Më pak prodhim bujqësor, kufizim të mundësive për vaditje, e më tej ngricat por edhe përmbytje të papritura, që përsëriten shpesh kryesisht në dimër. Këto janë rreziqet me ta cilat po përballet ekonomia shqiptare, vetëm si rezultat i ndryshimeve klimatike, e që po shkaktojnë dëme me miliona.

Sipas një raporti të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, përmbytjet kanë shkaktuar deri tani rreth 100 milionë dollarë humbje në bujqësi.

“Si rezultat i këtyre ndryshimeve, në dekadën e fundit janë vërejtur shumë përmbytje. Dëmi më i madh u shkaktua në veriperëndim (rajonet e Shkodrës dhe Lezhës). Bazuar në vlerësimet e bëra nga ekspertët e bujqësisë, dëmi që rezultoi nga përmbytjet në prodhimin bujqësor në këto rajone arriti në rreth 100 milionë dollarë amerikanë”, thuhet në raport.

Sipas raportit fenomenet natyrore të viteve të fundit të shoqëruara herë me përmbytje e herë me thatësira të shumta, kanë ndikuar në uljen e rendimentit të prodhimit bujqësor. Ndaj duhet të merren masa thuhet në raport, pasi në të kundërt, dëmet ekonomike mund të arrijnë deri në 1 miliard dollarë në vitet e ardhshme.

“Në këto kushte, duke marrë parasysh efektet e pritura të ndryshimeve klimatike në bujqësi, produkti i brendshëm bruto i Shqipërisë potencialisht do të humbasë midis 800 dhe 900 milionë dollarë amerikanë të ardhura nga prodhimi i të korrave deri në vitin 2050”, thuhet tek raporti.

Një tjetër shqetësim i ngritur në raport është përdorimi i lartë i pesticideve, i cili sipas AKM-së ka ndikuar negativisht në prodhimin bujqësor dhe cilësinë e tokës. Për këtë arsye, theksohet se Shqipëria duhet të përshpejtojë masat për të përmbushur objektivin e Bashkimit Evropian, që deri në vitin 2030 të paktën 25% e sipërfaqes bujqësore të përdoret për bujqësi organike.

“Të dhënat statistikore të Shqipërisë mbi rendimentin dhe prodhimin bujqësor në dekadat e fundit sugjerojnë se niveli i inputeve (plehra kimike, fara me cilësi të lartë, pesticide) dhe niveli i modernizimit (ujitja, teknologjitë e korrjes, etj.) janë rritur me ritme shumë të ulëta krahasuar me ato në Shtetet Anëtare të BE-së. Pavarësisht qëllimit dhe pritjeve të Shqipërisë në lidhje me rritjen e sipërfaqes nën bujqësinë organike, pjesa e sipërfaqes totale bujqësore të përdorur për bujqësinë organike midis viteve 2012 dhe 2022 ishte e ulët. Është e nevojshme të merren masa për të arritur objektivin e politikave të BE-së që 25% e sipërfaqes bujqësore të përdoret për bujqësinë organike deri në vitin 2030”, theksohet më tej në raport.

Gjithashtu për të kufizuar kostot ekonomike dhe mjedisore të ndryshimeve klimatike, AKM rekomandon forcimin e politikave klimatike, përmirësimin e sistemeve të monitorimit dhe raportimit, si edhe rritjen e investimeve në energjinë e rinovueshme dhe masat e përshtatjes ndaj klimës.