Brenda muajit Maj pritet të hapet terminali i ri i Sarandës, i cili gjendet në Qafë Gjashtë. Terminali do të vendoset në një godine trekatëshe, me sipërfaqe mbi 11,000 m² në hyrje të qytetit.
Ky do të jetë stacioni i vetëm i të gjithë autobusëve që lidhin qytetin bregdetar me Tiranën dhe qytetet e tjera të vendit.
Operatorët turistike thane se tashme nevojitet dhe një linje direkte urbani që transporton qytetarët nga terminali në qendër të qytetit.
“Bashkia të sigurojë linja urbane që lidhin qytetin me terminalin, si dhe vendosjen e semaforëve në hyrje për të rritur sigurinë në qarkullim”, tha Dhimitër Barzuka.
Qytetarët thonë se pa këtë shërbim, terminali nuk do të funksionojë në kapacitetin e plotë.
Edhe përfaqësuesit e taksive e vlerësojnë investimin, duke e konsideruar një hap të vonuar, por të domosdoshëm për zhvillimin e qytetit dhe turizmit.
“Prej 20-30 vitesh Saranda ka qenë pa terminal. Ky investim është në të mirë të qytetit dhe turizmit, por duhen rregulluar edhe elementët e funksionimit”, thotë Arben Abazi.
Terminali i ri i autobusëve në Sarandë është një investim prej mbi 573 milionë lekësh i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe BERZH.
Komente










