Të shtunën në PD do të zhvillohet procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri. Ndonëse Berisha është i vetëm në këtë garë dhe pa rival, ai thotë se zgjedhjet e 23 majit janë demokratike pasi anëtarësia është thirrur për të shprehur vullnetin me votë. Në konferencën për mediat nga selia blu, Berisha foli për një proces transparent, duke thënë se PD është ndër të paktat parti në Europë dhe në botë që kryetarin e zgjedh me parimin një anëtar-një votë.
“Me datën 23, anëtarët e PD janë të ftuar në një proces ‘një anëtar-një votë’ të shprehin votëbesimin e tyre për Sali Berishën. Dhe me këtë mbyllet në votimin më transparent procesi i zgjedhjes së kryetarit të PD. Ky proces, duhet të sqaroj, i cili u përfol nga ligësitë në mënyrën më të papërmbajtur, shënon formën më demokratike, procesin më demokratik të zgjedhjes së një lideri partie. Por, natyrisht prania e kandidatëve është diçka shumë e mirëpritur në këtë proces. Por e vërteta është se në 75 përqind të rasteve kur në garë është kryetari, për fat jo të mirë, të tjerët nuk hyjnë në garë.
Shumica e partive politike në botë nuk e zgjedhin me ‘një anëtar-një votë’ kryetarin, e zgjedhin me forume, e zgjedhin gjer me aklamacion, me duartrokitje dhe merret si ekuivalent vote. Ne e zgjedhim me praktikën ‘një anëtar-një votë’. PS e ka në statut ‘një anëtar-një votë’, por nga viti 2009 gjer tani, asnjë anëtar i PS apo i rilindjes mafioze nuk është thirrur, nuk ka pasur mundësi, nuk është lejuar të votojë për Kreun e Meduzës”, tha Berisha.
Lajmi kryesor:
U përjashtua nga gara/ Salianji ankohet në PPE: Berisha ka mbyllur partinë, të mbajë përgjegjësi për humbjet! Kreu i PD: Letrën ia shkroi zyra e Ramës










