Sali Berisha po injoron thirrjet e protestuesve mbi emrin e tij, por kërkesat mbi një klasë të re politike duket se po i imponojnë atij lëvizje për të treguar përpjekje për ripërtëritje të Partisë Demokratike.

Sinjalin e parë e dha me Kryetaren e Këshillit Kombëtar të PD, që ndonëse pa ndonjë peshë të rëndësishme vendimmarrëse, iu besua Juliana Emirit.  Një figurë jo shumë e njohur politikisht, por pjesëmarrëse aktive në protestat e PD.  Së fundmi, edhe në ato të 32 ditëve të kaluara në shesh para Kryeministrisë.

Me emra të rinj është ‘pasuruar’ edhe kryesia e re e PD.  Me votat e anëtarëve të Këshillit Kombëtar, numërimi i të cilave zgjati deri në orën 4 e 30 të mëngjesit të së enjtes, u zgjodhën 20 anëtarët e rinj që i bashkëngjiten emrave Ex-officio në kryesi.

Më të votuarit prej tyre nga radhët e grave janë emra si Ilda Zhulali apo Edit Harxhi, anëtare aktuale të kryesisë. Ndër 3 gratë më të votuara futet për herë të parë në kryesi Eda Grimçi, kryetare e degës 9 të Tiranës.

Mes 6 të rinjve që futen në kryesi spikat emri i Andia Ullirit të resë që u bë e njohur si deputetja më e vogël e parlamentit në legjislaturën e shkuar si dhe një prej më të votuarave në zgjedhjet e 11 majit. Ajo nuk arriti të kishte një vend në parlament, por tashmë do të ketë vendin e saj si e zgjedhur në kryesinë blu.

Po ashtu nga radhët e të rinjve, si më i votuari futet në kryesi djali i ish deputetit të ndjerë të PD Sokol Olldashit, Glauk Olldashi.

Kryesisë i bashkohen për herë të parë Ilir Alimehmeti dhe Fisnik Qosja, ky i fundit ndër të paktët fitues të PD në zgjedhjet vendore e që drejton prej 2023-shit Bashkinë e Kavajës, ndërsa rikonfirmohet anëtar kryesie si më i votuari mes burrave Grigels Muçollari.

Në kryesi futet edhe deputeti Gjin Gjoni, por me votë të anëtarëve të Këshillit lihen jashtë 5 deputetë që ishin kandidatë Arjan Ndoja, Edi Paloka, Gent Strazimiri, Luan Baçi dhe Fidel Kreka.

20-tëshja e re zëvendëson emra si Belind Këlliçi, Aldo Bumçi apo Jozefina Topalli.

Por përbërja finale e kryesisë së re do të mësohet pas disa ditësh kur Berisha të zëvendësoje edhe Sekretariatet dhe nënkryetarët si dhe të plotësojë kuotat e diasporës.  

Aty do të jetë ndoshta testi më i rëndësishëm i kreut të PD, nëse do të vijojë të bashkëdrejtojë PD-në me të njëjtat figura apo kupola drejtuese do të pësojë ndryshime.

Ai moment do të përmbyllë edhe gjithë procesin zgjedhor në PD, që nisi me votimin pa garë dhe me kandidatë të vetëm për kryetar Sali Berishën që në shkelje të statutit dhe duke lënë jashtë çdo rival u rizgjodh në krye të PD më 23 maj.

Më pas pritet në mungesë të sheshit, të zënë nga protestat qytetare prej më shumë se një muaji, PD të përqendrojë energjitë në përgatitjen për zgjedhjet vendore të 2027.

Lista e grave fituese për Kryesinë e PD
1-Eda Grimçi 177 vota
2-Edith Harxhi 151 vota
3-Floriana Garo 114 vota
4-Lili Sula 124 vota
5-Ilda Zhulali 211 vota
6-Mimoza Hajdarmataj 132 vota

 

Lista e të rinjve fitues për kryesinë e PD
1-Andia Ulliri 159 vota
2-Desata Xhetani 64 vota
3-Fatjon Bathorja 86 vota
4-Glauk Olldashi 119 vota
5-Loranca Hoxha 83 vota
6-Nikola Kedhi 88 vota

 

Lista e burrave fitues për Kryesinë e PD
1-Atird Hoxha 124 vota
2-Dorian Teliti 132 vota
3-Ervin Minarolli 167 vota
4-Fisnik Qosja 158 vota
5-Gjin Gjoni 150 vota
6-Grigels Muçollari 171 vota
7-Ilir Alimehmeti 122 vota
8- Keltis Kruja 115 vota

 

Lista e anëtarëve që largohen
Aldo Bumçi
Bardh Spahia
Belind Këlliçi
Florion Mima
Gent Strazimiri
Luan Baçi

 

Lista e anëtareve që largohen
Eleina Qirici
Fatbardha Kadiu
Jozefina Topalli
Sorina Koti