Përbaltjet e Kutelit nga Ag Apolloni dhe biografi i rremë Tomi Mato

Përbaltjet e Kutelit nga Ag Apolloni dhe biografi i rremë Tomi Mato

Mitrush Kuteli

Fati i mbrapshtë, që i ra për hise Kutelit, në gjallje dhe në amshim, është unik dhe pa mëdyshje nga më tronditësit në historinë shqiptare. Në gjallje, siç e thonë arkivat, i provojë të gjitha, pushimin nga puna, burgimin, internimin, dënimin me punë detyruese, madje në Maliq, në motin e tmerrit 1948, Dhimitër Paskon, e varrosën së gjalli… Sistemi diktatorial, pasi kreu edhe këtë provë makabër dhe tejet çnjerëzore, në trupin dhe shpirtin e tij, e detyroi të përkthente, gati-gati ia ndërpreu aktin e krijimit, ndonëse emrin e mirë nuk ia fshiu dot. Dhe nuk mundej, që ta kryente këtë sakrilegj, për shumëçka. Për faktin kuptimplotë, se me prozën e tij, me kaq shumë lloje letrarë, ku përfshihen tregimi, novela, rrëfimi, rrëfenja, përralla, ritregimi dhe romani, me prozëshkrimin fantastik dhe magjik, së bashku me Koliqin e futën letërsinë shqipe në rrjedhat e lavrimit moderne.

Shkrimi i prozës prej Kutelit ka sendërtuar shkollën e prozës shqipe, si ndikim i rrokshëm në shumicën e autorëve të letërsisë bashkëkohore shqipe. Kuteli, ndërkaq çeli hullinë e lëvrimit të kritikës letrare, me libra në letrat shqipe. Fal përkujdesjes së Kutelit, po ashtu mundësohet botimi i poezive të Poradecit, Nolit, Emineskut. Bëmat e tij, të shumta dhe plot vlerë, në fushën e letërsisë, përkthimit, kritikës letrare, fitojnë një fuqi tjetër, në detyrën e mbrojtësit të flakët të monedhës shqiptare, në kohën e gjermanëve dhe të jugosllavëve, që na shpalosin fytyrën e intelektualit dhe të atdhetarit.

Pra, në distancë kohore, duket se Mitrushin e varrosën së gjalli, për shkak të vlerave intelektuale, kulturore dhe kreative, sepse ai nuk pajdisi dot, në asnjë pikë, me ideologjinë dhe sistemin komunist, e prandaj erdhën gjithë pasojat. Diktatura, krahas njeriut të ri, hapi shtigjet e krijimit të shkrimtarit të ri, të shkrimtarit shërbëtor ndaj ideologjisë së barazisë utopike, e tipin e Mitrush Kutelit, nuk kishte asnjë shans që ta përdorte. Fill pas momentit të varrimit për së gjalli, në fakt e vërteta duket si legjendë, nisi periudha e gjatë e heshtjes, me gjasë e vrasjes me heshtje. Nuk gjendet një rresht pozitiv për aktet e tij, si ekonomist dhe intelektual, nuk gjendet një fjalë vlerësuese për kontributet dhe vlerat e tij, në lëmë të letrave, me përjashtim të leximeve me kufizime ideore, të akademizmit zyrtar të realizmit socialist.

E të gjitha i mbajti mbi supe, pa hequr dorë nga letërsia, nga përkthimi, por edhe duke lënë një testament të pazakontë, për fëmijët e tij, që të mos merreshin kurrën e kurrës me letërsi… Kur nisin mbrapshtitë, thuhet më mirë hapi udhën. Ardhja e demokracisë, ashtu siç është kjo e jona, e brishtë dhe batalle, halleshumë, përpos të tjerash, sepse nga të gjitha anët ia kanë zënë shtigjet mendësitë, komuniste dhe antikomuniste, paragjykimet dhe psikologjia e përjashtimit, e luftës për jetë a vdekje, e konfliktualitetit deri në asgjësimin e të ndryshimit. Në fakt bashkë me risjelljen në panteonin e letrave shqipe të Kutelit, në zbulimin dhe vlerësimin e figurës dhe të krijimtarisë së tij, ndërkohë barti edhe raste letnimi, shpesh të shprehura nën zë, por ndonjëherë të shpallura edhe publikisht, gjë që na solli pranë sfondin e jetës së ndëshkuar në gjallje, por që në amshim në fakt është ca më e shëmtuar.

