Përcillet me nderim akademikja
e parë grua Andromaqi Gjergji

Përcillet me nderim akademikja<br />e parë grua Andromaqi Gjergji
TIRANE- “Ishte një grua dinjitoze, me plot kuptimin e fjalës që ia kushtoi jetën e vet gjithë pasurisë etnografike dhe veshjeve popullore shqiptare. Edhe tek ajo vetë gjeje veshje të kombinuara me motivet popullore”. Kështu e mban mend miku i saj studiues, Vaso Tole, figurën e etnologes së shquar, profesores dhe të parës akademike shqiptare, Andromaqi Gjergji.

Dje në ceremoninë e varrimit, që u organizua në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, pak kohë para ceremonisë, sekretari i këtij institucioni, Tole u shpreh se “Andromaqi jetën e pati relativisht të gjatë, por edhe punët ashtu i pati. Kanë mbetur falë kërkimeve të saj, punë të shumta të cilat kërkonin mund”. Kolegët e saj kujtojnë kërkimet e Andromaqi Gjergjit, e cila ndërroi jetë në mbremjen e 8 korrikut në moshën 87-vjeçare (20 maj 1928- 8 korrik 2015)..

“Ajo e njihte Shqipërinë me pëllëmbë në pikëpamje etnografike dhe të veshjeve, që i gjeti me rrënjë dhe i popullarizoi edhe në gjuhë të tjera jashtë vendit dhe falë saj mbeti veshja popullore shqiptare, një nga fushat më të njohura nga të huajt”, tha Tole. Gjatë ceremonisë, kryetari i ASHSH, Myzafer Korkuti, duke shprëhur ngushëllimet tha ndër të tjera se “Andromaqi Gjergji ishte e para grua anëtare e Akademisë së Shkencave dhe një studiuese e rrallë në fushën e veshjeve popullore shqiptare.

Me veprat studimore të saj, ajo i ka lënë vendit një pasuri të çmuar në fushën e etnologjisë shqiptare. Andromaqi Gjergji ka dhënë ndihmesë me vlerë edhe në fushën e muzeologjisë. Ndarja e saj nga jeta është një humbje e madhe njerëzore dhe shkencore. Por ajo na ka lënë pas një vepër të madhe me vlerë kombëtare e më gjerë.” 

Kolegët kanë përmendur se veprat e Andomaqi Gjergjit janë një numër studimesh që i kushtohen mënyrës së jetesës, kushteve materiale të jetës familjare e shoqërore, sidomos në fshat, duke trajtuar edhe disa mënyra të hershme mbijetese.

Një pjesë e studimeve të saj janë përmbledhur në vëllimin: “Mënyra e jetesës në shekujt XIII–XX” (Tiranë, 2002). A. Gjergji është bashkautore në veprat: “Histori e artit shqiptar” (1990), “Veshje Popullore Shqiptare - Albanian Popular Costumes” (vëll. I, 1999; vëll. III, 2005), “Albania a Patrimony of Europian Values” (2000), si dhe në tekstet mësimore: “Historia e artit shqiptar” (1990), “Veshje popullore” (1989) dhe “Ligjërata për etnologjinë shqiptare” (2001, ribotim 2005).

Duke marrë edhe njëherë çmimin e merituar nga kolegët për misionin dhe veprimtarinë shkencore të saj, dje në orën 14.00, Andromaqi Gjergji është përcjellë me lule dhe nderime nga nga dera e Akademisë së Shkencave për në banesën e fundit. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë/ Numërohen katër kutitë e para, Tavo me epërsi ndaj Gjikurias! 11 vota të pavlefshme

Zgjedhjet në Himarë/ Numërohen katër kutitë e para, Tavo me epërsi ndaj Gjikurias! 11 vota të pavlefshme