Tre persona janë arrestuar lidhur me incidentin e ndodhur mbrëmjen e së martës në Fier, ku u përfshinë njerëz të ish-kryebashkiakut të Mallakastrës Agron Kapllanaj me hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Forcave të Operacionales. Në pranga kanë rënë Ledjan dhe Klaudio Kapllanaj (dy nipërit e Kapplanajt) dhe Gerald Kollçaku. 

Motivi dhe dinamika e ngjarjes mbetet ende e paqartë pasi të dhënat janë kontradiktore. Policia, në një deklaratë mbrëmë vonë, tha se forcat Operacionale dhe hetuesit e BKH-së ishin goditur për shkak të detyrës nga disa persona. 

"Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier - Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme. Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.-thuhet në reagimin e Policisë së Fierit.", thuhej në njoftimin e policisë.

I kontaktuar nga Report TV, Kapllanaj deklaroi se në parkimin e firmës së tij në Fier ishte shfaqur dy herë gjatë ditës një automjet. Ai pretendon se pas sinjalizimit nga punonjësit dhe kërkesës për t'u larguar, personat e paidentifikuar për ta, por në dukje agjentë të BKH dhe të Policisë, janë kamufluar se po filmojnë me dron pasi janë të interesuar për toka aty pranë.

Përfaqësues të kompanisë kanë kërkuar largimin,  nga prona e tyre - thotë Kapllanaj - i cili gjatë reagimit për Report Tv tha se ndodhej në Komisariatin e Policisë së Fierit. Pavarësisht të dhënave kontradiktore për dinamikën e ngjarjes, përfshirja e agjentëve të BKH-së në incident, konfirmohet zyrtarisht nga policia e Fierit. Vetë BKH nuk ka ende asnjë reagim, dhe mbetet i paqartë misioni i njerëzve të kësaj strukture në Fier, një zone me tensione të larta në këtë fushatë elektorale.