Kreu i ekzekutivit duke marrë fjalën në këtë takim, u shpreh se, sot është rasti konkret kur qeveria përcjell mesazhin se po mban angazhim për t’i dëmshpërblyer banorët e prekur nga përmbytjet dhe kompensuar 100% fermerët për çdo kokë bagëti e çdo kokë pule të humbura.
“Ne u angazhuam me BE-në, që pranoi kërkesën tonë për identifikimin e dëmeve dhe ofroi ndihmë për të ndihmuar dhe mbështetur fermerët që u prekën nga përmbytjet”, tha Kryeministri, ndërsa vuri në dukje se, “qeveria mbetet e angazhuar që të mbështesë fermerët dhe zhvillimin e bujqësisë në vend duke mundësuar edhe marrëveshjet për kreditimin e tyre nga bankat dhe agjencitë kredituese”.
“Në prioritet të objektivave tona, mbetet zbatimi i projekteve për rimëkëmbjen e infrastrukturës në zonat problematike të qarkut Vlorë nga Selenica, Armeni, etj, me qëllim rikthimin e plotë të tyre në normalitet nga dëmtimet e përmbytjeve”, deklaroi Rama.
Kryeministri u shpreh se, tani pasi kompensuam fermerët e dëmtuar, kemi plan të rikuperojmë edhe sipërfaqet e serave të shkatërruara që u dëmtuan nga reshjet e dendura të shiut gjatë muajit shtator.
Kreu i Ekzekutivit vuri në dukje se, reforma territoriale do të bëjë një ndarje të drejtë të përgjegjësive midis pushtetit vendor, bashkive dhe bordeve të kullimit, ku synimi do të jetë, që brenda vitit të ardhshëm të realizohet plotësisht pastrimi i të gjitha kanaleve kulluese në të gjithë vendin. Ndërsa qeveria, tha kryeministri Rama, do të adresojë financime për rikuperimin e digave, hidrovorëve dhe argjinaturave.
Pjesa e fundit e angazhimit tonë është në rrugën e realizimit të plotë të saj. Synimi ynë, u shpreh Rama, është të çojmë ujë në çdo parcelë që punohet. Nga ky projekt i mbështetjes nga përmbytjet përfituan mbi 4 mijë fermerë të zonës. /ATSH/