Marrëdhëniet e hapura me SHBA-në e 'detyruan' kreun e Partisë Demokratike, që të përjashtojë Sali Berishën nga grupi parlamentar. Kështu ka deklaruar nënkryetari i PD, Ervin Salianji, në një intervistë për emisionin '5 Pyetjet nga Babaramo' në Report Tv, i cili thotë se pyetja thelbësore që duhet të ngrihet ndërmjet demokratëve është se 'A duhet të mbajë PD marrëdhënie me SHBA apo jo?'. Salianji tha se ky vendim i Bashës është në interes të demokratëve dhe se nuk kishte zgjidhje tjetër. Deputeti demokrat theksoi se përgjegjësitë bien direkte mbi kryetarin e partisë, për shkak se ai ka informacion më shumë në lidhje me shpalljen 'non grata' të Berishës nga SHBA. Salianji nënvizoi se demokratët duhet të krijojnë rrugë të përbashkëta komunikimi që të çojnë PD në fitore, dhe në këtë mënyrë shmangen edhe përçarjet mes tyre.
'Nuk kishte një shmangie në atë që është thënë nga kryetari i partisë. Ka qenë një përpjekje e gjatë për të pasur një zgjidhje ndryshe, por në pamundësi për të pasur një zgjidhje tjetër i lë rrugën hapur SHBA. Është në vendim që është në interes të drejtpërdrejtë të demokratëve. Sali Berisha ka kontribut të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë dhe është një lider historik dhe për përmasat e tij do të diskutohet e më pas, por vendimmarrja ka qenë në interes të PD-së dhe nuk kishte zgjidhje tjetër.
Jemi para kësaj situate që është e padashur dhe e padëshiruar. Nuk më duket një vendimmarrje e Lulzim Bashës, nuk do ta merrte nëse nuk do të ishte i detyruar. Një vendimmarrje tjetër do sillte më shumë problematika. Interesin që duhet të udhëheqë cilido lider duhet të jetë interesi i demokratëve. Përgjegjësitë bien mbi kryetarin e partisë, për shkak se ai ka informacion më shumë. Thelbi është se ambasadorja e SHBA-së ka mbajt qëndrim të drejtpërdrejtë tek shkallët e PD-së.
I padëshiruar nga ne, i dhimbshëm, por marrëdhënia me SHBA është interes primar i demokratëve. Duke pasur këtë hapësirë, padiskutim që elementë të tjerë mund të diskutohen. Pyetja themelore është a duhet të kemi në marrëdhënie me SHBA-në apo jo? Përçarja shmanget duke diskutuar dhe duke zgjedhur rrugën e duhur. Kemi diskutuar se diskutimi duhet të bëhet në mënyrë të qetë, të qartë pa populizma. Nuk do të bëj betejë në këtë çështje, por duhet të shërbejmë si ura komunikimi që demokratët të vijnë sa më parë në pushtet.'- tha Salianji.
Salianji nuk ka lënë pa sulmuar edhe figura më një karrierë shumë të gjatë në Partinë Demokratike, siç ka qenë ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ku tha se ajo ka dalë hapur kundër PD-së dhe tani bën sikur i dhimbset partia.
'Në mënyrë të paciptë, dalin kryetarët e disa partive të tjera e flasin për PD sikur u dhimbset PD-ja. Kjo pastaj është me ta... Nuk di ku ta kapësh! Ka krijuar parti më vete, e del ajo e flet për PD, se i dhimbset, ku nuk mori dot as 3000 vota në gjithë Shqipërinë. (Po flet për Topallin?) Po, patjetër! I le i le PD e i fry, këta ikin, të dalin kundër e dalin sikur u dhimbset PD dhe janë shumë!'- tha Salianji.
Mortja pd.fshatari imaliqit u jep mend shqiptareve.
Përgjigju