VLORE - Reshjet e dendura të shiut çdo vit janë shoqëruar me përmbytje në zonat periferike të qytetit të Vlorës. Situata më kritike është në fshatrat e komunës së Novoselës, teksa si pasojë e fryrjes së shtratit të lumit Vjosa, uji vërshon në tokat e fermerëve.

Mesa duket kjo situatë pritet të përsëritet edhe këtë vit, teksa sipas nënkryetarit të komunës së Novoselës, Minella Hyso, nuk janë marra masa për parandalimin e përmbytjeve. Ai shton se bordi i kullimit ka lëvruar fonde për argjinaturat, por për arsye që ende nuk dihen këto fonde nuk kanë shërbyer për investime.

“Masat për kullimin në Komunën e Novoselës nuk janë marrë, gjendja është e njëjtë me atë të viteve të kaluara. Problemi kryesor është thellimi i kanaleve kulluese, pasi mungesa e këtij pastrimi ka bërë që shumë parcela të mbyten, si dhe nga shirat që presin të vijnë tani. Ky problem është ngritur disa herë edhe pranë ministrisë dhe Drejtorisë së Bordit Kullimit të Vlorës, deri më tani nuk është marrë asnjë masë.” shprehet Hysa 

Demët e shkaktuara nga përmbytjet në vitet paraardhesë kanë qënë të konsiderushme.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)