Përmbledhja 'Shiu i fytyrës time' i Visar Zhitit vlerësohet me çmim në Panairin e Librit në Beograd

Përmbledhja 'Shiu i fytyrës time' i Visar Zhitit vlerësohet me çmim në Panairin e Librit në Beograd

Momenti kur Visar Zhiti merr çmimin në Serbi

Në Panairin e Librit në Beograd, ndër më të mëdhenjtë në Europë, i cili vazhdon të jetë i hapur, u bë dhe përurimi i librit me poezi të poetit dhe shkrimtarit tonë, Visar Zhiti, i porsa dalë në gjuhën serbe, “Kisha mog lica” (“Shiu i fytyrës time”) si dhe takimi i autorit me lexuesin, gazetare dhe shkrimtarë serbë e të huaj në këtë panair,  organizuar nga shtëpia botuese “Alma”.

Poezia e Visar Zhiti është jashtzakonshme, - tha në çelje të diskutimit  presidenti i “Alma”-s, Dr. Gjore Otasheviç, - e sjellë po kështu dhe në përkthimin mjeshtëror të Smajl Smakës. Visar Zhiti shkruan ashtu siç jeton, - tha ndër të tjera drejtuesi i kolanës së botimeve “Shkrimtarë nga Europa”, akademik Milutin Gjuriçkoviç, redaktor dhe autori i parathënies së përmbledhje “Shiu i fytyrës time”. Pastaj ai foli për vlerat e poezisë së Zhitit, e përkthyer në shumë gjuhë si dhe për vlerat e jetës së Visarit, ish i burgosur politik, deputet dhe ministër kulture, etj. Në takim u lexua dhe fjala e studiuesit, kritkut dhe poetit nga Kosova, Prof. Agim Vinca, e cili e shikonte poezinë e Zhiti si dëshminë e një ecjeje të një uni kolektiv.

Pasi u recituan poezi nga libri, madje dhe nga ato me temë për Kosovën, Visar Zhiti, i ftuar nga Tirana posaçërisht për këtë veprimtari, pasi falenderoi, për botimin dinjitoz të librit të tij dhe organizatorët e takimit, tha se vinte për herë të parë në Beograd, erdhi “me druajtje, me kërshëri dhe gëzimin e shkrimtarit për raste të tilla. Kufiri me ju ka qenë i ndaluar, - vazhdoi Zhiti, - gjatë diktaturës, marrëdhëniet në shekuj kanë tipike ballkanike, me drama, - dhe kujtoi se -  ne në burgun e dikurshëm kishim të dënuar që ishin arratisur në Jugosllavinë e dikurshme dhe, sipas një marrëveshje të fshehtë, ata i kthenin, ku i dënonin rëndë… Tani kam ardhur unë me poezi, gjej një metropol culture dhe ky takim është dhe metaforë e bukur, bashkohen poezi nga Tirana, me përkthyes nga Kosova dhe botues nga Beogradi, të shikojmë së bashku përpara,” - përfundoi fjalën e tij Zhiti për të cilën u duartrokit dhe u vlerësua.

Shoqata e poetëve dhe përkthyesve nga Mali i Zi i dha Visar Zhitit në këtë takim çmimin e saj të vaçantë për librin në serbisht “Shiu i fytyrës time”. Takimi, ku kishte dhe kamera të televizonit beograda, u mbyll me një koktejl miqësor.

Më pas dhe një shëtitje në rrugën historike “Shkodra”, që vendasit e quajnë “Skadarlije”, plot me turistë dhe rini dhe hare mbrëmjesore. Edhe libri i Visarit me një poezi për këtë rrugë hapet, ku kishte shëtitur dhe i biri i tij dhe poezia shoqërohet me një skicë nga piktori shqiptar Gjergj Kola. Poezia na bashkon më mirë se shumëçka, ajo është culture, dashuri, por dhe e dëshmi e së vërtetës dhe drejtësi. 

Sipas “Lajmëtari i së mirës”

DITARI I ZHITIT, ORUELLIAN DHE KAFKIAN
(Parathenia e librit “Shiu i fytyrës time”)

Nga Dr.Milutin Gjuriçkoviç          

“Forcë e madhe është te njeriu, që di  të hesht  edhe kur ka të drejtë” Lev Tolstoj

Si rrallëkush nga poetët bashkëkohorë shqiptar me arsye, natytisht ka përjetuar reputacion të tillë ndërkombëtar  , siç është rasti me Visar Zhitin , poetin , prozatorin e njohur, shkrimtarin, eseistin,përkthyesin, dhe me disidentin politik, i cili krejtësisht i pafajshëm është dënuar dhe është burgosur nëpër kazamatët dhjetë vite të  plota. Pas daljes nga burgu, ai  ka pasur përkrahjen e shumë intelektualëve, të shkrimtarëve e të personaliteteve publike. nga e gjithë bota, filluar që nga Umberto Eco, Sebastiano Grasso, Kevin HIgins, Robert  Elsi, madje edhe nga Filip Davidi ynë.Opusi i tij letrar është shumështresor dhe në aspektin  zhanror i  llojllojshëm .Pothuaj me sukses të njejtë shprehet dhe dëshmohet  në poezi, tregim, roman, ese, publicistikë dhe në përkthim. Është përkthyer në shumë gjuhë të huaja dhe është fitues i një sërë çmimesh në vendin e vet dhe botën e jashtme.

