Të shtunën Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë sfidën e rëndësishme në Ligën e Kombeve kundër Skocisë që do të vendosë jo vetëm për fatet e grupit, por edhe për eliminatoret e Europianit. Pas Panucci-t që të hënën drejtoi gishtin kundër lojtarëve për rezultatet negative, sot për mediat kanë folur dy futbollistës Andi Lila dhe Berat Gjimshiti.
Lila ka qenë i të njëjtit mendim me trajnerin, duke deklaruar se skuadra nuk është e njëjtë me atë të Euro 2016-s. Për 32-vjeçarin kavajas problem thelbësor është nënvlerësimi i kundërshtarëve
Nuk ka skuadra të lehta dhe të forta. Do të kemi gjithmonë shpirtin luftarak dhe në ndeshje duhet të japim 200%. Kjo është e vetmja rrugë. Në qoftë se japim më të mirën, nuk do të kemi probleme. Nëse me skuadra më të vogla do të futemi me ndjenjë nënvlerësimi, gjithmonë kemi pasur probleme. Të jemi skuadër rivale siç kemi treguar më parë.
Andi Lila
Ndërkohë qendërmbrojtësi Berat Gjimshiti që në fundjavë realizoi golin e parë në “Seria A” kundër Interit, fillimisht pranoi se Kombëtares i mungon një lider si Cana, ndërsa më pas u shtoi:
“Ne duhet të shikojmë përpara, nuk duhet të shikojmë mbrapa. Futbolli ecën shpejt. Të gjithë duhet të japin kontribut që të jemi sa më të fortë dhe të bashkuar.”
Pas sfidës me Skocinë që do të luhet në “loro Boriçi”, Kombëtarja do të përballet në “Elbasan Arena” me Uellsin në një ndeshje miqësore.