Situata e krijuar nga moti i keq në Qarkun e Lezhës vijon të jetë problematike, kryesisht në Bashkinë e Kurbinit.
Burime për Report TV bëjnë me dije se argjinatura e Lumit Drojë vijon të jetë e çarë, duke sjellë rritje të nivelit të ujit në fshatrat Adriatik, Golem dhe Patok të Njesisë Administrative Fushë-Kuqe.
Një nga zonat e prekura masivisht nga përmbytjet është edhe Sanxhaku, ku uji ka depërtuar edhe në disa banesa.
Banorët thonë se prej katër ditësh situata është mjaft e vështirë, duke ju sjellë dëme të shumta krysisht në bujqësi dhe blektori. Emergjente për ta është baza ushqimore për gjënë e gjallë, e cila është dëmtuar nga prezenca e ujit.
“Ça kam blegtori, me pulë, me gjel, me dele, me lopë i ka degradu. Vetëm nuk më ka hyrë edhe në shtëpi, 4 centimetra larg është. Askush nuk na ndihmon. Ka banesa me 40 cm ujë brenda. Nuk punojnë pompat e hidrovorëve. Nuk i vë kush në punë, sepse nuk ka përmbytje nëse do të vihen në punë. As nuk ka ardhur kush, as nuk ka pyetur kush, as nuk vlerëson kush nëse jemi gjallë”, tha njëri prej banorëve.
“Boll na kanë bërë dëm. Muaji nëntor më shumë. Muaji nëndor 25 ditë... Na kane ngelur qingjat, dhitë. S’janë tu punu as pompat. Niveli është rritur”, tha një tjetër banor për Report TV.
Gjatë natës mësohet se ka patur dhe mungesë të energjisë elektrike në hidrovoret e Drojës, Shellinza dhe Tale, duke ndikuar negativisht në evadimin e ujërave.
Ndërkohë vemendja më e madhe e strukturave është përqëndruar në zonën e Fushë-Kuqes, ku në terren janë edhe forcat e ushtrisë me mjete të rënda dhe lundruese, për të evakuar banorët në rast nevoje, për shkak të nivelit të ujit i cili ka ardhur gjithnjë në rritje.
Lajmi kryesor:
Moti i keq në Shqipëri/ Situata drejt normalizimit, lumi Vjosa bie në kuotën 7.8 m! Durrësi e Korça ende ‘nën ujë’! Mijëra ha tokë e qindra banesa të përmbytura (VIDEO)









