Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, nga Durrësi, theksoi se të gjitha strukturat janë në gadishmëri të plotë për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e dendura të orëve të fundit.
Gjatë inspektimit në hidrovorin e ri të bashkisë së Durrësit, ajo nënvizoi se funksionimi paralel i dy hidrovorëve, atij të ri dhe atij ekzistues, ka qenë vendimtar për të shmangur një situatë të agravuar në qytet.
“Reshjet kanë sjellë një situatë shqetësuese, por të gjitha institucionet janë në terren dhe në gatishmëri të plotë. 12 orët e ardhshme mbeten kritike dhe fokusi ynë është menaxhimi i situatës dhe garantimi i sigurisë së qytetarëve. Më pas do të vijojë procesi i vlerësimit të dëmeve, i cili ka nisur tashmë në disa zona,” u shpreh ministrja Koçiu, duke apeluar që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.
Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, konfirmoi se infrastruktura kritike po funksionon pa ndërprerje. Ajo bëri të ditur se hidrovori i ri, i ndërtuar me fondet e qeverisë, ka qenë në punë të plotë prej rreth 48 orësh, me të gjitha pompat aktive, ndërsa edhe hidrovori i vjetër është funksional me 6 pompa dhe kapacitete rezervë për furnizimin me energji elektrike.
“Pa funksionimin e këtyre objekteve do të ishte e pamundur menaxhimi i situatës. Ato monitorohen 24 orë nga stafet teknike dhe kanë një rëndësi jetike për qytetin në raste emergjencash,” theksoi Kryetarja Sako.
Autoritetet konfirmojnë se monitorimi vijon pa ndërprerje dhe se të gjitha strukturat e emergjencave janë në gatishmëri për të reaguar ndaj çdo zhvillimi të mëtejshëm të situatës.
Lajmi kryesor:
Moti i keq/ Vjosa del nga shtrati në Mifol, niveli arrin në 9 m! Aksi Qukës-Qafë Plloçë bllokohet plotësisht nga rrëshqitja e dherave! Përmbytje në Pogradec e Obot