Para nesh  është përzgjedhja komplekse e poezisë se Visar Zhitit që nga përmbledhja e parë deri tek libri i fundit poetik, që dëshmon në masë të mjaftueshme harkun  zhvillimor poetik .metamorfozat krijimtare, ndikimet, gërsheti-met lirike  dhe mëvetësinë , autenticitetin e shprehjes. Këto poezi, në fakt në mënyrën më të mirë tregojnë sesi jeta dhe poezia gërshetohen reciprokisht dhe identifikohen, pa kurrfarë mistifikimesh  apo mbindërtimi artistik . Ç’është e vërteta , poeti shkruan ashtu siç jeton dhe si ndjen, respektivisht ashtu siç e përjeton botën  e brendshme (psikologjike, etike) dhe të jashtme (fizike, historike), me të cilën ka shumë mosmarrëveshje, paqartësi dhe sfida.

Që në shikimim të parë mund të hetohet se poezitë kanë varg të lirë, metrikë të thyer dhe dozë të caktuar narracioni , e cila e ndërlidhur me  liriken, epiken dhe dramatiken të gjithë përmbledhjes i jep vulë të veçantë dhe rëndësi e kuptim  artistik . Duke udhëtuar nëpër botë dhe duke takuar e njohur njerëz  të rinjë, vise dhe vende, Zhiti e shkruan një ditar të një lloji të veçantë të kujtimeve dhe të shtegtimeve, në të cilin ka  edhe  "llum të hidhur të përvojes", siç do të thoshte Danilo Kishi ,e që në radhë të parë ka të bëjë me burgosjen  dhe izolimin krijues të tij. Disa poezi  madje kanë  atmosferë orveliane dhe kafkiane në sensin  e simbolizimit  të çuditshme dhe të shprehjes se absurdit të  kësaj bote.    

Poezitë e tij nuk janë vetëm kryengritëse e plot revoltë dhe pezm  të pakënaqësisë  aq sa janë plotë dashuri , njerëzillëk  dhe falje («Aq afër e të ndarë " ). Ai, para se gjithash është njeri ,e tek pas kësaj poet . Krijues me shpirt etik  dhe me motiv mëmëdhetar , i cili di të falë dhe i cili nuk urren askënd. Këtë e dëshmon edhe titulli i poezisë "Ju dua Ju  të gjithëve" . Ai është kozmopolit , njeridashës i theksuar  dhe vrojtues , analist  dhe komentues, i cili urtësisht e stoikisht i përballon të gjitha padrejtësitë dhe krajatat të cilat e kanë goditur në jetë.

Duke e përjetuar tërë helmin e jetës,  padrejtësitë e ndry- shme, ndërskambëcat, shantazhimet  e të keqijat, poeti nuk ua kthen njësoj, veçse me gjerësinë , me spontanitetin e natyrshëm  dhe me urtësi  dëshiron që të gjitha këto t i tejkalojë  dhe mos tua lë harresës. Në këtë sens poezitë e tij janë gjurma të papërseritshme dhe dëshmi m,gjegjësisht vrragë shpirtërore  dhe kujntime të dhimbshme  të cilat edhe nuk harrohen aq shpejt.

Nuk është e tepërt të thuhet se disa poezi  kanë në një- farë dore, kuptim testamentar, respektivisht amaneti  se të gjitha mund të falen  por jo edhe të harrohen. Më bëhet se poetika e Zhitit, filosofia jetësore dhe fenomenologjia e krijimtarisë është në përputhne adekuate me qëndrimin e njohur të Rajner Marije Rilkes, i cili atëbotë kishte thënë:

«Кush flet për fitoren ?

Të rezistosh është e tëra”

Pra nuk është e vështirirë  ta zbulosh dhe ta njohesh  jetën e poetit dhe punën e tij ,raportin e tij njerëzor dhe kozmopolit  ndaj të gjithë njerëzve  dhe  vendeve  të cilat i përmend dhe të cilat e preokupojnë fantazinë , kërshërinë dhe vëmendjen e tij.  Në këtë kontekst  kanë lindur poezitë antologjike,  të cilat ia ka kushtuar djalit të tij, me rastin e qëndrimit  në Beogradit, në Rrugën “Shkodra”

Në saje të përkthimit të frymëzuar e të suksesshëm të Smajl Smakajt , kemi rastin që më plotësisht  ta kundrojmë , në mënyrë kritike ta vlerësojmë dhe estetikisht  ta njohim poezinë e poetiken e Visar Zhitit, e cila për shumëçka është e jashtëzakonshme , e veçantë , e vetëvetishme, dhe jetësisht e fuqishme

Beograd  25 qershor 2019
Përktheu nga origjinali Smajl Smaka

Libri i Visar Zhitit i përkthyer në serbisht

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja