Një person humbi jetën në mes të natës ndërsa gdhihej e marta në kryqëzimin e Rrilës në Lezhë, pasi u përplas nga një automjet që më pas u largua nga vendi i ngjarjes.
Aksidenti ndodhi rreth orës 03:30. Drejtuesi i mjetit nuk ndaloi pas përplasjes, por u largua menjëherë, duke e lënë viktimën pa ndihmë.
Policia Rrugore arriti ta identifikojë dhe ta kapë pak më vonë personin me inicialet I. M., 46 vjeç, i dyshuar si shoferi i përfshirë në aksident. Këmbësori që humbi jetën ende nuk është identifikuar.
Hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i policisë
"Shërbimet e Policisë Rrugore, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, identifikuan dhe kapën shtetasin I. M., 46 vjeç, i cili u largua nga vendi i aksidentit (kryqëzimi i Rrilës), ku rreth orës 03:30, përplasi me automjetin që drejtonte, një këmbësor ende të paidentifikuar, i cili si pasojë humbi jetën. Vijojnë verifikimet për të identifikuar shtetasin që humbi jetën, si dhe për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme"
Komente







