Një skandal, e cilëson avokati Fran Dashi përjashtimin e Ervin Salianjit nga Partia Demokratike. Gjatë një diskutimi në ‘Studio Live’ në Report Tv, ai thotë se kjo do ta mbysë PD dhe do të vazhdojë rrugëtimi i saj duke qenë thjesht opozitë.
Propozimi i Partisë Demokratike për listat e hapura proporcionale, nismë për të cilën ka shprehur mbështetje edhe partia “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt, shihet si një moment transformimi për Kuvendin, si nga Dashi, ashtu edhe nga anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Ilirjana Kuçana.
“Nëse PD do të zgjerohet, i ka të gjitha shanset primare për të ecur përpara. Unë e kam lexuar me vëmendje vendimin për Salianjin, një vendim absurd. Pas Azem Hajdarit, në PD, heroi i gjallë ngelet Ervin Salianji dhe të përjashtohet sot Ervin Salianji, një nga aktivistët më të shquar të PD, është një skandal dhe PD mbyt veten! Nëse Salianji nuk do të lejohet të konkurrojë, e ka partinë gati se pa parti nuk do të rrijë, do të marrë votat e PD dhe PD do të vazhdojë të jetë në opozitë. Nëse do të votohet me lista të hapura në proporcional, do të jetë një shans dhe do të jenë më të votuarit dhe të besuarit se do t’i zgjedhë populli. Nëse opozita dhe mazhoranca do të bien dakord që të jetë me lista të hapura, do të jetë faqe e re në parlamentarizmin e ri”, tha Dashi.
Ndërsa për Kuçanën, listat e hapura do të ngrenë nivelin e parlamentit.
“Lajm i mirë. Partitë opozitare janë bashkuar drejt një fronti të gjerë opozitar. Në vijim do të bëhen me dije edhe detajet. Mendoj që në parlament duhet të shkojnë ata që fitojnë besimin dhe zemrat e qytetarëve. Unë mendoj që duke bërë lista të hapura, ne do të ngremë nivelin e parlamentit”, komentoi ajo.
Komente











