Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur përhapjen e Ebolës në provincën lindore Ituri të Republikës Demokratike të Kongos si një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar.
Agjencia shtoi se shpërthimi, me rreth 246 raste të dyshuara dhe 80 vdekje të raportuara, nuk plotëson kriteret për një emergjencë pandemike.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi se aktualisht ka “pasiguri të konsiderueshme për numrin real të personave të infektuar dhe për përhapjen gjeografike” të shpërthimit. Sipas agjencisë shëndetësore, shtami aktual i Ebolës shkaktohet nga virusi Bundibugyo, për të cilin nuk ka ilaçe apo vaksina të miratuara.
OBSH tha se aktualisht ka tetë raste të konfirmuara në laborator, si dhe raste të tjera të dyshuara dhe vdekje në tre zona shëndetësore, përfshirë Bunian, kryeqytetin e provincës Ituri, dhe qytetet minerare të arit Mongwalu dhe Rwampara.
Agjencia globale shtoi se virusi është përhapur edhe përtej Kongos, me dy raste të konfirmuara në Ugandën fqinje. Autoritetet ugandeze thanë se një burrë 59-vjeçar që vdiq të enjten kishte rezultuar pozitiv.
Vendet që kufizohen me Republikën Demokratike të Kongos konsiderohen me rrezik të lartë për përhapje të mëtejshme për shkak të lëvizjes së popullsisë, tregtisë dhe udhëtimeve.
OBSH rekomandoi që Kongo dhe Uganda të krijojnë qendra emergjente operacionale për të monitoruar, gjurmuar dhe zbatuar masa për parandalimin e infeksionit.
Për të minimizuar përhapjen, agjencia shëndetësore tha se rastet e konfirmuara duhet të izolohen menjëherë dhe të trajtohen derisa dy teste specifike për virusin Bundibugyo, të kryera me të paktën 48 orë diferencë, të rezultojnë negative. Për vendet kufitare me zonat e prekura, qeveritë duhet të forcojnë mbikëqyrjen dhe raportimin shëndetësor.
OBSH shtoi se vendet jashtë rajonit të prekur nuk duhet të mbyllin kufijtë ose të kufizojnë udhëtimet dhe tregtinë, pasi “masa të tilla zakonisht merren nga frika dhe nuk kanë bazë shkencore”.
Ebola u zbulua për herë të parë në vitin 1976 në atë që sot është Republika Demokratike e Kongos dhe mendohet se është përhapur nga lakuriqët e natës. Ky është shpërthimi i 17-të i kësaj sëmundjeje virale në vend.
Ajo përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore dhe përmes lëkurës së dëmtuar, duke shkaktuar gjakderdhje të rëndë dhe dështim të organeve. Simptomat e hershme përfshijnë temperaturë, dhimbje muskujsh, lodhje, dhimbje koke dhe dhimbje fyti, të cilat pasohet nga të vjella, diarre, skuqje dhe gjakderdhje. Nuk ka kurë për Ebolën, ndërsa shkalla mesatare e vdekshmërisë është rreth 50%, sipas OBSH-së.
Qendra Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC) më herët tha se ishte e shqetësuar për rrezikun e lartë të përhapjes për shkak të mjediseve urbane të Rwampara dhe Bunia, si dhe aktiviteteve minerare në Mongwalu.
Drejtori ekzekutiv i agjencisë, Dr. Jean Kaseya, shtoi se “lëvizja e konsiderueshme e popullsisë” midis zonave të prekura dhe vendeve fqinje e bënte koordinimin rajonal thelbësor.
Rreth 15,000 njerëz kanë vdekur nga virusi në vendet afrikane gjatë 50 viteve të fundit. Shpërthimi më vdekjeprurës në DR Kongo ishte midis viteve 2018 dhe 2020, kur humbën jetën gati 2,300 persona.
Vitin e kaluar, 45 persona vdiqën pas një shpërthimi në një rajon të largët./BBC
Komente







