Humbja kundër Kastriotit ka lënë një shije të keqe te Flamurtari, që në ndeshjen e nesërme të vlefshme për javën e 16 të Superligës do të synojë të ndërrojë faqe kundër Laçit. Përgjatë 90 minutave do të luftohet edhe për zonën europiane, pasi dy skuadrat ndajnë vendin e 5 dhe të 6.
Në prag të sfidës, trajneri i Flamurtarit Ilir Daja është shprehur: Do të luftojmë fort pasi përballë kemi një ekip që vjet ka qenë pjesëmarrës në Kupat e Europës, ndryshe nga ne. Në fazën e parë kemi humbur në fushën e tyre dhe janë +4 pikë nga ne.
I pyetur nëse te Flamurtari ka probleme financiare Daja përgjigjet: Gjatë gjithë karrieres time si trajner nuk kam folur asnjëherë për problemet financiare. As me futbollistët kurrë nuk e bëj një diskutim të tillë. Jam drejtues teknik dhe do bëja gabim nëse do të jepja detaje të kësaj natyre për të cilat nuk jam kompetent.
Ndërkohë, braziliani Elton Kale për ndeshjen me kurbinasit deklaron: Do të preferoja fitoren e skuadrës dhe jo golat e mi personal. Luajmë përpara tifozëve tanë dhe çdo rezultat që nuk na jep tre pikët nuk do të ishte mirë për ne.
Flamurtari-Laci luhet diten e diel në orën 17:00, me vlonjatët që do të kenë disa mungesa si Batha, Useini, Deliaj për shkak kartonash dhe dëmtimi. Ndërsa në dyshim janë Torasa dhe Alvesh, po për shkak dëmtimi.