Denigrimi absurd i Kutelit në motet e demokracisë, ka njohur vijimin e mënyrave të hershme, të leximit biografik të veprës letrare, por njëherit ka evidentuar thellimin e betejës, me jetën e tij të vështirë, por sidomos me veprën e tij, njëherit tashmë ka njohur zgjerimin e hapësirave për të hedhur sërish baltë, ashtu si ditën kur e varrosën të gjallë, mbi aspekte të ndryshme dhe të shenjta, të jetës dhe letrares së endur prej tij. Hapja politike me botën, por edhe me shqiptarët e trojeve etnike dhe kudo në diasporë, bëri të mundur që vepra e Kutelit të rikthehej në duart e lexuesit, madje të hipotekohej si një shenjë moderne e lavrimit letrar të gjuhës shqipe. Po ashtu, gjatë kësaj kohe, brenda dhe jashtë Shqipërisë, janë shkruar shumë artikuj, si dhe me dhjetra libra studimor për krijimtarinë e larmishme të Kutelit, që kanë nxjerrë në dritë vlerat e shumëfishta letrare të krijimtarisë së larmishme të Dhimitër Paskos.

Ag Apolloni

Në këtë periudhë, krahas zbulimit, të përmasave të personalitetit dhe artit, në disa raste ka vijuar edhe denigrimi i figurës, e veçmas i veprës letrare. Kulmin e vetë, denigrues dhe kundërvënës, ndaj figurës dhe veprës letrare të Kutelit, e shpreh fakti, që vargjet e Poemit kosovar, në vitin 1998, përfshihen në dokumentet që janë dorëzuar në Gjykatën e Hagës nga ana e disa ekspertëve, në një përmbledhje të gjatë, në mes të tjerash, me këto të dhëna, ISBN: 960-86206-0-0 © 1998 by the International Helsinki Federation for Human Rights (IHF) All rights reserved, si një ndër arsyet për të argumentuar gjenocidin shqiptar kundër Serbisë dhe Malit të zi.

Tek ajo përmbledhje, me shumë faqe, mbi gjkendjen politike, etnike, fetare dhe shoqërore të Gadishullit të Ballkanit, ndër të tjera shkruhet: The Attack. - a poem by the most well known Albanian writer Mitrush Kuteli full of hate against the Serbs and Montenegrins where the word .shkjah. with a very pejorative meaning is used - was published in E.D. (4/8). Poemi kosovar, në kuptimin letrar dhe atdhetar, dihet dhe është pohuar, më së njëherë nga ana e studimeve letrare, se shënon emblemën e qenies shqiptare, që gjendej nën pushtimin njëshekullor, dhe prandaj gjithë vrulli shpirtëror dhe estetik, ka të bëjë me identifikimin e këtij fakti, pra të një klithme që buron nga konteksti i rrethanave të pushtimit të Dardanisë së hershme, prej sllavëve.

Në një kuptim Poemi kosovar, është shenjë e vetëdijes së trojeve dhe të vetë ekzistencës së kombit shqiptar, në këto rrethana të pushtimit bashkëkohor nga serbët. Fjala shkjah, ku edhe janë mbështetur hartuesit e këtij dokumenti, për ta përcaktuar si një rast të dëshmisë së pranisë së genocidit në këtë vepër, është termi i ligjërimit bisedor të gjuhës së popullit, i cili ka ardhur si rezultat i termit të përdorur nga serbët dhe malazeztë, shiftar, pra si një kundërvënie ligjërimi. Nga ana tjetër, vetëdija e çdo serbi, por mjerisht edhe e Akademisë së Shkencave, por edhe e mjediseve zyrtare, se “shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”, shpreh anën më të ashpër të ngarkesës negative, me tipar të qartë gjenocidi.

