Kostandin Pula, ish kandidat për kryeatar të FRPD në Kurbin, ka zbuluar se ai u përjashtua nga gara për shkak se ishte 31 vjeç, ndërkohë që Besart Xhaferri është zgjedhur kryetar i FRPD, duke qenë 32.7 vjeç. 

"Jam një nga njerëzit afër forumit. Para 6-7 vitesh kandidova vetë për kryetar të forumit në Kurbin. Jam hequr nga gara 12 orë para, me vendim kryesie, sepse isha 31 vjeç.

Formalisht mu tha se ishin tre vajza në garë dhe unë. Unë isha më i madhi. Më thanë po të largojmë për shkak të moshës.

Procesi zgjedhor edhe atëherë edhe ky proces ka qenë me komandim dhe urdhër nga lart. Jam dëshmitar personalisht. Belindi do të manipulojë, e kam thënë përpara.

E njoh shumë mirë forumin rinor edhe nga brenda dhe kam ndejtur shumë afër forumit rinor. Në Kurbin kam bërë 1 mijë anëtarësime. Unë kam parë me sytë e mi që kanë futur dorën. Më përjashtuan nga gara se isha 31 vjeç.  Jam larguar me vendim të kryesisë së FRPD. E ka organizuar kryesia garën në atë kohë", deklaroi Pula në një emsion televiziv.

Denoncimet për zgjedhjet në FRPD ishin të shumta. I sapo-zgjedhuri në krye të forumit Rinor të PD, Besart Xhaferi mund të mos e mbyllë mandatin e tij në krye të të rinjve demokratë. Sipas statutit të vetë PD, në forumin rinor bëhen pjesë të rinjtë nga 15-35 vjeç. Xhaferi është 32 vjeç dhe në përfundim të mandatit 4 vjeçar ai do të ishte 36 vjeç, pra do ta ushtronte mandatin në shkelje të statutit.

Ndërkohë, në rrjetet sociale menjëherë pasi Xhaferi u shpall fitues kanë nisur denoncimet për parregullsi në procesin zgjedhor.  Në rrjetet sociale qarkullojnë disa foto, ku duket se 1 votues ka votuar më shumë se një herë, ka votues që nuk janë anëtarë sipas statutit etj.