LEZHË- Pas rreth dy vitesh në këtë detyrë, Prefekti i Qarkut Lezhë, Gjergj Prendi, ka dhënë dorëheqjen. Sipas burimeve, ai e ka paraqitur dorëheqjen një ditë më parë, 16 janar, pranë Këshillit të Ministrave me motivacionin 'për shkaqe personale'.
Kujtojmë se në fund të muajit dhjetor 2024, Prefektura u përplas me kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu pas kthimit të një vendimi të miratuar nga Këshilli Bashkiak në fund të vitit 2024, në lidhje me amnistinë fiskale për tarifat vendore.
Ndreu ka reaguar pas dorëheqjes, duke thënë se këto janë sajime të ulëta që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin.
Prefektura e riktheu vendimin për faljen e tarifave vendore të para vitit 2024, ndërsa Ndreu paralajmëroi hetim administrativ për veprimet e insitucionet të prefektit. Vendimi për faljen tarifës së shërbimeve publike u mor me shumicë votash nga Këshilli Bashkiak në fillim të muajit dhjetor, si një lehtësi fiskale që bizneset, familjarët dhe institucionet të paguajnë taksat e tjera vendore.
Gjergj Prendi e mbante postin e prefektit të Qarkut Lezhë prej muajit prill të vitit 2022, duke zëvendësuar në këtë post Gjok Jakun ku dhe ky i fundit u dorëhoq nga detyra. Ish-ushtaraku Gjergj Prendi përfaqësues i Partisë Socialiste ka qenë edhe më parë Prefekt i Qarkut Lezhe për rreth 2 vite.
Ende nuk dihet pasuesi i Gjergj Prendit në krye të Prefekturës së Lezhës, por sipas burimeve ndër emrat më të përfolur është ai i drejtorit të Sigurimeve Shoqërore Taulant Malshi.
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu ka reaguar pas dorëheqjes së prefektit të qarkut, Gjergj Prendi. Ndreu thotë se në ansjë rast Prefekti nuk ka qenë aspak në përplasje me Bashkinë. Ndreu shkruan se Bashkia nuk është propozuese e projektvendimit për faljen e detyrimeve, por ky ishte një propozim i një këshilltari.
“Lajmi se Prefekti i Lezhës ka dhënë dorëheqjen për shkak të "përplasjes" me Kryetarin e Bashkisë është një sajim i ulët, që s’ka asnjë lidhje me realitetin!
Bashkia nuk është propozuese e projektvendimit për faljen e detyrimeve, por ky ishte një propozim i një këshilltari! Pra, i është kthyer këshilltarit dhe këshillit, jo Kryetarit!
Unë kam shprehur habinë se si i njëjti projekt ka kaluar para dy vitesh dhe sot jo! Kjo ka të bëjë me argumentimin me dy standarde të stafit juridik, i cili, për arsye që i dinë ata, ka kthyer projektvendimin!
Përpjekja për të sajuar një histori përplasjesh është banale! Bashkia nuk është propozuese, por është në të drejtën e saj të kërkojë mosaplikimin e dy standardeve për të njëjtën çështje nga disa zyrtarë, kushdo qofshin ata! Në këtë rast, Prefekti nuk ka qenë aspak në përplasje me ne!
Çdo lajm që përmend "përplasje" është një truk gazetaresk, që në kërkim të audiencës fantazon të tilla histori” thuhet në reagimin e Ndreut.