Fakti i novelës “E madhe është gjëma e mëkatit”, për të cilën autori, shkruan se është mbështetur vetëm në gojëdhënat e vendlindjes së tij, pra të Pogradecit, i paraqitur para disa kohësh në gazetën Milosao, nga një mësimdhënës i Prishtinës, me emrin letrar, Ag Apolloni, se paskërka ndikesa të dyfishta, edhe librore, me romanin Drakula të shkrimtarit irlandez, Braun Stoker, botuar në vitin 1847, si dhe orale, pra nga miti rumun mbi drakulën, e ndërlikon pak situatën e trajtimit dhe verifikimit të atij teksti, me romanin e Stokerit, gati të pangjashëm në tekstin e novelës, kryesisht në kuptimin e një hamendje, përgjithësisht po hipotekë përqasje, sepse:

- Si shenjë e padiskutueshme e shtrirjes dhe pranisë së mitit edhe në folklorin shqiptar, ashtu siç ka ngjarë në të gjithë hapësirën e gadishullit Iliriko - ballkanik.
- Si dëshmi e rishkrimit nga shkrimtari ynë, çka në fakt gati e pamundëson përputhjen e mitit, si mit i pastër rumun apo i përpunuar në romanin e Braun Stoker.
- Si detaj ndërlidhës, ku shpërfaqet elementi që lëviz nga njëri popull tek tjetri, nga njëri autor tek tjetri, nga arti gojor në atë të kultivuar, por edhe anasjelltas.
- Si lodrim qëllimor dhe funksional i autorit, natyrisht një lojë e dyfishtë dhe e dyzuar, që presupozon dhe fakton marrjen tek miti apo oralja, tek Bibla ose romani Drakula.

Së fundmi, letnimi i Kutelit, sidomos i jetës së tij, siç e morëm vesh këto ditë nga media, vjen nga një pogradecar, pra nga vendlindja e shkrimtarit, që nuk po i ndahen vuajtjet edhe në amshim, me emrin Tomi Mato, një libër i botuar në vitin 2012. Këtë libër, familja e Mitrushit, e ka hedhur në gjyq, për pohime dhe shtrembërime të shumta, të vëna në gojën e Kutelit, pra të shkruara në ligjëratë të drejtë. Një libër që është botuar kohë më parë, që është promovuar brenda dhe jashtë Shqipërisë, si tekst i një miku të Kutelit, madje që ka në faqen e parë edhe ISBN. Pra, tashmë ky libër mundej që të kishte konkurruar edhe pranë Ministrisë së Kulturës edhe për çmim letrar.

Nga zallamahia që ka kavërdisur aty, po përmend vetëm një fakt, shtrembërimin që i bën emrit të shkrimtarit, që përgjithësisht e quan Dhimitriut, por arrin deri aty sa në një dialog, shkruan: Ti je Dhimitër Paskua (Paskulesku) (2012: 316), Shtëpia Botuese, EDLORA. Pra, hapur dhe fshehurazi, në linjë individuale dhe zyrtare, sërish është vijuar që të hidhet baltë mbi figurën e Kutelit, me qëllimin e vetëm që të lihet në harresë vepra letrare, pjesa më e vyer që trashëgojmë prej tij. Hallakama e përbaltjes, këtyre viteve, nuk ka prekur vetëm Kutelin, por edhe Migjenin, Konicën, Camajn, Pipën, Trebeshinën, etj...

Në gjithë këtë rrëmujë baltosje, të disa prej penave të shquara të letrave shqipe, vetiu të vjen në mend shprehja e popullit, se rrufetë bien mbi malet e lartë, e vendosur këtu, sa për të ngushëlluar disi veten, për të vijuar lulëzimin e vetë korri i bretkosave të artit që i shërbeu diktaturës dhe realizmit socialist, edhe si një kontribut i munguar i albanologjisë së këtyre moteve.

Tomi Mato në një promovim të biografisë së Mitrush Kutelit

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja