/ ATSH / - Në ligjin e ri për turizmin është parashikuar që në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, shteti të marrë rolin e zhvilluesit si dhe të përfshihet në forma të ndryshme partneriteti.
Pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetit apo të njësive të qeverisjes vendore, që ndodhen brenda zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, brenda dy muajve nga miratimi i zonës, kalojnë në administrim të ministrisë përgjegjëse për turizmin.
Sipas draftit, ministria përgjegjëse për turizmin nënshkruan marrëveshje zhvillimi me investitorët në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në të cilën parashikohen të drejtat dhe detyrimet e palëve.
Në rastin e investimeve në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, parashikohet vënia në dispozicion e pasurisë së paluajtshme për ndërtimin e strukturave akomoduese dhe strukturave të tjera turistike.
Kohëzgjatja e vënies në dispozicion është deri në 99 vjet. Vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme shtetërore mund të bëhet edhe nëpërmjet kontratës simbolike 1 euro./a.g/