ITALI - Pietro Puzone rrezikoi të vdiste edhe një herë. Miku më i mirë i Maradonës te Napoli, kampion i Italisë me skuadrën napolitane në vitin 1987, prej disa ditësh ndodhej i shtrirë në një stol në Acerra. Makthi i varësisë nga alkooli është rikthyer, ish-futbollisti ishte në gjendje kritike, me plagë të thella në këmbë dhe në krahë.
Për ta ndihmuar, aktivisti mjedisor Alessandro Cannavacciuolo kishte bërë një thirrje në rrjetet sociale dhe postimi u bë viral brenda pak orësh. Falë ndërhyrjes së ekipit të urgjencës 118, të aktivizuar nga kryetari i bashkisë D’Errico dhe punonjësit socialë, Pietro arriti të shpëtonte.
"Aktualisht është i shtruar në Klinikën Villa dei Fiori për trajtimin dhe ekzaminimet e nevojshme - tha Cannavacciuolo. - Situata ishte vërtet e rëndë. Prej ditësh ishte i shtrirë në një stol nën diellin përvëlues dhe vazhdonte të pinte. Nuk e di edhe sa kohë do të mund të përballonte. Ndërkohë, kemi nisur edhe procedurat ligjore dhe sociale-shëndetësore për t’i garantuar Pietros një rrugë të sigurt rikuperimi.”
Puzone u rrit në ekipet e të rinjve të Napolit dhe debutoi në Serinë A në vitin 1982 kundër Cesenas. Me Napolin fitoi një titull kampion dhe një Kupë Italie në vitin 1987, duke ndarë, për pak kohë, fushën me Maradonën.
“Ai ishte futbollisti më i mirë në botë, ndërsa unë isha një i ri që mendoja vetëm të argëtohesha, kishte treguar disa muaj më parë ai. - Nuk dita ta menaxhoja talentin tim, i humba të gjitha mundësitë. Gjithmonë isha jashtë natën me Diegon.”
Ish-anësori i djathtë, i lindur në vitin 1963, luajti 9 ndeshje me Napolin. Gjatë karrierës së tij veshi edhe fanellat e Catanias, Spezias dhe Ischias.
“Jeta më dërgoi llogarinë, - kishte pranuar ai. - Kam kaluar vite përtej çdo kufiri. Popullariteti i tepërt, paratë e fituara lehtë, veset. Unë dhe Diego shkonim nëpër lokale dhe argëtoheshim. Me të e dije në ç’orë dilje nga shtëpia, por jo kur do të ktheheshe.”
Ishte pikërisht Puzone ai që organizoi ndeshjen e famshme në baltë në Acerra, të zhvilluar në dimrin e vitit 1985, për të mbledhur fonde dhe për të ndihmuar një fëmijë të lindur me një keqformim të rëndë në buzë.

Puzone, Maradona dhe pesë fëmijë. pamje nga videoja e ndeshjes miqësore
Pas tërheqjes nga futbolli, ish-futbollisti 'ra në humnerë' për shkak të varësisë nga alkooli, ai përfundoi duke jetuar si endacak. Jetonte mbi një stol. Të njëjtin stol ku u kthye të shtrihej disa ditë më parë.
Në të kaluarën kishte kaluar një shtrim të gjatë në spital dhe kishte nisur një proces trajtimi. Kishte arritur të dilte nga kjo situatë, pjesërisht edhe falë Maradonës.
“Para se të na linte, Diego më tha një fjali që më vjen në mendje çdo moment: ‘Pietro, duhet të shpëtosh veten’. Nëse jam këtu sot, është edhe falë tij”, kishte thënë disa muaj më parë.
Këtë herë, për ta shpëtuar, ishte e nevojshme ndërhyrja e bashkëqytetarëve të tij.









Komente
Komento