Pas reshjeve të dendura të shiut që pushtuan vendin tonë javën e kaluar, thuajse në të gjithë territorin kemi një përmirësim pas dëmeve të shkakuara nga përmbytjet.
Prefektura e Shkodrës ka dhënë informacione lidhur me situatën e përmbytjeve në këtë qark. Në zonën e Dajçit në bashkinë e Shkodrës, ka rënie të nivelit të ujit. Edhe në aksin rrugor të Obotit ka rënie të ujit ndonëse vijon të ketë prezencë uji rreth 20–30 cm.
Transporti i banorëve në zonat e prekura vijon të realizohet me një automjet me kalueshmëri të lartë dhe 5 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në territorin e bashkisë Vau Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Raportohet gjithashtu se qarkullimi në akset Qafë Mali-Fierzë dhe K/Hadroj- Q/Bënë kryhet me goma dimërore/zinxhirë për shkak të dëborës.
Njoftimi i plotë:
Në territorin e Bashkisë Shkodër, në zonën e Dajçit vërehet rënie e nivelit të ujit, ndërsa te “Urrelat e Shirqit” nuk ka më prezencë uji. Aksi rrugor i Obotit vijon të ketë prezencë uji rreth 20–30 cm, por me tendencë rënieje të vazhdueshme. Transporti i banorëve në zonat e prekura vijon të realizohet nga Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut, me një automjet me kalueshmëri të lartë dhe 5 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në territorin e bashkisë Vau Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Nuk raportohen problematika apo situata emergjente.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nivelet e ujit në pikat monitoruese vijojnë të jenë nën kuotat kritike. Niveli i lumit Drin në Bahçallëk është në kuotën 7.2 m, ndërsa lumi Buna regjistrohet në kuotën 8.30 m në Pazar dhe 6.40 m në Dajç. Hidrovoret e Velipojës vijojnë të funksionojnë normalisht në kuotën -1.90 m dhe punojnë në kapacitet të plotë, duke garantuar menaxhimin e prurjeve.
Nga DRV Shkodër raportohet se nuk ka probleme me qarkullimin rrugor. Në akset malore rekomandohet qarkullimi me goma dimërore dhe/ose zinxhirë.
Kontraktorët e Mirëmbajtjes Rrugore
Qarkullimi në akset Qafë Mali – Fierzë dhe K/Hadroj – Q/Bënë kryhet me goma dimërore/zinxhirë.
Akset rrugore Dedaj–Razëm, Bogë–Qafë Thore-Theth dhe Hani Hotit-Vermosh janë të kalueshme, por kërkohet respektim rigoroz i rregullave të qarkullimit, sinjalistikës dhe përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirëve.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, vijon të jetë në terren, duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën.
Komente









