ‘bërë me zemër’ ose mund të jenë duke pritur vdekjen, ose të paktën u është shkurtuar jeta nga tmerri që u ngjallën grabitjet me ‘microcreditë’- kjo monster e organizmave legale financiare të shpikura për t’u vënë litarin njerëzve që mund të kenë vetëm një shtëpi dhe asnjë lek në xhep.

760 mijë lekë ( të vjetra) u kishte borxh mësuesi nga Pllana e Lezhës, Pal Trashaj, vetëm 760 mijë. Sall për kaq lekë, pasi kishte paguar miliona, këta të Microcreditit i thanë ‘o shtëpinë, o jetën!’. Ai zgjodhi t’u japë të dytën; por kujt i duhej!?. Të dy sot janë njësoj, si Pali edhe Olsi; të dy pa asnjë kokërr leku në xhep dhe pa asnjë nevojë për të pasur lekë. Kjo ditë vjen në rrugë Biblike.

Edhe të pafajshëm- të dy njësoj, si shkaktari edhe viktima; ose njësoj si viktima edhe viktima. Pali nuk i ka më borxh Microcreditit sepse ‘bosi’ mori rrugë pa kthim për vete; siç edhe Olsi nuk i ka borxh Palit sepse as Pali nuk është më në jetë për shkak të vendimit që mori si kryq në varreza.

A e mbyllën me ‘tokën’ dhe u nisën për në Pafajësi, të dy?

As njëri, as tjetri, nuk i dihet nëse do të shkojnë në qiell duke kryer vetëvrasje? Secili prej tyre quhet ‘person i pa shpëtuar’, sipas Biblës. Problemi ynë, i shoqërisë sonë, është edhe më i gjerë se ‘ferri’ ose ‘parajsa’. ‘Kapitalisti’ si Olsi dhe ‘Shën’ Pali i Pllanës, ndodhen ballë përballë me njëri tjetrin. Shumica e individëve të shoqërisë sonë, këto tre dekada, janë vënë rrezikshëm njëra palë përballë tjetrës: Pjesa që grabit tjetrën dhe të dyja ‘në ferr’.

Shteti që i nxiti në këtë mëkat është për vete  palë nën akuzë; por palë që skërmit dhëmbët nga lart para viktimave: ‘E shikoni pse i ndërtova unë kullat e mia?!’

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që në Shqipëri të ndalohet përdorimi i euros për pagesa?



×

Lajmi i fundit

Donald Trump nuk gjen qetësi, pas atentatit kërcënohet me jetë së bashku me zëvendësin e tij

Donald Trump nuk gjen qetësi, pas atentatit kërcënohet me jetë së bashku me zëvendësin e tij