Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme edhe në Mirditë. Prurjet e shumta të Lumin Fan i Vogël kanë gërryer rreth 1 hektarë tokë bujqësore në fshatin Kodër Rrëshen, duke dëmtuar edhe linjën elektrike.
Bashkia Mirditë në Bashkëpunim me Operatorin e Energjisë Elektrike ka bërë të mundur spostimin e shtyllave dhe rivënien në funksion të linjës elektrike, por situata mbetet mjaft shqetësuese, pasi me këtë ritëm të erozionit të krijuar nga rrjedha e lumit, mund të shembet dhe rruga kryesore e fshatit.
Situatë e ngjashme paraqitet dhe në afersi të fshatit Tarazh, ku prurjet e Lumit Zmeja kanë sjellë gërryrje të shumta, duke nxjerrë në siperfaqe në një gjatësi të konsiderueshme tubacionin kryesor të ujësjellësit dhe rrezikuar rrugen nacionale Rrëshen-Burrel.
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi thotë se projekti për mbrojtjen nga këta dy lumenj është gati prej kohësh, por ka munguar financimi nga strukturat qëndrore të emergjencave civile.
“Situata është shumë shqetësuese, një pjesë e tokës bujqësore është kthyer në lumë, në zall. Ka dy vite që kemi qenë në kontakt, qoftë me emergjencat civile, qoftë me prefektin e qarkut. Është dëm që po i shkaktohet tokës bujqësore. Kemi dy vite që kemi aplikuar, për mbrojtjen e lumenjve. Kemi aplikuar me projektin përkatës, kap një vlerë rreth 90 milionë lekë të reja. Kjo mbrojtje këtu dhe mbrojtja lumore e ujit të pijshëm të qytetit, edhe ai është problem. Tubi është në mes të lumit, i pambrojtur, në një moment të caktuar nga reshjet e shumta mund të dëmtohet dhe qyteti të mbetet pa ujë. Dje u ndërpre energjia elektrike, shtyllat ishin brenda pjesës së lumit. Kjo është alarmante”, u shpreh ai.
Përballë situatës së krijuar pritet të kryhet një ndërhyrje emergjente nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit në Bashkëpunim me Bashkinë Mirditë, për devijimin e shtratit të lumenjeve Fan i Vogël dhe Zmeja në pikat ku janë krijuar gërryrje.
Lajmi kryesor:
Përmbytjet/ Tërhiqen lumenjtë, nisin vlerësimet në Durrës, 1453 shtëpi me dëme! Në fshatrat buzë Vjosës shtëpitë në baltë






